TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Shkurt 2026, 13:52

Krushku i Trump dhe babai i Jared Kushner, nervozon Macronin

Shkruar nga Fulvio Scaglione
Krushku i Trump dhe babai i Jared Kushner, nervozon Macronin
Macron dhe Kushner /

Teksa po afrohet fundi i mandatit të tij të dytë dhe të fundit, me sondazhet që tregojnë një rënie të vazhdueshme, me të djathtën në pritje për t’u ngjitur në pushtet dhe me zgjedhjet presidenciale vetëm një vit larg, është e kuptueshme që Emmanuel Macron po tregon shenja nervozizmi.

Në veçanti, ai po acarohet nga “çështja Quentin Deranque”, 23-vjeçarit, propagandistit të krahut të djathtë, i rrahur për vdekje nga kundërshtarët e krahut të majtë gjatë një serie përleshjesh në rrugët e Lionit.

Midis agresorëve dyshohet të jetë edhe Jacques-Elie Favrot, ndihmës i deputetit Raphawl Arnault, anëtar i partisë së ekstremit të majtë La France Insoumise. Për shkak të kësaj ngjarjeje, Macron mbajti fillimisht një qëndrim të ftohtë ndaj Giorgia Melonit (e cila iu përgjigj me të njëjtën monedhë).

Sipas tij ajo ishte “fajtore” pse shprehu ngushëllime për vdekjen e aktivistit të ri. Më pas, në një lëvizje edhe më të bujshme, ai nisi një përplasje të mirëfilltë diplomatike me Shtetet e Bashkuara.

Përplasja pasoi komentet e ambasadorit amerikan, Charles Kushner, i cili deklaroi se incidentet e dhunës nga “krahu i majtë” po bëheshin gjithnjë e më të shpeshta. I thirrur në Ministrinë e Jashtme për një qortim zyrtar, Kushner refuzoi të paraqitej (një veprim ky tejet i pazakontë).

Për pasojë, atij iu ndalua kontakti i drejtpërdrejtë me anëtarët e qeverisë franceze derisa të sqaronte pretendimet e tij në ministri. Kushner duket se po paguan çmimin e të qenit një “shkelës i përsëritur”. Në fund të gushtit të vitit të kaluar, ai deklaroi se Francës i mungonin “veprimet e mjaftueshme” kundër antisemitizmit.

Edhe atëherë, ai refuzoi thirrjen e Ministrisë së Jashtme për të dhënë shpjegime, duke dërguar në vend të tij një zyrtar të rangut të ulët të ambasadës amerikane në Paris. Tani tensioni po përhapet në nivelet më të larta.

Krushku i Trump dhe babai i Jared Kushner, nervozon Macronin

Ministri i Jashtëm francez, Barrot, u tregua i ashpër duke e akuzuar Kushnerin për “një dështim të qartë në kuptimin e kërkesave themelore të misionit diplomatik dhe nderit të përfaqësimit të vendit të tij”.

Nga ana tjetër, Departamenti i Shtetit i SHBA-së nuk ka qëndruar duarkryq. “E majta radikale e dhunshme është në rritje dhe roli i saj në vdekjen e Quentin Deranque, tregon kërcënimin që ajo paraqet për sigurinë publike. Ne do të vazhdojmë të monitorojmë situatën dhe presim që autorët e dhunës të dalin para drejtësisë”- u shpreh përmes një deklarate.

Trump dhe Macron nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin dhe kjo tashmë dihet. Por kjo çështje ka diçka më shumë. Ambasadori Charles Kushner është babai i Jared Kushner, bashkëshortit të Ivanka Trump. Pra, Charles Kushner është krushku i Donald Trump.

Djali i tij, Jared, edhe pse nuk mban asnjë post zyrtar, mbetet i dërguari special që Trump përdor për negociatat më delikate, nga Rusia, Izraeli e deri te Irani. Pra me pak fjalë francezët po godasin drejtpërdrejt “rrethin magjik” të Shtëpisë së Bardhë.

Me këtë lëvizje, Parisi po prek edhe marrëdhëniet e ngushta midis familjes Kushner dhe Izraelit, një lidhje e bazuar në biznes (përmes kompanisë Affinity Partners) dhe në vlera të përbashkëta familjare.

Rae Kushner, nëna e Charles, ishte një grua polake që i shpëtoi Holokaustit për të mbërritur në SHBA, ndërsa Jared Kushner është diplomuar në një shkollë ortodokse përpara se të studionte në Harvard.

Në këtë vorbull, vetë Charles Kushner rrezikon të kalojë në plan të dytë, ndonëse ai është mësuar me skandale shumë më të mëdha se ky i llojit diplomatik. I njohur në rrethet e miqve me nofkën Chanan, sipas një xhaxhai që vdiq në kampet naziste të përqendrimit, Charles e nisi karrierën në vitet 1980 duke administruar pasurinë e të atit.

Në vitin 2004, ai u gjobit me rreth 600.000 dollarë për kontribute të paligjshme në fushatën e kandidatit demokrat për president John Kerry. Një vit më pas, situata u përkeqësua. Ai u dënua për 18 akuza, përfshirë evazionin fiskal dhe manipulimin e dëshmitarëve.

Në një episod gati kinematografik, ai kishte angazhuar një prostitutë për të joshur kunatin e tij (dëshmitar në proces), me qëllim që ta shantazhonte duke i dërguar videon motrës së tij. Për këto bëma, “Shkëlqesia e Tij”, kreu dy vite burg dhe iu hoq e drejta e ushtrimit të profesionit të avokatit.

Atij iu desh të priste vitin 2020, kur krushku i tij, presidenti Donald Trump, i dha faljen e plotë presidenciale. Pesë vite më vonë, Trump e emëroi ambasador në Francë, dhe  rezultatet janë ato që po shohim sot./Përgatiti: Pamfleti

charles kushner emmanuel macron

Lini një Përgjigje