TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Qershor 2026, 16:22

"Ka njerëz gjallë nën rrënoja", dëshmitë tronditëse nga tërmeti që shkatërroi Venezuelën

Shkruar nga Pamfleti
"Ka njerëz gjallë nën rrënoja", dëshmitë
Pamje nga tërmeti

Mbi 160 viktima nga dy tërmetet e fuqishme. Të mbijetuarit rrëfejnë momentet e tmerrit, ndërsa familjarët presin me ankth lajme për të afërmit e bllokuar.

Dhimbja, ankthi dhe pasiguria po dominojnë Venezuelën, pasi dy tërmetet e fuqishme që goditën vendin të mërkurën në mbrëmje kanë lënë të paktën 160 viktima dhe qindra të plagosur. Ndërsa ekipet e shpëtimit vijojnë kërkimet në rrënoja, dëshmitë e të mbijetuarve tregojnë për orë të tëra terrori dhe dëshpërimi.

Në Catia La Mar, një nga zonat më të goditura, Larry Rojas, 49 vjeç, qëndronte përballë një ndërtese të shembur, ku dyshohet se ndodhen të afërmit e tij.

"Tani për tani nuk kemi asgjë, as forcën dhe as guximin për të hyrë atje", tha ai për agjencinë AFP, teksa priste me shpresën se ekipet e shpëtimit do të gjenin të mbijetuar.

Pak metra më tej, një nënë nuk arrinte të përmbante lotët. Vajza e saj rezulton e bllokuar nën rrënojat e një pallati 12-katësh.

"Ka njerëz gjallë atje dhe askush nuk po vjen t'i shpëtojë", u shpreh ajo, duke bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme.

Momente të frikshme përjetuan edhe banorët e Karakasit. Verónica, e cila ndodhej në shtëpi me nënën e saj duke festuar një festë kombëtare kur goditi tërmeti, tha se për disa sekonda mendoi se gjithçka kishte marrë fund. "Mendova se do të vdisja", rrëfeu ajo.

Drama nuk mbaroi me lëkundjet. Motra e saj, Valentina, kaloi orë të tëra pa asnjë informacion për fatin e familjarëve. Në telefonin e saj mbërrinin vazhdimisht fotografi dhe video të ndërtesave të shembura në lagjen ku jetonin nëna dhe motra, derisa më në fund arriti të lidhej me Verónicën dhe mësoi se të dyja kishin mbijetuar.

Në një tjetër zonë të kryeqytetit, Odalis Escalona, 54 vjeç, përshkroi dëmet që pësoi banesa e saj.

"Shkallët u shkëputën, i gjithë muri u ça. Gjëra ranë nga tavani", tregoi ajo.

Ndërsa Carmen Guedez, 69 vjeç, tha se nuk kishte asnjë mundësi të largohej nga banesa kur nisën lëkundjet.

"U mbështollëm pranë njëra-tjetrës me motrën time të shtrirë në shtrat dhe një fqinj. Nuk mund të dilnim jashtë", rrëfeu ajo.

Autoritetet njoftojnë se operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje, ndërsa në disa zona dëgjohen ende zëra personash të bllokuar nën rrënoja. Rrugët e Karakasit janë mbuluar nga mbeturinat, ndërprerjet e energjisë elektrike dhe internetit po vështirësojnë operacionet, ndërsa mijëra banorë kanë mbetur pa strehë.

Dy tërmetet, me magnitudë 7.2 dhe 7.5, goditën Venezuelën me vetëm pak sekonda diferencë rreth orës 18:00 sipas kohës lokale. Sipas të dhënave sizmologjike, lëkundja e dytë ishte më e forta që ka goditur vendin që nga viti 1900. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rëndohet, pasi ende nuk është përfunduar kontrolli i të gjitha zonave të prekura.

termet venezuele rrenoja 160 viktima

Lini një Përgjigje