
Irani ka paralajmëruar se nuk do të pranojë një zgjatje të mundshme të bllokadës detare nga Shtetet e Bashkuara, duke rritur tonet në një moment tensioni mes dy vendeve.
Mohsen Rezaei, këshilltar i lartë ushtarak i udhëheqësit suprem Mojtaba Khamenei, deklaroi në një intervistë për median shtetërore se “Irani nuk do të tolerojë një zgjatje të bllokadës detare”. Ai shtoi se “nëse bllokada vazhdon, Irani do të përgjigjet”, pa dhënë detaje mbi natyrën e këtij reagimi.
Rezaei vlerësoi gjithashtu efektivitetin e masave të deritanishme, duke thënë se “një bllokadë e tillë nuk ka arritur asgjë” dhe se, sipas tij, Irani ka hapësira për ta anashkaluar atë.
“Oqeani Indian është jashtëzakonisht i gjerë dhe ne mund të kalojmë lehtësisht përmes tij. Ne e kemi bërë tashmë këtë”, u shpreh ai.
Deklaratat vijnë në një kohë kur në Uashington po shqyrtohet mundësia e zgjatjes së bllokadës ndaj porteve iraniane, në kuadër të presionit ndaj Teheranit.
Në të njëjtën intervistë, Rezaei reagoi edhe ndaj spekulimeve mbi gjendjen dhe aktivitetin e udhëheqësit suprem, i cili nuk është shfaqur publikisht prej disa javësh.
“Udhëheqësi Suprem është i ri, i shëndetshëm dhe energjik, dhe po menaxhon punët e vendit”, tha ai.
Nga ana tjetër, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA-të “kanë indikacione se Khamenei është ende gjallë”, por shtoi se “nuk është e qartë se sa besueshmëri ka ai si udhëheqës”.
Zhvillimet e fundit sinjalizojnë rritje të tensioneve mes Teheranit dhe Uashingtonit, ndërsa mbetet e paqartë nëse situata do të përshkallëzohet më tej.
Lini një Përgjigje