Përvoja historike tregon se dështimet në Vietnam, Afganistan dhe Ukrainë rrodhën nga supozimet e gabuara mbi fuqinë ushtarake. Megjithatë, administrata aktuale i shpërfilli këto mësime jetike përpara se të hynte në konfliktin me Iranin. Sot, pasojat e kësaj arrogance strategjike po rëndojnë mbi ekonominë globale dhe stabilitetin e koalicioneve tona.
Luftërat rrallëherë humben fillimisht në fushëbetejë. Ato humben në mendjet e udhëheqësve, kur udhëheqësit keqlexojnë atë që ata dhe kundërshtarët e tyre mund të bëjnë, kur besimi i tyre zëvendëson logjikën e shëndoshë dhe kur lufta e fundit ngatërrohet me atë të radhës.
Llogaritja e gabuar e administratës Trump ndaj Iranit nuk është një anomali. Është kapitulli i fundit në një nga traditat më të vjetra dhe më vdekjeprurëse në politikën ndërkombëtare: hendeku katastrofik midis asaj që udhëheqësit besojnë duke hyrë në luftë dhe asaj që lufta prodhon në të vërtetë.
Unë jam një studiuese e sigurisë ndërkombëtare, luftërave civile dhe politikës së jashtme të SHBA-së, dhe autore e librit “Dying by the Sword” (Të vdesësh nga shpata), i cili analizon arsyet pse Shtetet e Bashkuara kërkojnë vazhdimisht zgjidhje ushtarake dhe pse ndërhyrje të tilla rrallë prodhojnë paqe të qëndrueshme.
Unë gjykoj se problemi më i thellë me luftën e SHBA-së në Iran ishte vetëbesimi i tepërt i krijuar nga suksesi i fundit. Përpara se konflikti që përfshinte Iranin, Izraelin dhe SHBA-në të përshkallëzohej, Sekretari i Energjisë, Chris Wright, hodhi poshtë shqetësimet për ndërprerjen e tregut të naftës, duke vënë në dukje se çmimet pothuajse nuk kishin lëvizur gjatë luftës 12-ditore në qershor 2025 midis Izraelit dhe Iranit.
Zyrtarë të tjerë të lartë ranë dakord me të. Ajo që pasoi ishte domethënëse: breshëri raketash dhe dronësh të drejtuar nga Irani kundër bazave të SHBA-së, kryeqyteteve arabe dhe qendrave të popullsisë izraelite.
Më pas, Irani mbylli Ngushticën e Hormuzit, përmes së cilës kalon çdo ditë rreth 20 për qind e furnizimit botëror me naftë - jo me një bllokadë detare, jo me mina ose raketa masive kundër-anije, por me dronë të lirë.
Për këtë mjaftuan disa goditje në afërsi të ngushticës. Siguruesit dhe kompanitë e transportit detar vendosën se kalimi ishte i pasigurt. Trafiku i cisternave ra në zero, edhe pse ndonjë anije e rrallë ka arritur të kalojë kohët e fundit. Analistët po e quajnë këtë krizën më të madhe të energjisë që nga embargoja e naftës e viteve 1970.
Presidenti Donald Trump shprehu më 17 mars zemërimin e tij ndaj aleatëve që nuk pranuan të ndihmonin SHBA-në për të detyruar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për trafikun e cisternave. Ndërkohë, Udhëheqësi i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, është zotuar ta mbajë ngushticën të mbyllur.
Pa ambasadë në Teheran që nga viti 1979, SHBA-ja mbështetet shumë për inteligjencë te rrjetet e CIA-s me cilësi të dyshimtë dhe asetet izraelite që kanë në mendje interesat e vendit të tyre. Prandaj, SHBA-ja nuk e parashikoi që Irani kishte rindërtuar dhe shpërndarë kapacitete të rëndësishme ushtarake që nga qershori 2025, dhe as që do të godiste fqinjët në të gjithë rajonin, përfshirë Azerbajxhanin, duke e zgjeruar konfliktin shumë përtej Gjirit Persik.
Mësimi i gabuar nga Venezuela
Ndërhyrja e shpejtë ushtarake nga SHBA-ja në Venezuelë në janar dha rezultate të shpejta me reagime minimale. Ajo u duk se vërtetoi besimin e administratës te veprimet shtrënguese. Por fitoret e pastra janë mësues të rrezikshëm.
Ato ushqejnë atë që unë e quaj “indeksi i arrogancës/përulësisë”: sa më shumë që një udhëheqje mbivlerëson aftësitë e veta, nënvlerëson ato të kundërshtarit dhe shpërfill pasigurinë, aq më i lartë është rezultati dhe aq më shumë gjasa ka që të pasojë katastrofa. Fitoret e pastra e rritin këtë indeks pikërisht në kohën kur skeptikizmi është më i nevojshëm, sepse ato sugjerojnë se kundërshtari i radhës do të jetë po aq i menaxhueshëm sa i fundit. Politologu Robert Jervis tregoi dekada më parë se perceptimet e gabuara në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë të rastësishme, por ndjekin modele. Udhëheqësit priren të projektojnë logjikën e tyre kosto-përfitim mbi kundërshtarët që nuk e ndajnë atë.
Shtetet e Bashkuara në Vietnam, 1965-1968
Strategët amerikanë të luftës besonin se superioriteti material do t'i detyronte komunistët në Hanoi që të dorëzoheshin. Por kjo nuk ndodhi. Vetëm fuqia e zjarrit amerikane nuk çoi në disfatë ushtarake, e aq më pak në kontroll politik.
