TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota15 Mars 2026, 20:05

Vëllai i autorit të sulmit ndaj sinagogës në Michigan, komandant i Hezbollahut

Shkruar nga Pamfleti
Vëllai i autorit të sulmit ndaj sinagogës në Michigan,
Sulmi në Michigan

Izraeli ka konfirmuar se vëllai i autorit të sulmit ndaj një sinagoge në Michigan ishte komandant në organizatën libaneze Hezbollah.

Sulmi ndodhi të enjten kur 41-vjeçari Ayman Mohammed Ghazali përplasi makinën e tij në kompleksin “Temple Israel” në West Bloomfield Township, në shtetin amerikan të Michiganit.

Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), vëllai i tij, Ibrahim Mohammed Ghazali, ishte përgjegjës për menaxhimin e operacioneve të armëve në një njësi të specializuar të Njësisë Badr të Hezbollahut.

IDF deklaroi se kjo njësi e organizatës libaneze ka qenë përgjegjëse për lëshimin e qindra raketave kundër civilëve izraelitë gjatë luftës së fundit me Iranin.

Sipas raportimeve, dy vëllezër të tjerë të Ghazalit, një mbesë dhe një nip u vranë në një sulm ajror izraelit më 5 mars në qytetin Masghara në Liban, vetëm disa ditë para sulmit në SHBA.

Ghazali kishte hyrë në Shtetet e Bashkuara në vitin 2011 si bashkëshort i një shtetaseje amerikane dhe mori shtetësinë amerikane në vitin 2016, gjatë presidencës së Barack Obama, sipas Departamentit amerikan të Sigurisë Kombëtare.

Ditën e sulmit ai udhëtoi rreth 60 kilometra nga shtëpia e tij në Dearborn Heights, një zonë pranë Detroitit me popullsi kryesisht myslimane, drejt sinagogës Temple Israel, një nga sinagogat më të mëdha të komunitetit hebre reformist në SHBA, ku funksionojnë gjithashtu një shkollë dhe një kopsht fëmijësh.

Pas përplasjes së makinës, e cila ishte e mbushur me fishekzjarre dhe bidona me benzinë, Ghazali shkëmbeu të shtëna me një roje sigurie të armatosur dhe më pas kreu vetëvrasje me armë zjarri, ndërsa mbeti i bllokuar në automjetin që kishte marrë flakë.

Në momentin e sulmit brenda sinagogës ndodheshin rreth 140 fëmijë, mësues dhe anëtarë të stafit, por askush nuk u plagos falë reagimit të menjëhershëm të shërbimit privat të sigurisë së kompleksit.

 

hezbollahu sinagoge

Lini një Përgjigje