
U bëjmë thirrje të gjithë njerëzve, të gjithë atyre që i dëgjojnë zërat tanë dhe të gjithë të burgosurve që të na mbështesin ne të burgosurve të dënuar me vdekje me çdo mjet të mundshëm…
Ka hyrë në ditën e tretë greva e urisë së 1500 të burgosurve, të dënuar me vdekje, në repartin 2 të burgut Ghezel Hesar. Në këtë grevë urie janë përfshirë të burgosurit politikë në Evin dhe Ghezel Hesar, si dhe të burgosurit në Repartet 1 dhe 4 të Ghezel Hesar, janë solidarizuar me ta.
Një video e siguruar nga "Pamfleti" tregon se si të burgosurit zhvillojnë grevën e tyre, ndërsa mes tyre janë edhe fëmijë.
Ata qëndrojnë ulur në korridoret e gjata të burgut dhe kërkojnë heqjen e dënimit me vdekje në Iran.
“Ne, një grup të burgosurish në grevë në Repartin 2 të Ghezel Hesar, kërkojmë heqjen e dënimit me vdekje në Iran.
U bëjmë thirrje të gjithë njerëzve, të gjithë atyre që i dëgjojnë zërat tanë dhe të gjithë të burgosurve që të na mbështesin ne të burgosurve të dënuar me vdekje me çdo mjet të mundshëm. Streha jonë e vetme jeni ju, populli i dashur i Iranit. Ekzekutimi nuk është e drejta jonë dhe burgu nuk është vendi ynë. Ngrini zërat tuaj. Mblidhuni para burgjeve dhe mos lejoni që ata të ekzekutojnë të burgosurit”, është mesazhi që përcjellin të burgosurit.
Protesta në burgun Ghezel Hesar në qytetin Karaj jashtë Teheranit u shkaktua nga transferimi i deri në 16 të burgosurve në izolim përpara ekzekutimit, thanë në deklarata të ndara Agjencia e të Drejtave të Njeriut në Iran (IHR) me seli në Norvegji dhe Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA (HRANA).
Ndërkohë, regjimi I Iranit ka tentuar të sfumojë grevën e urisë së 1500 të burgosurve, teksa ka shfaqur pamje të inskenuara ku shfaqen të burgosurit në Repartin 3 duke ngrënë ushqim.
“Një video e sajuar e qarkulluar nga të gjitha mediat armiqësore tregon një sallë në një nga repartet e Ghezel Hesar ku disa të burgosur janë ulur në dysheme jashtë dhomave të tyre, dhe një individ pretendon se këta të burgosur janë në grevë urie në shenjë proteste kundër ekzekutimit të të burgosurve të tjerë”, thuhet në një reagim zyrtar të regjimit Iranian.
Ndërkohë, ekzekutorët e Khameneit vazhdojnë vrasjen e pamëshirshme të të burgosurve. Midis 13 dhe 15 tetorit, të paktën 38 të burgosur u ekzekutuan, që do të thotë se regjimi ka marrë një jetë njerëzore çdo më pak se dy orë gjatë tre ditëve të fundit, diçka e paprecedentë jo vetëm në shekullin e 21-të.
Sipas raporteve të marra deri pasditen e 15 tetorit, u ekzekutuan 12 të burgosur.
Të martën, më 14 tetor, 16 të burgosur u varën, ndërsa të hënën, më 13 tetor, u ekzekutuan 10 të burgosur të tjerë.
Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, tërhoqi vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj grevës së urisë dhe fatit të 1,500 të burgosurve të dënuar me vdekje në burgun Ghezel Hesar. Ajo bëri thirrje për ndërhyrjen e menjëhershme të Kombeve të Bashkuara, shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit, Bashkimit Evropian dhe avokatëve të të drejtave të njeriut për t'i dhënë fund këtij makthi të tmerrshëm në Iran nën sundimin e mullahëve kriminelë.
Irani është vendi i dytë në botë për ekzekutimin e të burgosurve pas Kinës, e cila besohet se ekzekuton mijëra njerëz çdo vit, megjithëse nuk ka shifra të sakta, thonë grupet e të drejtave të njeriut.
Mizan, media zyrtare e Gjyqësorit, konfirmoi ekzekutimin e tre prej të burgosurve, që i cilëson si "tre anëtarë kryesorë të bandës së terrorit", duke pretenduar se ishin të përfshirë në grabitje të dhunshme shtëpish dhe grabitje në Teheran dhe disa qytete të tjera.
Mizan deklaroi më tej se të tre u arrestuan në qarqet Shahriar, Savojbolagh dhe Khorramabad, duke pretenduar se ata rrëfyen krimet e tyre gjatë marrjes në pyetje dhe u identifikuan nga ankuesit. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje