Sa i takon fundit të luftës, Trumpi tha se ushtria nuk do të tërhiqet nga Irani deri sa armiku të mposhtet përfundimisht...
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump duke iu drejtuar republikanëve të Dhomës së Përfaqësuesve në Florida, tha se lufta në Irani është një ekskursion afatshkurtër. Trump më pas lëvdoi ushtrinë amerikane, duke e përshkruar atë si një “ushtri si asnjë tjetër”. Ai theksoi se nëse SHBA-të nuk do të kishin ndërhyrë, atëherë Irani do të kishte sulmuar i pari.
"Brenda një jave, ata do të na kishin sulmuar, 100%. Të gjithë i kishin këto raketa, shumë më tepër sesa mendonte kushdo, dhe do të na kishin sulmuar. Por ata do të kishin sulmuar të gjithë Lindjen e Mesme dhe Izraelin, dhe nëse do të kishin armë bërthamore, do t'i kishin përdorur ato kundër Izraelit", tha Trump.
Sipas Presidentit, që pas goditjes së Iranit bota tashmë e respekton si kurrë më parë SHBA-në.
“Bota na respekton tani më shumë sesa na ka respektuar ndonjëherë”, thotë Trump.
Më tej, ai shtoi se aftësia e Iranit për raketa dhe dronë është shkatërruar plotësisht nga sulmet amerikane-izraelite, ndërsa marina e saj është në fund të oqeanit.
"Po e shkatërrojmë armikun me aftësi të shkëlqyera teknike. Kemi fundosur 46 njësi detare armike. Kemi prerë kokën e udhëheqjes së Iranit dhe tani askush nuk e di se kush vendos. Mos harroni, Irani ka bërë kaq shumë gjëra të këqija. Orët e terroristëve janë të numëruara”, u shpreh Trump.
Sa i takon fundit të luftës, Trumpi tha se ushtria nuk do të tërhiqet nga Irani deri sa armiku të mposhtet përfundimisht.
"Nuk do të dorëzohemi derisa armiku të mposhtet plotësisht dhe në mënyrë vendimtare. Jemi më të vendosur se kurrë për të arritur fitoren përfundimtare. Në një farë mënyre, ne tashmë kemi fituar, por jo mjaftueshëm", tha ai.
Trump iu referua gjithashtu vrasjes së udhëheqësit më të lartë ushtarak të Iranit gjatë mandatit të tij të parë, Qassem Soleimani.
"Ai mund të kishte qenë shumë më i aftë se sa është tani nëse do të kishte jetuar. Sepse ishte i aftë. Ishte i ashpër, brutal, i aftë. Por ne e eliminuam më parë", tha presidenti amerikan.
Trump shtoi gjithashtu se askush nuk ka asnjë ide se kush do ta sundojë Iranin pas vrasjes së Ajatollah Ali Khameneit, pavarësisht faktit se djali i tij, Mojtaba Khamenei, u emërua udhëheqës suprem i vendit.
"Udhëheqësit e tyre terroristë ose janë larguar, ose po numërojnë minutat derisa të largohen. Dhe tani, askush nuk ka asnjë ide se kush janë njerëzit që do ta udhëheqin vendin", tha Trump.
Lini një Përgjigje