TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Shtator 2025, 13:33

KE konfirmon ndërhyrjet në sinjalin GPS ku udhëtonte Von der Leyen: Jemi mësuar me kërcënimet ruse!

Shkruar nga Pamfleti

KE konfirmon ndërhyrjet në sinjalin GPS ku udhëtonte Von der

Komisioni Evropian ka konfirmuar se ka pasur ndërhyrje në sinjalin GPS të avionit që transportonte presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë afrimit në aeroportin e Plovdivit në Bullgari.

Zëdhënësja e Komisionit, Arianna Podestà njoftoi se ndërhyrja ka qenë një akt i qëllimshëm dhe i hapur nga Rusia. Megjithatë, pavarësisht pengesave teknike, avioni u ul në mënyrë të sigurt.

“Konfirmojmë se ka pasur ndërhyrje në sinjalin GPS, por avioni u ul i sigurt në Bullgari. Autoritetet bullgare dyshojnë se bëhet fjalë për një ndërhyrje të hapur nga ana e Rusisë”, deklaroi Podestà, duke konfirmuar raportimin e Financial Times.

Sipas saj, incidenti është pjesë e një strategjie më të gjerë frikësimi.

“Jemi të mësuar me këto lloj kërcënimesh dhe përpjekjesh për frikësim, të cilat përbëjnë element të sjelljes armiqësore të Rusisë. Ky episod forcon më tej vendosmërinë tonë të palëkundur për të forcuar kapacitetet tona mbrojtëse dhe mbështetjen për Ukrainën”, u shpreh zëdhënësja e Komisionit.

Komisioni Evropian thekson se vizita e presidentes von der Leyen në vendet që kufizohen me Rusinë dhe Bjellorusinë merr një domethënie edhe më të madhe pas këtij incidenti, duke vënë në dukje rreziqet e përditshme me të cilat përballen ato.

“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të investojë në mbrojtje dhe gatishmëri ushtarake, veçanërisht pas këtij incidenti”, shtoi Podestà.

Lini një Përgjigje