
Nga Karaibet në kufirin me Kolumbinë: Tensionet mes Trump dhe Maduros rrezikojnë të ndezin një front të ri lufte në Amerikën Latine...
Presidenti venezuelian Nicolás Maduro deklaroi të hënën se do të “shpallte kushtetuesisht një republikë të armatosur” në rast se vendi i tij do të sulmohej nga forcat që SHBA ka dislokuar në Karaibe.
Deklarata e tij erdhi në një konferencë për shtyp, ndërkohë që Uashingtoni pritet të rrisë këtë javë praninë e tij detare pranë brigjeve të Venezuelës, nën arsyetimin e luftës kundër karteleve latino-amerikane të drogës. SHBA nuk ka dhënë asnjë sinjal për ndonjë zbarkim tokësor, megjithatë qeveria e Maduros ka mobilizuar trupa në bregdet dhe kufirin me Kolumbinë, duke bërë thirrje edhe për rekrutim në milicinë civile.
“Përballë këtij presioni ushtarak maksimal, kemi shpallur gatishmërinë më të lartë për mbrojtjen e Venezuelës,” tha Maduro, duke e cilësuar dislokimin amerikan si “një kërcënim ekstravagant, të pajustifikueshëm, imoral dhe absolutisht kriminal e të përgjakshëm”.
Forcat amerikane në Karaibe
Flota amerikane ka tashmë në Karaibe dy shkatërrues me raketa të drejtuara, USS Gravely dhe USS Jason Dunham, ndërsa në ujërat pranë Amerikës Latine gjenden edhe USS Sampson dhe kryqëzori USS Lake Erie. Një zyrtar i mbrojtjes i tha agjencisë AP se prania do të zgjerohet këtë javë me tre anije desantesh amfibë që mbajnë mbi 4,000 marinsa e marinarë.
Ky operacion është pjesë e politikës së Donald Trump për të përdorur ushtrinë në luftën kundër karteleve që ai i akuzon për trafikun e fentanilit dhe drogërave të tjera drejt SHBA-së, si dhe për dhunën në qytete amerikane.
Reagimi i Caracasit
Ministri i Jashtëm Yván Gil, duke cituar një raport të OKB-së, u tha homologëve rajonalë se narrativi amerikan është i rremë. Ai theksoi se 87% e kokainës së prodhuar në Kolumbi dërgohet nga Oqeani Paqësor, ndërsa vetëm 5% kalon përmes Venezuelës. “Ky narrativ kërcënon gjithë rajonin dhe një sulm ndaj Venezuelës do të sillte destabilizim total,” paralajmëroi Gil gjatë një takimi virtual të vendeve të CELAC.
Maduro gjithashtu e shfrytëzoi konferencën për të përsëritur pretendimin se ishte fituesi legjitim i zgjedhjeve presidenciale të vitit të kaluar, edhe pse prova të shumta të besueshme kanë treguar të kundërtën. SHBA dhe vende të tjera nuk e njohin atë si president të ligjshëm.
Ai tha se qeveria e tij ka dy kanale komunikimi me administratën Trump, një me Departamentin e Shtetit dhe një tjetër me Richard Grenell, të dërguarin special të presidentit. Ndërkohë, e quajti Sekretarin e Shtetit Marco Rubio “një komandant lufte” që po shtyn për rrëzimin e qeverisë venezueliane.
Opozita në anën e SHBA
Që pas zgjedhjeve të korrikut 2024, opozita e Venezuelës i ka bërë thirrje Uashingtonit dhe aleatëve ndërkombëtarë të rrisin presionin mbi Maduros. Udhëheqësja e saj, María Corina Machado, muajin e kaluar falënderoi Trump dhe Rubio për dërgimin e anijeve luftarake, duke e cilësuar si “qasje të drejtë” kundër një qeverie që ajo e quajti “sipërmarrje kriminale”.
Por Maduro paralajmëroi Trump se çdo ndërhyrje ushtarake do ta “lyente me gjak” administratën e tij. “President Donald Trump, politika e ndryshimit të regjimeve ka dështuar. Nuk mund të impononi një situatë të re në Venezuelë,” tha ai. /Përshtatur nga “Associated Press”
Lini një Përgjigje