TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Mars 2026, 08:30

"Je vëllai që kam dëshiruar"/Kongresi amerikan kërkon dëshminë e ish-gruas së Andrew për lidhjen me Epstein

Shkruar nga Pamfleti
"Je vëllai që kam dëshiruar"/Kongresi amerikan
Sarah Ferguson dhe Andrew Mountbatten-Windsor

Sarah Ferguson nuk është shfaqur publikisht prej muajsh, ndërsa mungesa e saj ka shtuar spekulimet mbi vendndodhjen dhe mundësinë e një interviste rrëfimtare. Në të njëjtën kohë, po shtohen thirrjet që ajo të japë dëshmi lidhur me raportet e saj me financierin e ndjerë amerikan dhe të dënuarin për abuzime seksuale, Jeffrey Epstein.

Ligjvënës amerikanë kanë kërkuar vazhdimisht që ish-bashkëshorti i saj, Andrew Mountbatten-Windsor, të përgjigjet për lidhjet me Epstein. Tashmë, kjo kërkesë po i drejtohet edhe Ferguson.

Kongresmeni Suhas Subramanyam, anëtar i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve që po heton mënyrën si u trajtua ndjekja penale e Epstein, deklaroi se Ferguson mund të ketë informacion të rëndësishëm për hetimin. Ai theksoi se ajo duhet të japë dëshmi nën betim përpara komisionit.

Megjithatë, nuk ekziston një mekanizëm ligjor që ta detyrojë Ferguson të dëshmojë në Shtetet e Bashkuara. Subramanyam shtoi se ligjvënësit janë të gatshëm të gjejnë një mënyrë të përshtatshme bashkëpunimi, për sa kohë dëshmia jepet nën betim. Përfaqësuesit e Ferguson nuk kanë komentuar mbi këtë çështje.

Thirrjet janë mbështetur edhe nga kongresmenja demokrate Melanie Stansbury, e cila u bëri apel të gjithë atyre që kanë informacion mbi veprimtarinë e Epstein dhe bashkëpunëtorëve të tij të kontribuojnë në zbardhjen e së vërtetës. Edhe familja e Virginia Giuffre, një nga akuzueset më të njohura të Epstein, ka kërkuar që Ferguson të paraqitet në SHBA për të dhënë dëshmi.

Dokumentet e publikuara së fundmi nga Departamenti amerikan i Drejtësisë kanë hedhur dritë mbi marrëdhëniet e Ferguson me Epstein. Përfshirja e emrit në këto dokumente nuk përbën provë për shkelje, por sipas analizave mediatike, ato sugjerojnë një afërsi më të madhe sesa ishte bërë publike më parë.

Në disa komunikime të publikuara, Ferguson shfaqet duke kërkuar mbështetje financiare dhe emocionale, madje në një rast e përshkruan Epstein si “vëllain që gjithmonë kishte dëshiruar”. Dokumentet tregojnë gjithashtu se ajo ka qenë në kontakt me të edhe gjatë kohës kur ai ndodhej në burg dhe se e ka takuar pas lirimit të tij.

Avokatja Gloria Allred, e cila përfaqëson disa nga viktimat e Epstein, deklaroi se këto zhvillime tregojnë se Ferguson nuk mund të konsiderohet viktimë në këtë rast dhe se ajo duhet të japë dëshmi sa më parë. Edhe autori Andreë Loënie e cilësoi atë si një dëshmitare kyçe, duke theksuar kontaktet e saj të shpeshta me Epstein.

Nga ana tjetër, avokati i medias Jonathan Coad shprehu bindjen se Ferguson nuk do të pranojë të udhëtojë në SHBA për të dëshmuar, duke argumentuar se një veprim i tillë do të kishte pasoja të rënda për të dhe familjen e saj.

Zhvillimet e fundit kanë ndikuar edhe në imazhin publik të Ferguson. Ajo është tërhequr nga disa role publike dhe organizata bamirëse, ndërsa fondacioni i saj ka njoftuar mbylljen për një periudhë të pacaktuar.

Ndërkohë, vendndodhja e saj mbetet e paqartë, me raportime që e vendosin në vende të ndryshme si Emiratet e Bashkuara Arabe, Portugalia apo Zvicra. Në media vazhdojnë spekulimet edhe për një libër kujtimesh apo një intervistë të mundshme, por deri tani nuk ka një konfirmim zyrtar.

ceshtja epstein prici andrew sarah ferguson

Lini një Përgjigje