TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Qershor 2026, 21:14

Irani përgënjeshtron Trumpin: Nuk ka takim me SHBA-në në ditët në vijim

Shkruar nga Pamfleti

Irani përgënjeshtron Trumpin: Nuk ka takim me SHBA-në në

Vetëm pak orë pasi Donald Trump njoftoi se SHBA-ja do të takohej me Iranin në Doha, Teherani e përgënjeshtroi zyrtarisht këtë pretendim. Ministria e Jashtme iraniane njoftoi se nuk ka asnjë takim të planifikuar me palën amerikane dhe se fokusi është zbatimi i marrëveshjes ekzistuese.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane dhe i ekipit negociator, Esmaeil Baghaei, deklaroi se përparësia e qeverisë iraniane është zbatimi i pikave të dakordësuara në memorandum dhe garantimi i përmbushjes së detyrimeve nga pala amerikane.

"Nuk janë planifikuar takime negociuese me Shtetet e Bashkuara në asnjë nivel në ditët në vijim. Përparësia jonë aktuale është zbatimi i memorandumit të mirëkuptimit dhe ndjekja e kërkesave të Iranit sipas kësaj marrëveshjeje", tha ai.

Baghaei bëri të ditur se Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar licencat e nevojshme në kuadër të Nenit 10, që lidhet me shitjet e naftës, ndërsa Irani po monitoron zbatimin e tyre.

Ai shtoi se po ndiqet edhe zbatimi i Klauzolës 11, e cila parashikon lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit. Për këtë arsye, një delegacion ekspertësh iranianë do të udhëtojë në Doha gjatë kësaj jave.

"Po ndjekim zbatimin e Nenit 10 për shitjet e naftës, si dhe Klauzolën 11 që lidhet me lirimin e aseteve të ngrira të Iranit. Një delegacion ekspertësh do të udhëtojë në Doha për të ndjekur zbatimin e memorandumit", tha zëdhënësi iranian.

Sipas tij, procesi nuk ka hyrë ende në fazën e negociatave për një marrëveshje përfundimtare, pasi vetë memorandumi përcakton se kjo fazë mund të nisë vetëm pasi të jenë zbatuar disa nga nenet kryesore të tij.

"Irani dhe Shtetet e Bashkuara ende nuk kanë hyrë në fazën e negociatave për një marrëveshje përfundimtare. Sipas Nenit 13 të memorandumit, kjo fazë mund të fillojë vetëm pasi të kenë nisur të zbatohen nenet 1, 4, 5, 10 dhe 11", përfundoi Esmaeil Baghaei.

Baghaei sqaroi gjithashtu se çdo vizitë e mundshme e përfaqësuesve amerikanë në Katar nuk lidhet me misionin e delegacionit iranian, i cili, ka si objektiv ekskluziv monitorimin e zbatimit të memorandumit.

Lini një Përgjigje