TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota26 Qershor 2026, 22:53

Irani dhe SHBA si "macja me miun"/ Uashingtoni godet objektiva ushtarake iraniane pas incidentit në Hormuz

Shkruar nga Pamfleti
Irani dhe SHBA si "macja me miun"/ Uashingtoni godet objektiva
Ngushtica e Hormuzit

Uashingtoni akuzon Teheranin për shkelje të armëpushimit, ndërsa tensionet rikthehen në një nga korridoret më të rëndësishme të tregtisë botërore.

Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake iraniane, pasi akuzuan Teheranin se goditi me dron një anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, duke shkelur marrëveshjen e armëpushimit të arritur së fundmi mes dy vendeve.

Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) njoftoi se avionët amerikanë goditën depo raketash dhe dronësh, si dhe pozicione radarësh bregdetarë në Iran, në përgjigje të sulmit ndaj anijes M/V Ever Lovely më 25 qershor.

"Agresioni i pajustifikuar i forcave iraniane ndaj transportit tregtar përbën një shkelje të qartë të armëpushimit. Sjellja e Iranit rrezikon lirinë e lundrimit në një nga korridoret më jetike të tregtisë ndërkombëtare", deklaroi CENTCOM.

Sipas ushtrisë amerikane, forcat e saj vazhdojnë të koordinojnë kalimin e sigurt të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe do të mbeten të pranishme për të garantuar respektimin e marrëveshjes me Iranin.

Incidenti ndodhi pasi një anije mallrash u godit në Ngushticën e Hormuzit, në një ngjarje që rrezikon të përshkallëzojë sërish tensionet në rajon. Uashingtoni pretendon se sulmi u krye me një dron iranian, megjithëse autoritetet në Teheran nuk kanë marrë zyrtarisht përgjegjësinë.

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi menjëherë përmes platformës Truth Social, duke akuzuar drejtpërdrejt Iranin për shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.

"Shteti Islamik i Iranit lëshoi të paktën katër dronë sulmues ndaj anijeve që po kalonin në Ngushticën e Hormuzit. Njëri prej tyre goditi pjesën e sipërme të një anijeje të madhe transporti. Ne rrëzuam tre dronët e tjerë. Kjo ishte një shkelje e pamend e marrëveshjes sonë të armëpushimit", shkroi Trump.

Megjithëse dënoi ashpër sulmin, presidenti amerikan nuk la të kuptohej se Uashingtoni synon një përshkallëzim të mëtejshëm ushtarak.

Sulmi ndodhi vetëm pak orë pasi Garda Revolucionare Iraniane deklaroi se anijet do të lejohen të lundrojnë të sigurta vetëm në korridoret detare të miratuara nga Teherani, duke sfiduar pretendimet amerikane se lundrimi në Ngushticën e Hormuzit ishte normalizuar pas marrëveshjes së javës së kaluar.

Sipas Operacioneve të Tregtisë Detare të Mbretërisë së Bashkuar (UKMTO), anija u godit në anën e djathtë nga një predhë e paidentifikuar, duke pësuar dëmtime në urën komanduese. Nuk raportohet për viktima apo ndotje mjedisore.

Ngjarja ka detyruar Organizatën Ndërkombëtare Detare (IMO) të pezullojë misionin për evakuimin e qindra anijeve dhe më shumë se 11 mijë detarëve të bllokuar në Gjirin Persik. Sekretari i Përgjithshëm i IMO-së, Arsenio Dominguez, deklaroi se operacioni do të rifillojë vetëm pasi situata e sigurisë të jetë më e qartë.

Ndërkohë, autoritetet iraniane paralajmëruan se nuk garantojnë më kalim të sigurt për anijet që nuk respektojnë korridoret detare të përcaktuara nga Teherani, duke ia lënë përgjegjësinë për çdo incident pronarëve dhe operatorëve të tyre.

Tensionet ndikuan menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare, ku çmimi i naftës Brent u rrit me rreth 2%, duke arritur në 74 dollarë për fuçi, mes frikës për një përshkallëzim të ri në një nga rrugët më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.

Marrëveshja e nënshkruar javën e kaluar mes SHBA-së dhe Iranit parashikon ndërprerjen e luftimeve, garantimin e lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit dhe lehtësimin e disa sanksioneve ndaj Teheranit në këmbim të angazhimit të tij për të mos zhvilluar armë bërthamore. Sulmi ndaj anijes dhe kundërpërgjigjja amerikane hedhin dyshime mbi qëndrueshmërinë e kësaj marrëveshjeje, ndërsa negociatat e planifikuara për 30 qershor pritet të zhvillohen në një klimë shumë më të tensionuar.

hormuzi shba iran

Lini një Përgjigje