Ushtria izraelite (IDF) deklaroi sot se Hezbollahu po planifikon një sulm me raketa më të madh se zakonisht gjatë natës.
Sipas IDF-së, autoritetet ndërmorën një hap të pazakontë duke paralajmëruar paraprakisht frontin e brendshëm. Ky vendim erdhi pas një incidenti javën e kaluar, kur ushtria kishte informacion për një përshkallëzim të mundshëm të sulmeve, por nuk lëshoi paralajmërim në kohë për popullsinë.
Në atë rast, Hezbollahu dyfishoi ritmin e sulmeve, duke rritur numrin e raketave nga rreth 100 në ditë në 200.
Sipas deklaratës së ushtrisë, grupi kishte planifikuar të lëshonte deri në 600 raketa, por sulmet parandaluese të forcave ajrore izraelite kufizuan kapacitetin e tij.
IDF bëri të ditur se edhe këtë herë forcat ajrore po veprojnë për të penguar një sulm të mundshëm më të gjerë, ndërsa paralajmërimi synon t’u japë kohë autoriteteve civile dhe qytetarëve të marrin masa mbrojtëse.
Ushtria theksoi se situata është nën kontroll dhe u kërkoi qytetarëve të mos bien në panik, por të qëndrojnë pranë strehimoreve dhe dhomave të sigurta.
Sipas IDF-së, ekziston mundësia që edhe Irani të përfshihet, megjithëse kërcënimi kryesor vlerësohet të vijë nga Hezbollahu.
Lini një Përgjigje