Në Selanik është rritur shqetësimi mes autoriteteve dhe sektorit të turizmit pas skenarëve që parashikojnë mbylljen e bazës së kompanisë ajrore Ryanair nga vjeshta e ardhshme. Një zhvillim i tillë do të sillte reduktime të ndjeshme të fluturimeve dhe lidhjeve ndërkombëtare në aeroportin “Maqedonia”.
Për këtë çështje, është planifikuar një takim online më 5 maj mes përfaqësuesve të kompanisë irlandeze dhe institucioneve lokale, me qëllim sqarimin e situatës dhe qëndrimit zyrtar të kompanisë.
Më herët, kryetari i Bashkisë së Selanikut, Stelios Angeloudis, zhvilloi një mbledhje emergjente me përfaqësues të turizmit dhe institucioneve rajonale, ku u diskutua ndikimi i mundshëm i një tkurrjeje të fluturimeve në ekonominë lokale dhe sektorin turistik.
Bashkia bëri të ditur se ka kontaktuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Kombëtare të Turizmit të Greqisë për të koordinuar veprimet, ndërsa i ka dërguar një letër edhe ministres së Turizmit, Olga Kefalogianni. Gjithashtu, autoritetet i kërkuan kompanisë Fraport Greece, që menaxhon aeroportin, të sqarojë nëse kanë ndryshuar kushtet e bashkëpunimit me Ryanair.
Nga ana e saj, Ryanair ka përmendur rritjen e tarifave në aeroportin “Maqedonia” si arsye të mundshme për vendime të tilla, një praktikë që kompania ka ndjekur edhe në raste të tjera në Evropë kur i konsideron disa baza më pak fitimprurëse.
Raste të ngjashme janë regjistruar më parë në Greqi, si në aeroportet e Hanias dhe Kosit, si dhe së fundmi në Berlin, ku kompania njoftoi mbylljen e bazës duke reduktuar fluturimet me 50% dhe zhvendosur avionët në vende me kosto më të ulëta, përfshirë Shqipërinë.
Deri tani, nuk ka një vendim zyrtar për Selanikun, ku Ryanair operon me tre avionë. Kjo pasiguri vjen në një periudhë rritjeje për aeroportin “Maqedonia”, i cili në tremujorin e parë të vitit 2026 regjistroi rritje prej 5,1% të numrit të pasagjerëve, duke arritur në 1,47 milionë.
Ndërkohë, kryetarja e Bashkisë së Kalamarias, Chrysa Arapoglou, theksoi se një tërheqje e mundshme e kompanisë do të kishte ndikim strategjik në ekonominë dhe turizmin e rajonit. Ajo u bëri thirrje institucioneve shtetërore dhe lokale të ndërhyjnë në mënyrë të koordinuar për të siguruar vazhdimësinë e operacioneve dhe forcimin e lidhjeve ajrore të qytetit.
Autoritetet vendore theksojnë se prioritet mbetet mbrojtja e interesave të qytetit dhe zhvillimi i qëndrueshëm i sektorit të transportit dhe turizmit.
Lini një Përgjigje