Ofensiva e Tet-it në vitin 1968 - kur forcat e Vietnamit të Veriut dhe Viet Kongut nisën sulme të koordinuara në të gjithë Vietnamin e Jugut - e rrëzoi narrativën zyrtare të SHBA-së se lufta ishte pothuajse e fituar.
Ndonëse forcat e SHBA-së dhe ato të Vietnamit të Jugut arritën në fund t’i zmbrapsnin sulmet, përmasat dhe surpriza e tyre bënë që publiku të mos u besonte deklaratave zyrtare, duke përshpejtuar erozionin e besimit publik dhe duke kthyer në mënyrë vendimtare opinionin amerikan kundër luftës.
Humbja e SHBA-së në Vietnam nuk ndodhi në një fushëbetejë të vetme, por përmes shpërbërjes strategjike dhe politike. Megjithë superioritetin dërrmues, Uashingtoni ishte i paaftë të ndërtonte një qeveri të qëndrueshme dhe legjitime në Vietnamin e Jugut ose të njihte qëndrueshmërinë e forcave të Vietnamit të Veriut.
Përfundimisht, me rritjen e viktimave dhe protestave në shkallë të gjerë në vend, forcat amerikane u tërhoqën, duke i dorëzuar kontrollin e Saigonit forcave të Vietnamit të Veriut në vitin 1975.
Dështimi i SHBA-së ishte konceptual dhe kulturor, jo informativ. Analistët amerikanë thjesht nuk mund ta imagjinonin luftën nga perspektiva e kundërshtarit të tyre.
Afganistani: Supozimet vdekjeprurëse
Bashkimi Sovjetik në Afganistan në vitin 1979 dhe Shtetet e Bashkuara në Afganistan pas vitit 2001 zhvilluan dy lufta të ndryshme, por bënë të njëjtin supozim vdekjeprurës: se forca ushtarake e jashtme mund të vendosë shpejt rendin politik në një shoqëri të thyer që i reziston fort kontrollit të huaj.
Në të dyja rastet, fuqitë e mëdha besuan se aftësitë e tyre do të peshonin më shumë se kompleksitetet lokale. Në të dyja rastet, lufta evoluoi më shpejt dhe zgjati shumë më tepër sesa mund të përshtateshin strategjitë e tyre.
Rusia, Ukraina dhe Ngushtica e Hormuzit
Ky është rasti që duhet ta përndjekë më shumë Uashingtonin. Ukraina tregoi se një mbrojtës materialisht më i dobët mund t’i shkaktojë kosto të mëdha një sulmuesi më të fortë përmes inovacionit në fushëbetejë: dronë të lirë, përshtatje e decentralizuar, inteligjencë në kohë reale dhe përdorimi kreativ i terrenit dhe pikave strategjike (chokepoints) për të gjetur avantazhe asimetrike.
SHBA-ja e vëzhgoi gjithë këtë në kohë reale për 4 vjet dhe ndihmoi në financimin e saj. Por edhe Irani po vëzhgonte, dhe prova është Ngushtica e Hormuzit. Teherani nuk kishte nevojë për një marinë për të mbyllur pikën më të rëndësishme të energjisë në botë.
I duheshin dronët, e njëjta teknologji e lirë dhe asimetrike që Ukraina ka përdorur për të zbehur sulmin e Rusisë. Siç duket Uashingtoni, që e kishte garantuar pjesën më të madhe të këtij manuali në Ukrainë, nuk bëri kurrë pyetjen e thjeshtë: Çfarë ndodh kur pala tjetër ka mbajtur shënime?
Ky nuk është një dështim i inteligjencës amerikane, por një dështim i imagjinatës strategjike, pikërisht i asaj që indeksi i arrogancës/përulësisë është krijuar enkas për ta nxjerrë në pah. Irani s’ka nevojë të mposhtë SHBA-në në mënyrë konvencionale.
Ai duhet vetëm të rrisë kostot, të shfrytëzojë pikat strategjike dhe të presë për një përçarje midis aleatëve të SHBA-së dhe opozitës politike të brendshme për të detyruar një shpallje false të fitores nga SHBA ose një tërheqje të vërtetë amerikane.
Irani e ka mbajtur ngushticën selektivisht të hapur për anijet turke, indiane dhe saudite, duke shpërblyer vendet neutrale dhe duke ndëshkuar aleatët e SHBA-së, duke krijuar përçarje në koalicion. Historiani Geoffrey Blainey argumentoi dikur se luftërat fillojnë kur të dyja palët kanë besime të papajtueshme për fuqinë dhe përfundojnë vetëm kur realiteti i detyron ato besime të përputhen.
Ky përputhje po ndodh tani, me kosto të madhe, në Gjirin Persik dhe më gjerë. Administrata Trump shënoi pikë të larta në indeksin e arrogancës, pikërisht në momentin kur kishte më shumë nevojë për përulësi.
Shënim: Monica Duffy Toft, është profesoreshë e Politikës Ndërkombëtare dhe Drejtore e Qendrës për Studime Strategjike, Fletcher School, Universiteti Tufts./ Përshtati "Pamfleti" nga “The Conversation”
Amerika,dua të them shtetet e bashkuara kanë fuqia më e madhe ushtarake dhe ekonomike në botë. Por Amerika është superfuqia më e tmerrshme në botë vetëm kur lufta bëhet në " American soil"! Kudo tjetër është një dështim