TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Qershor 2025, 21:43

Kush është Gavin Newsom, guvernatori që po kthehet në simbol rezistence... dhe ndoshta kandidat për president në 2028

Shkruar nga Pamfleti

Kush është Gavin Newsom, guvernatori që po kthehet në simbol

Ndërsa Trump shton tensionet me vendime autoritare dhe mobilizon ushtarë kundër emigrantëve, Newsom shfaqet si figura e re që mund t’i prijë kampit demokratët në një garë të ardhshme presidenciale...

Kalifornia, bastioni demokrat, është kthyer në frontin më të nxehtë të përplasjes mes presidentit Trump dhe pushtetit lokal, teksa tensionet rreth emigracionit kanë shndërruar guvernatorin Gavin Newsom në një simbol të rezistencës institucionale ndaj autoritarizmit të Shtëpisë së Bardhë.

I pavendosur për lidershipin e ri pas Biden dhe Harris, kampi demokrat po sheh me interes të ri figurën e Newsom-it, i cili po e shfrytëzon përplasjen me Trump-in si trampolinë për t’u profilizuar në arenën kombëtare. Trump, i cili vijon të godasë imigracionin ilegal si çështjen kryesore të axhendës së tij, ka kthyer Kaliforninë në epiqendër të një lufte politike ku e drejta e shteteve për vetëqeverisje po cenohet brutalisht.

Dërgimi i Gardës Kombëtare dhe përgatitja për dislokimin e marinsave – pa kërkesë apo pëlqim të autoriteteve vendore – është denoncuar nga Neësom si një shkelje flagrante e autonomisë shtetërore dhe një akt i pastër provokimi. Kjo ndërhyrje, sipas guvernatorit, nuk ka për qëllim rivendosjen e rendit, por destabilizimin e qëllimshëm të situatës për përfitim politik.

Figura e Newsom, megjithëse me një të kaluar të mbushur me episode të diskutueshme personale dhe një menaxhim jo gjithmonë të suksesshëm të krizave si pandemia, kriza e të pastrehëve dhe katastrofat natyrore, po rikthehet në qendër të debatit si një kandidat potencial për garën presidenciale të vitit 2028. Ai ka fituar vëmendje për qëndrime të guximshme, përfshirë mbështetjen për Izraelin pas sulmit të Hamasit dhe udhëtimin e tij diplomatik në Kinë për çështje mjedisore.

Megjithatë, lëvizjet e fundit të Trump-it, përfshirë njoftimin se 9 mijë emigrantë do të transferohen në Guantanamo – një vendndalim i errët i ligjshmërisë ndërkombëtare – kanë ndezur alarmin tek shumë qytetarë dhe liderë politikë.

Përballë kësaj situate, Gavin Newsom po tenton të shfaqet si "mbrojtësi i ligjshmërisë republikane amerikane", në një kohë kur vetë republikanët tradicionalë janë të shqetësuar nga radikalizimi i Trump-it. Pyetja që mbetet është: do të mundet ai të bashkojë një kamp demokrat të përçarë dhe të bindë një Amerikë gjithnjë e më skeptike, nëse trazirat e protestave kthehen në përplasje të dhunshme? /Corriere Della Sera

Lini një Përgjigje