Nga ndjekja e “El Mencho” te “Mbretëresha e kokainës”, si po ndryshon balanca e pushtetit në botën e krimit në Amerikën Latine...
Në botën e ashpër dhe thellësisht maskiliste të kartelëve të drogës në Amerikën Latine, vëmendja shpesh përqendrohet te figurat mashkullore, bosët, vrasësit dhe drejtuesit e rrjeteve. Megjithatë, realiteti në terren tregon një panoramë më komplekse: gratë po luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm, shpesh vendimtar, në funksionimin dhe drejtimin e këtyre organizatave.
Një shembull i fundit është operacioni i ushtrisë meksikane që çoi në gjurmimin e Nemesio “El Mencho” Oseguera Cervantes, një nga trafikantët më të kërkuar në botë. Pas vitesh në arrati dhe me një shpërblim prej 15 milionë dollarësh mbi kokë, autoritetet arritën të afrohen falë një piste të papritur: një nga të dashurat e tij. Duke ndjekur lëvizjet e saj, ata arritën në një kabinë të izoluar në malet e Tapalpa-s, ku fshihej kreu i kartelit Jalisco New Generation. Operacioni u pasua nga një valë dhune hakmarrëse në të gjithë vendin.
Ky episod ilustron qartë një fenomen më të gjerë: gratë janë të pranishme në çdo nivel të strukturës së kartelëve, edhe pse shpesh mbeten jashtë vëmendjes publike. Në një mjedis të dominuar nga kultura macho, ato kanë ndërtuar role që variojnë nga partneret e bosëve deri te menaxheret e financave dhe arkitektet e operacioneve kriminale.
Ekspertët theksojnë se ndonëse burrat vazhdojnë të dominojnë rolet e dhunshme, si vrasës me pagesë apo ushtarë të kartelit, gratë janë shpesh më të përshtatshme për menaxhimin e logjistikës dhe financave. Ato kanë akses të drejtpërdrejtë në rrjetet e furnizimit, qarkullimin e parave dhe strategjitë e organizatës, veçanërisht kur janë të lidhura familjarisht me drejtuesit.
“Nëse je bashkëshortja e një bosi, ka shumë gjasa të jesh e përfshirë në vendimmarrje dhe operacione. Nëse ai bie, ti mund të marrësh kontrollin e një pjese të madhe të biznesit”, thekson Henry Ziemer, ekspert i krimit të organizuar.
Një nga figurat më emblemë të këtij realiteti është Griselda Blanco, e njohur si “Mbretëresha e kokainës”. Ajo ndërtoi një rrjet të fuqishëm trafiku në SHBA gjatë viteve ’70 dhe ’80, duke transportuar sasi të mëdha kokaine nga Kolumbia në Miami. E lidhur me kartelin e Medellín-it, ajo ishte përgjegjëse për dhjetëra vrasje dhe konsiderohej po aq e dhunshme, nëse jo më shumë, se homologët e saj meshkuj.
Por ndikimi i saj nuk kufizohej te dhuna. Blanco ishte një organizatore e aftë, duke ndërtuar struktura komplekse për pastrimin e parave dhe shpërndarjen e drogës. Ajo krijoi rrjete transporti dhe përdori gra si “mules” për të kaluar drogën përtej kufijve, duke shfrytëzuar faktin se ato ngjallnin më pak dyshime.
Një tjetër shembull është Antonella Marchant në Kili, e cila drejtonte një kartel familjar dhe menaxhonte financat dhe operacionet logjistike. Autoritetet e identifikuan atë si figurën kryesore të organizatës, duke treguar se roli i grave në krimin e organizuar nuk është më dytësor.
Në Meksikë, Rosalinda Gonzalez Valencia, e njohur si “La Jefa”, përfaqëson një tjetër model ndikimi. Bashkëshortja e “El Mencho”, ajo konsiderohet si një nga trurët financiarë të kartelit Jalisco, duke menaxhuar rrjetet e pastrimit të parave dhe lidhjet me organizata të tjera kriminale. Sipas ekspertëve, vetë ngritja e “El Mencho” lidhet me aleancat familjare që ajo solli në kartel.

Megjithatë, jo të gjitha gratë në këtë botë kanë rol drejtues. Figura e “buchona”-s, partnerja e një bosi karteli, mbetet një stereotip i përhapur, i lidhur me luksin, kirurgjinë estetike dhe jetën në rrjetet sociale. Një shembull i njohur është Emma Coronel, bashkëshortja e Joaquin “El Chapo” Guzman, e cila ndërtoi një profil publik si modele dhe influencuese, por më vonë u dënua për përfshirje në aktivitetet kriminale të bashkëshortit.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se kjo është vetëm një pjesë e historisë. Në shumë raste, gratë operojnë si menaxhere dhe strategë, duke e trajtuar aktivitetin kriminal si një biznes.
“Gratë që janë në krye të këtyre organizatave e shohin veten si drejtues. Ato thonë: ‘Jam bos, nuk jam buchona’”, thekson studiuesja Elaine Carey.
Ndërsa krimi i organizuar në Amerikën Latine evoluon, edhe roli i grave po transformohet. Nga figura të padukshme, ato po bëhen aktore kyçe në funksionimin e kartelëve, duke sfiduar stereotipet dhe duke riformësuar balancën e pushtetit në një nga botët më të rrezikshme të krimit global. /Përshtatur ng "CNN"
Lini një Përgjigje