TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota17 Qershor 2025, 18:50

Izraeli paralajmëron sulme të mëdha, ministri i Mbrojtjes: Do godasim fort Teheranin!

Shkruar nga Pamfleti

Izraeli paralajmëron sulme të mëdha, ministri i Mbrojtjes: Do

Izraeli ka paralajmëruar se do të sulmojë dhe godasë fort Teheranin. Ndërkohë, presidenti i SHBA Donald Trump ka bërë thirrje për një fund të vërtetë të sulmeve vdekjeprurëse.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz tha se ushtria e shtetit të tij do të lëshojë paralajmërime tjera për banorët e Teheranit, para sulmeve që pritet të kryhen më 17 qershor.

“Ne do të sulmojmë shënjestra shumë të rëndësishme në Teheran sot… do të vazhdojmë me goditje të rënda kundrejt Iranit”, tha Katz.

Paralajmërimet kanë ardhur teksa mediat iraniane raportuan për disa shpërthime në qytetin e Isfahanit, ku gjenden disa qendra bërthamore.

Ndërkohë, sirenat ajrore janë dëgjuar nëpër Tel Aviv, për t’i paralajmëruar banorët për ndonjë sulm të mundshëm iranian.

Teksa është larguar nga samiti i shtatë shteteve më të industrializuara në botë (G7), të mbajtur në Kanada, Trump është shprehur i zemëruar ndaj Teheranit pasi nuk ka arritur marrëveshje për programin bërthamor, i cili është duke u shënjestruar nga Izraeli, edhe pse Irani pretendon se e ka vetëm për qëllime civile.

“Nuk po kërkoj armëpushim, po kërkojmë diçka më të mirë sesa armëpushimi”, tha Trump ndërsa la samitin ende pa përfunduar.

Presidenti amerikan u shpreh se qëllimi i tij është “një fund, një fund i vërtetë, jo armëpushim”.

Më herët gjatë 17 qershorit, ushtria izraelite ka thënë se e ka vrarë Ali Shadmanin, i cili është emëruar komandant i selisë qendrore Khatam ol-Anbiya, pas vrasjes së gjeneralit Gholam Ali Rashid në sulmet izraelite të 13 qershorit.

Irani nuk e ka pranuar vdekjen e Shadmanit, i cili ka qenë gjeneral në Gardën Revolucionare Islamike.

Selia është përgjegjëse për komandën operacionale dhe lideri i tij shërben si zëvendës-komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Iranit.

Trump është larguar nga samiti G7 më 16 qershor me një mesazh të fuqishëm në rrjetet sociale, duke paralajmëruar se “secili duhet të evakuohet menjëherë nga Teherani”.

“Irani do të duhej të nënshkruante ‘marrëveshjen’. U kam thënë ta nënshkruajnë. Çfarë turpi dhe humbje e jetëve njerëzore. Thënë qartë, IRANI NUK MUND TË KETË ARMË BËRTHAMORE. E kam thënë disa herë”, ka shkruar Trump në rrjetin social, Truth Social.

Rrjeti televiziv amerikan, CNN tha se komenti për evakuim ka qenë presion për Iranin që të negociojë. Edhe ushtria izraelite më herët u ka bërë thirrje banorëve të një distrikti të Teheranit që të evakuohen.

Izraeli deklaron se sulmet kundër liderëve ushtarakë, shkencëtarëve bërthamorë iranianë, qendrave për pasurim të uraniumit dhe programit të raketave balistike, janë të domosdoshme për të parandaluar Iranin që të ketë armë bërthamore.

Sulmet kanë vrarë të paktën 224 njerëz në Iran. Irani është hakmarrë duke nisur mbi 370 raketa dhe qindra donë në Izrael. Deri më tani është raportuar për 24 persona të vrarë.

Lini një Përgjigje