
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka pasur “dakordësi” me presidentin amerikan, Donald Trump, për fundin e luftës në Ukrainë, gjatë takimit të tyre në Alaskë, muajin e kaluar.
Megjithatë, ai nuk tha nëse do t’i pranonte bisedimet e paqes me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, të ndërmjetësuara nga Trump.
Teksa ka folur gjatë një samiti në Kinë, Putin vazhdoi të mbronte vendimin e tij për të pushtuar Ukrainën dhe fajësoi edhe një herë Perëndimin për luftën.
Pas takimit në Alaskë, muajin e kaluar, i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Ëitkoff, tha se Putin ka rënë dakord për garancitë e sigurisë për Ukrainën, si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme për paqe në të ardhmen megjithëse Moska nuk e ka konfirmuar ende këtë.
Putin foli në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, ku u takua me udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping dhe atë të Indisë, Narendra Modi.
Kina dhe Rusia janë blerëset më të mëdha të naftës së papërpunuar ruse, ndaj edhe kritikohen nga Perëndimi për mbështetje të ekonomisë ruse.
Në fjalimin e tij, Putin tha gjithashtu se shpreson se “dakordësitë e arritura” në takimin e tij me Trumpin në Alaskë, janë duke ecur në këtë drejtim, duke hapur rrugë për paqe në Ukrainë.
Në të njëjtën kohë, ai përsëriti qëndrimin e tij se “kjo krizë nuk është shkaktuar nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës, por ishte rezultat i një grushtshteti në Ukrainë, i cili u mbështet dhe u provokua nga Perëndimi”.
Ai, po ashtu, ua atribuoi luftën “përpjekjeve të vazhdueshme të Perëndimit për ta tërhequr Ukrainën në NATO”.
Putin e ka kundërshtuar vazhdimisht mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.
Të premten, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Trump i ka dhënë afat deri të hënën për të pranuar bisedimet e paqes me Zelenskyn.
“Nëse nuk pranon, kjo tregon se Putin e ka manipuluar sërish Trumpin”, tha Macron.
Më 22 gusht, Trump tha për CNN se po i jepte Putinit “disa javë” kohë për t’u përgjigjur. Pas takimit me Putinin muajin e kaluar, Trump kërkoi një marrëveshje të përhershme paqeje.
Ai takoi edhe presidentin ukrainas, Zelensky dhe udhëheqës të lartë evropianë, dhe theksoi se pjesë e marrëveshjes nuk do të ishte anëtarësimi i Ukrainës në NATO.
Ai sugjeroi se do të kishte garanci sigurie për Ukrainën dhe se SHBA-ja do të ishte e përfshirë në to. /REL
Lini një Përgjigje