Nga Churchill te Trump: si ka ndryshuar gjuha e luftës në Perëndim
Është 6 qershor 1944. Lufta e Dytë Botërore është në vitin e saj të pestë. Miliona janë të vdekur. Pjesa më e madhe e Europës është në rrënoja. Fati i luftës varet nga një hapësirë e vetme ujore. Në Kanalin Anglez grumbullohen 150 mijë trupa. Presidenti amerikan i drejtohet popullit të tij. Por, pavarësisht gjakderdhjes, toni i tij nuk është i etur për luftë. Amerikanët luftojnë, thotë ai, “jo për etjen e pushtimit. Ata luftojnë për t’i dhënë fund pushtimit”. Aleati i tij, Winston Churchill, do ta pasqyrojë këtë frymë në historinë e tij, të cilën e hap me një “moral”: “Në luftë: Vendosmëri. Në humbje: Sfidë. Në fitore: Madhështi”.
Tani është prill 2026. Amerika është përfshirë në një tjetër luftë. Edhe kjo luftë varet nga një hapësirë ujore, këtë herë Ngushtica e Hormuzit. Presidenti amerikan i drejtohet popullit. Toni është agresiv. Ai thotë: “Hapeni dreqin e ngushticës, ju të çmendur, përndryshe do të jetoni në ferr, vetëm shikoni!” Sekretari i tij i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaron se iranianët “janë të mbaruar dhe e dinë”. Kjo nuk është një “luftë e barabartë”: “Ne po i godasim kur janë të dobët, dhe kështu duhet të jetë.”
Lufta në Perëndim ka ndryshuar. Ushtarakisht, sigurisht — bombarduesit “stealth” kanë zëvendësuar avionët Spitfire — por ka ndryshuar edhe në mënyrën si flitet për të. Të flasësh për retorikë në politikën moderne duket anakronike: fjalimet për buxhetin nuk janë të mbushura me figura stilistike. Por fjalët e luftës janë ndryshe. Deri më tani, kur Perëndimi ka bërë luftë, e ka bërë me armë moderne, por me fjalë të vjetra.
Ndërsa vendet luftonin në plazhe dhe fusha me armë dhe bomba, ato luftonin edhe në fjalë, në faqe, në podiume dhe në radio. Kishte aludime ndaj Shekspirit, referenca ndaj Abraham Lincoln-it dhe përsëritje të fuqishme të fjalës “luftë”. Retorika kishte rëndësi. “Nga të gjitha talentet që u janë dhënë njerëzve”, shkruante Churchill, pak janë “kaq të fuqishme” dhe “asnjë kaq i çmuar”.
Sot, kjo fuqi duket e harruar. Një video e fundit e Shtëpisë së Bardhë, e titulluar “Drejtësia në mënyrën amerikane”, është një montazh pothuajse pa fjalë me pamje nga filmat “Gladiator”, “Top Gun” dhe “Transformers”, të ndërthurura me pamje reale të goditjeve ndaj objektivave iraniane. Në vend të citimeve nga Bibla, Hegseth e citoi gabim atë: më 15 prill ai udhëhoqi një lutje që “pasqyronte” Ezekiel 25:17 — por që në fakt ishte marrë pothuajse fjalë për fjalë nga filmi “Pulp Fiction”.
Një kundërargument i dukshëm është: ç’rëndësi ka? Vdekja nuk bën dallim mes një lideri që flet bukur dhe një që nuk di. Për më tepër, fjalët e bukura mund të jenë mashtruese. Poetët e Luftës së Parë Botërore paralajmëruan se ato mund të çojnë njerëzit drejt një masakre mekanike që nuk është as “e ëmbël” dhe as e hijshme. Kur djali i Rudyard Kipling u vra në luftë, ai shkroi me hidhërim: “Nëse dikush pyet pse vdiqëm, thuaju: sepse etërit tanë gënjyen”.
Megjithatë, është e vështirë të mos ndjesh se diçka ka humbur kur një lider perëndimor citon “Transformers” në vend të Churchill-it. Dikur, referencat kulturore ishin thelbësore. Jo të gjitha fjalët janë të barabarta. Mjafton të kujtojmë fjalimin e gjatë prej mijëra fjalësh në Gettysburg që u harrua, ndërsa fjalimi prej vetëm 271 fjalësh i Lincoln mbeti në histori.
Oratorët e mëdhenj gjithmonë kanë huazuar dhe aluduar. Kur koloneli britanik Tim Collins dërgoi trupat në Irak, ai u tha të “ecnin lehtë” mbi tokën e Kopshtit të Edenit. Kur Oppenheimer pa bombën atomike, ai citoi Bhagavad Gita: “Unë jam bërë vdekja, shkatërruesi i botëve.”
Këto nuk janë vetëm zbukurime. Një citim i saktë mobilizon jo vetëm fjalë, por ide. Të citosh Biblën do të thotë të thërrasësh edhe anën më të mirë të njerëzimit. Të përmendësh Shekspirin do të thotë të sjellësh me vete një traditë të tërë kulture dhe historie.
Referencat kulturore japin forcë morale dhe e ngrejnë tonin. Perikliu nuk u thoshte athinasve thjesht të luftonin, ai u thoshte se po luftonin për demokracinë. Në vitin 1940, Roosevelt paralajmëroi se qytetërimi amerikan ishte në rrezik dhe e quajti vendin “arsenali i madh i demokracisë”.
Por referencat duhet të jenë të zgjedhura me kujdes. Një nga autorët e “Gladiator”-it ka shprehur shqetësim për përdorimin e filmit nga Shtëpia e Bardhë, duke thënë se kjo tregon se lufta shihet si një film hollivudian. Në realitet, personazhi Maximus ishte një luftëtar i detyruar, jo një figurë që shijonte luftën. Siç thoshte Roosevelt: “E kam parë luftën… e urrej luftën.”
Sepse, siç e di edhe Hollywood-i, por jo më Shtëpia e Bardhë, retorika më e mirë e luftës nuk flet për luftën. Ajo flet për paqen. Ajo i bën njerëzit të mendojnë jo vetëm për jetët që mund të humbasin, por për mënyrën e jetesës që rrezikohet. Frika nuk është vetëm për një luftë të humbur, por për një botë të humbur.
Dhe sot, kur sheh retorikën moderne, ndjen se kjo botë tashmë po humbet. /Përshtati "Pamfleti" nga "The Economist"
Kur vendi është në luftë, thirren të varfrit dhe fëmijët e tyre për ta mbrojtur. Dhe kur lufta mbaron, thirren zyrtarët dhe bijtë e tyre për të ndarë plaçkën. (Mahmoud Darwish)__________________________________ Mesazhi është kritik ndaj pabarazisë shoqërore dhe hipokrizisë së pushtetit: Ata që sakrifikojnë më shumë (të varfrit) nuk janë ata që përfitojnë. Elitat shmangin rrezikun gjatë luftës, por përfitojnë pas saj.