Bota30 Prill 2023, 18:10

Kremlini “pushtohet” nga frika e kundërofensivës ukrainase, Putini i alarmuar nis ndryshimin e gjeneralëve të ushtrisë

Shkruar nga Pamfleti

Kremlini “pushtohet” nga frika e kundërofensivës

Kur duhen vetëm disa ditë që të nisë kundërofensiva ukrainase, Putin duket se po e merr seriozisht situatën dhe ka nisur të largojë gjeneralët të cilët nuk kanë dhënë efektet e pritshme.

Jo më larg se sot ushtria ruse njoftoi se zëvendësoi gjeneralin e saj të rangut më të lartë, i cili ishte përgjegjës për logjistikën.

Njoftimi pasoi disa ditë thashetheme për shkarkimin e gjeneral kolonelit, Mikhail Mizintsev, nën sanksionet britanike për rolin e tij në rrethimin e qytetit ukrainas të Mariupolit, të cilin trupat ruse e pushtuan një vit më parë.

Në një deklaratë, ministria ruse e mbrojtjes tha se Alexei Kuzmenkov, një ish-zyrtar i Gardës Kombëtare, kishte zëvendësuar Mizintsev.

Kuzmenkov u emërua në pozitën e zëvendësministrit të Mbrojtjes të Federatës Ruse, përgjegjës për mbështetjen logjistike të Forcave të Armatosura”, tha ministria, por nuk shpjegoi pse Mizintsev u zëvendësua pas vetëm shtatë muajsh në detyrë.

Sa herë është ndodhur në vështirësi në fushën e betejës, Putin ka bërë “koka turku” gjeneralët e tij, të cilëve shpesh herë ua ka atribuuar dështimin për të shpëtuar veten.

putin rusia gjeneralët