Autoritetet iraniane kanë arrestuar rreth 500 persona të dyshuar për dhënie informacioni ndaj “armiqve”, njoftoi shefi i policisë së Republikës Islamike, Ahmadreza Radan.
Sipas deklaratave të tij, të cituara nga agjencia Reuters, rreth gjysma e rasteve lidhen me incidente serioze, përfshirë persona që kanë dhënë informacione për goditjen e objektivave dhe individë që kanë filmuar vendet e sulmeve dhe i kanë dërguar pamjet jashtë vendit.
Radan nuk dha detaje të mëtejshme mbi periudhën kohore kur janë kryer arrestimet.
Më herët, media iraniane raportuan për dhjetëra arrestime të tjera në disa rajone të vendit.
Në veriperëndim të Iranit, agjencia gjysmëzyrtare Tasnim bëri të ditur se 20 persona u arrestuan me akuzën se kishin dërguar informacione për pozicionet ushtarake dhe të sigurisë së Iranit drejt Izraelit, sipas zyrës së prokurorit provincial.
Ndërkohë, në verilindje të vendit, një zonë që deri tani është prekur më pak nga sulmet ajrore, u arrestuan 10 persona të tjerë, disa prej të cilëve dyshohen se mblidhnin informacione për lokacione të ndjeshme dhe infrastrukturë ekonomike.
Lini një Përgjigje