TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Tetor 2025, 15:42

Ku ka shkuar “gjenialiteti” i Putinit?

Shkruar nga Federico Rampini

Ku ka shkuar “gjenialiteti” i Putinit?

Putin, gjeniu që po shkatërron vetveten: disfatat e reja të Kremlinit

Pse shpesh kemi prirjen të mbivlerësojmë diktatorët?

Ndoshta sepse liderët e demokracive ekspozojnë hapur të gjitha të metat e tyre, ndonjëherë të shëmtuara, ndërsa autokratët na shfaqen si të pathyeshëm, të disiplinuar, “të pagabueshëm”. Për vite me radhë, Vladimir Putin është përshkruar si “një gjeni i strategjisë”.

Dhe ndoshta një farë aftësie taktike nuk mund t’i mohohet. Për një kohë, ai dukej mjeshtër i manovrave të fshehta: në samitin e Anchorage, për shembull, u trajtua si superfuqi, mori respektin e Trump-it dhe rifitoi një status ndërkombëtar që e vendoste Rusinë thuajse në të njëjtin nivel me Shtetet e Bashkuara.

Në këmbim, nuk dha asgjë. Përkundrazi, ndërsa javët kalonin, Rusia intensifikoi sulmet dhe numri i viktimave civile në Ukrainë u rrit ndjeshëm. Ishte një sukses i shkurtër, një fitore taktike pa vizion strategjik.

Nga taktika te disfata

Administrata Trump tani ka vendosur sanksione të rënda dhe ka shkuar shumë më tej se paraardhësit e saj në furnizimin me armë të Ukrainës. Ndoshta Putin mbetet një takticien i aftë, por si strateg? Në fakt, lista e dështimeve që i ka shkaktuar vetes dhe vendit të tij është e gjatë, nga ekonomia te gjeopolitika e deri te siguria ushtarake.

Një NATO që u zgjua nga gjumi

Në prag të pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt 2022, Rusia kishte përballë një NATO të lodhur, me arsenale gjysmë bosh dhe ushtri të nënfinancuara. Putin e përshkruante si “agresive”, por në të vërtetë ajo ishte një aleancë në gjumë.

Tre vjet më vonë, realiteti është përmbysur: NATO ka fituar dy anëtarë strategjikë, Suedinë dhe Finlandën; vendet anëtare po rrisin buxhetet ushtarake deri në 3.5% e madje 5% të PBB-së; Gjermania ka nisur një program riarmatimi që, edhe pse i ngadaltë, për Rusinë përbën rrezikun më serioz që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ndërkohë, Ukraina ka mobilizuar 800 mijë ushtarë që sot përbëjnë në fakt mburojën ushtarake të Europës. Prej katër vitesh, një vend shumë më i vogël po i reziston një ushtrie shumë më të madhe. Dhe në këtë periudhë, Ukraina ka ndërtuar një industri të dronëve që renditet e dyta në botë pas Izraelit.

Ekonomia e thyer e Kremlinit

Deri më 22 shkurt 2022, regjimi i Putinit jetonte mbi trashëgiminë e mençur të Bashkimit Sovjetik: ta bënte Europën të varur nga energjia ruse. Ishte një siguracion politik, europianët ishin klientë të pasur dhe të varur, ndërsa kjo varësi ushqente një klimë rusofilie në shumë qarqe ekonomike e politike.

Sot kjo epokë ka mbaruar. Bashkimi Europian, edhe pse me vonesë, po pret çdo varësi energjetike nga Moska dhe madje po shqyrton sekuestrimin e aseteve ruse në bankat e tij.

I izoluar, Putin është detyruar të kthehet nga Kina dhe India si blerës të rinj të naftës dhe gazit. Por ky është një “pazar i hidhur”: Pekini po kolonizon ekonominë ruse dhe po e blen energjinë me çmime qesharake, ndërkohë që vetë përgatitet për një epokë post-karbonike. India bën të njëjtën gjë, duke kërkuar zbritje drastike. Dhe tani, me taksën 50% që Trump ka vendosur mbi importet indiane për të ndëshkuar blerjet e naftës ruse, edhe ky treg po vështirësohet për Kremlinin.

Rënia gjeopolitike

I përqendruar krejtësisht në Ukrainë, Putin nuk arriti të shpëtojë regjimin e Assad-it në Siri. As kur Trump bombardoi Iranin, Moska nuk lëvizi për të mbrojtur aleatin e vet. Sot, ndikimi rus në Lindjen e Mesme është në minimumin historik, ndërsa në Azinë Qendrore po i sfidohet gjithnjë e më shumë nga SHBA dhe Kina.

Aleanca me Pekinin mbetet e vetmja “fitore”, por është një varësi e rrezikshme: nëse nesër Xi Jinping do të kërkojë një marrëveshje me Uashingtonin apo Brukselin, mbështetja për Putinin mund të bëhet monedhë shkëmbimi.

Një mjeshtër që ka humbur lojën psikologjike

Putin dikur dinte t’i lexonte dhe manipulonte homologët e tij perëndimorë. Bush e quajti “njeri me shpirt”, Obama e nënvlerësoi si “fuqi rajonale”, Biden dërgoi sinjale të paqarta mbi ndihmën për Ukrainën, ndërsa Trump u josh dy herë në samitet e Helsinkit dhe Anchorage.

Por këtë herë, loja ka ndryshuar. Shtyrja ose anulimi i takimit të Budapestit tregon se Trump – nën ndikimin e Sekretarit të Shtetit Marco Rubio dhe klanit të tij anti-putinian – është lodhur nga perceptimi se po përdoret nga Moska. I lënduar në krenari, Trump ka bërë atë që di më mirë: një kthesë të plotë.

Duke mos pasur një doktrinë të qëndrueshme gjeopolitike, ai mund të ndryshojë kah sa herë i leverdis. Dhe kështu, Putini po humbet edhe aleatin e fundit që nuk e urrente hapur.

Bilanci? Një “gjeni” që po e fundos Rusinë. /Përshtati "Pamfleti" nga "Corriere della Sera"

Lini një Përgjigje