Trump kishte në mendje një operacion të ngjashëm me Venezuelën, por në Iran gjërat janë ndryshe. Teherani ka mënyra për të kundërsulmuar, ka aleatë rajonalë gati për të sulmuar, regjimi është thellësisht i rrënjosur dhe e luan mirë kartën e dëmit ekonomik…
Kur Donald Trump deklaroi në janar se një “armadë” amerikane po shkonte drejt Iranit, ai e krahasoi atë drejtpërdrejt me forcën e përdorur nga ushtria amerikane në operacionin e rrufeshëm menjëherë pas Vitit të Ri në Venezuelë për të kapur Nicolas Maduron, duke thënë se do të ishte “në gjendje ta kryente shpejt misionin e saj, me shpejtësi dhe forcë”.
Sot, ndërsa presidenti amerikan po shqyrton mundësi të ndryshme kundër qeverisë iraniane, duke përfshirë sulme të kufizuara, ekspertët paralajmërojnë se një sulm ndaj Iranit do të ishte dukshëm më i ndërlikuar sesa operacioni në Venezuelë dhe potencialisht mund t’i përfshijë Shtetet e Bashkuara në një konflikt të zgjatur.
Udhëheqja e Iranit ka në dispozicion aftësi të gjera ushtarake dhe një rrjet forcash rajonale të ndërmjetësuara që mund të ndihmojnë në ruajtjen e rezistencës ndaj Uashingtonit.
Dhe ndryshe nga operacioni i shpejtë në Karakas, kryeqytetin e Venezuelës, thuhet se Trump po shqyrton një veprim më të gjerë ushtarak pa deklaruar publikisht saktësisht se çfarë kërkon të arrijë. Megjithatë, ai e ka bërë të qartë se dëshiron të parandalojë Iranin të pajiset me armë bërthamore dhe se ndryshimi i regjimit do të ishte "gjëja më e mirë" që mund të ndodhte.
“Nuk ka një opsion ushtarak me kosto të ulët, të lehtë dhe ‘të pastër’ në rastin e Iranit”, tha për New York Times, Ali Vaez i Grupit Ndërkombëtar të Krizave, një organizatë e fokusuar në zgjidhjen e konflikteve. Sipas tij, ekziston një rrezik real i humbjes së jetëve amerikane” duke vënë në dukje se kjo do të peshonte shumë në llogaritjet e Trump, “sidomos në një vit zgjedhor”.
Irani ka mjetet për të kundërsulmuar
Siç doli, hapësira ajrore e Venezuelës ishte relativisht e pambrojtur para sulmit amerikan në janar. Situata në Iran nuk është e njëjtë, pasi Republika Islamike ka një nga arsenalet më të mëdha dhe më të larmishme të raketave në Lindjen e Mesme, sipas ekspertëve rajonalë. Kjo përfshin dronë dhe armë kundër anijeve, megjithëse madhësia aktuale e rezervave të saj të raketave mbetet e paqartë pas luftës 12-ditore me Izraelin në qershor. Edhe pse shumë prej këtyre përfaqësuesve janë dobësuar ndjeshëm pas konflikteve me Izraelin, ata mund të hakmerren kundër forcave dhe aleatëve amerikanë, duke hapur fronte të shumta dhe duke zgjeruar konfliktin përtej kufijve të Iranit.

Të paktën një grup pro-iranian në Irak është zotuar të mbështesë Teheranin në rast të një sulmi amerikan, me udhëheqësit e tij që paralajmërojnë se mund të urdhërojnë "operacione martirizimi" si pjesë e një konflikti më të gjerë. Ekspertët thonë gjithashtu se Huthit mund të rifillojnë sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq, siç bënë në fund të vitit 2023 në mbështetje të Hamasit në luftën e tij me Izraelin.
Grupet e mbështetura nga Irani “e dinë se do të ishte më mirë të qëndronin të bashkuar sesa të ishin të izoluar”, tha Vaez i Grupit Ndërkombëtar të Krizave. “Nëse anija mëmë fundoset, atëherë të gjithë janë vetëm”, shtoi ai.
Regjimi në Iran ka rrënjë të thella
Qeveria iraniane është një teokraci, në të cilën udhëheqësi suprem është autoriteti më i lartë. Kjo zbatohet nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike , një forcë e armatosur e fuqishme që vlerësohet të numërojë rreth 150,000 anëtarë, misioni i së cilës është të sigurojë dhe të çojë përpara axhendën autoritare të regjimit.
Në Venezuelë, Shtetet e Bashkuara kapën Presidentin Nicolas Maduro dhe gruan e tij në një operacion të koordinuar ngushtë që zgjati pak më shumë se dy orë. Megjithatë, në Iran, rrëzimi i Qeverisë dhe rrëzimi i udhëheqësit suprem nuk janë çështje orësh. Pushteti i vërtetë në Iran udhëhiqet nga ideologjia, mbështetet nga përfaqësuesit e linjës së ashpër politikë dhe përforcohet nga një strukturë komplekse pushteti që është rrënjosur për gati gjysmë shekulli.
Vakil deklaroi se "një operacion i ngjashëm me atë në Venezuelë mund të jetë më i vështirë për t'u zbatuar me sukses nëse qëllimi është neutralizimi i krerëve të pushtetit".

Mbetet e paqartë nëse do të kishte një homolog si Delcy Rodriguez, nënkryetares së Maduros dhe udhëheqëses aktuale të përkohshme të Venezuelës, me të cilin zyrtarët amerikanë mund të punonin nëse udhëheqësi suprem do të hiqej nga pushteti.
Për më tepër, Teherani është rreth 640 km në brendësi të Gjirit Persik. Ekspertët theksojnë se kjo do ta bënte më të vështirë për forcat amerikane që t’u afroheshin drejtpërdrejt dhe të kapnin udhëheqësit iranianë, krahasuar me operacionin në Karakas, i cili është rreth 16 km larg Detit të Karaibeve.
Pasojat ekonomike do të ishin të rënda dhe të përhapura për të gjithë.
Irani më parë ka kërcënuar se do të mbyllë Ngushticën e Hormuzit nëse sulmohet , duke prerë një nga korridoret detare më të rëndësishme në botë për transportin e energjisë. Rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë kalon nëpër këtë kalim.
Çdo ndërprerje në Ngushticë do të rriste çmimet e energjisë, tha Claire Jungman , drejtoreshë e riskut dhe inteligjencës së transportit detar në Vortexa, një kompani që gjurmon tregtinë e naftës dhe energjisë.

Forcat iraniane kanë kryer ushtrime me armë zjarri në Ngushticë ditët e fundit, të cilat disa ekspertë i konsiderojnë si një shenjë se ata mund ta mbyllin rrugën ujore prej 145 km në rast lufte. Mbyllja e kalimit do ta dëmtonte edhe vetë Iranin, duke kufizuar aftësinë e tij për të eksportuar naftë te klientë kyç si Kina.
"Do të jetë sikur t'i hedhë çatinë mbi kokë", tha Vaez. /Përshtati Pamfleti/
Një sulm nga SHBA-të ndaj Iranit do të sjellë fundin e Trump; një sulm nga Izraeli do të sjellë fundin e Izraelit. Irani është i rrezikshëm. Bota nuk mund të paguajë koston e luftës më të madhe "perse"! Edhe romakët dështuan në histori. Negociatat janë një ilaç i mirë për Iranin...