Nga ballkoni i Memphisit te politika amerikane, rrugëtimi i një prej figurave kryesore të lëvizjes për të drejtat civile
Plumbi i qëlluar nga James Earl Ray nga një dritare përballë goditi njëkohësisht nofullën dhe kollaren e Martin Luther King, i cili ndodhej në ballkonin e dhomës 306 të hotelit Lorraine në Memphis, më 4 prill 1968. Pranë tij ishte një aktivist i ri i lëvizjes për të drejtat civile, Jesse Jackson, i cili më vonë do t’i kujtonte ato çaste dramatike: “Policia po vinte drejt nesh me armët e drejtuara. Më kujtohet që u zvarrita drejt shkallëve. Kishte gjak kudo dhe një fotograf mbushi një gotë me të.”
King dhe Jackson ishin bashkuar në një betejë dhjetëvjeçare që synonte t’u jepte fund trashëgimisë së skllavërisë, diskriminimit racor, dhunës dhe formave të vjetra e të reja të segregacionit ndaj afro-amerikanëve. Një betejë që, sipas vetë Jacksonit, nuk ka përfunduar. “Njerëzit me ngjyrë kanë norma më të larta të vdekshmërisë foshnjore, jetëgjatësi më të ulët, papunësi më të madhe dhe më pak arsim. Paguan më shumë për të marrë më pak. Kjo është gjendja jonë, 40 vjet më pas”, deklaronte ai në vitet e fundit.
Edhe pse pati përplasje verbale me Barack Obamën, ky i fundit e nderoi duke theksuar se pa figurat si Jesse Jackson, zgjedhja e një presidenti me të njëjtën ngjyrë lëkure si Martin Luther King nuk do të kishte qenë e mundur.
Jackson kandidoi dy herë për Shtëpinë e Bardhë, në fillim të viteve ’80, një hap që në atë kohë u konsiderua i pazakontë dhe i guximshëm. Në zgjedhjet paraprake demokrate ai u përball me Walter Mondale në vitin 1984 dhe me Michael Dukakis në vitin 1988, të cilët më pas humbën ndaj republikanëve Ronald Reagan dhe George H. W. Bush. Megjithatë, sidomos në vitin 1988, kur mori rreth 30 për qind të votave në primare, Jackson mobilizoi mijëra afro-amerikanë për t’u regjistruar si votues.
Kjo energji politike ndikoi më pas në fitoren e Bill Clintonit në vitin 1992, i mbështetur edhe nga “Rainbow Coalition” e udhëhequr nga Jackson.
Në konventën demokrate të vitit 1992 në Nju Jork, Jackson mbajti një fjalim ku mbështeti bashkëjetesën mes izraelitëve dhe palestinezëve. Figura e tij lidhet shpesh me marshimin historik të Selmës në Alabama në vitin 1965, i udhëhequr nga Martin Luther King, Andrew Young dhe Ralph Abernathy. Ai marshim, që nisi me disa mijëra pjesëmarrës dhe përfundoi me afro 30 mijë, u shoqërua me dhunë, por çoi në një nga momentet kyçe të historisë amerikane.
Pak më vonë, presidenti i atëhershëm Lyndon Johnson mbajti një fjalim historik në mbështetje të të drejtës së votës për afro-amerikanët, duke deklaruar se “thelb i qeverisjes është kujdesi i pandërprerë për mirëqenien, dinjitetin dhe integritetin e çdo individi, pavarësisht ngjyrës, besimit, origjinës, gjinisë apo moshës”.
Vite më pas, presidenti republikan Ronald Reagan i besoi Jesse Jacksonit një mision diplomatik delikat për lirimin e një piloti amerikan në Siri. Ai e priti më pas në Shtëpinë e Bardhë dhe e falënderoi publikisht.
Një periudhë që shumëkush e përshkruan si një kapitull të veçantë të historisë politike amerikane. /Përshtatur nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje