Bota 7 Mars 2023, 21:10

Kush po nxit tension në Serbi? Sërish protesta në Beograd kundër planit franko-gjerman

Shkruar nga Pamfleti

Kush po nxit tension në Serbi? Sërish protesta në Beograd

Plani franko-gjerman ka shkaktuar tension në Serbi. Pak javë më parë u sulmua Presidenca nga grupet filoruse, ndërkohë sot ka pasur një tjetër protestë.

Një grup studentësh të Universitetit të Beogradit kanë zhvilluar një marshim-protestë duke kundërshtuar negociatat e paqes me Kosovën. Me banderola dhe thirrje, ata kërkojnë që të refuzohet plani i propozuar nga BE, teksa kanë paralajmëruar se do të ketë çdo javë protesta. Ata e cilësuan si akt tradhtie planin franko-gjerman, teksa mes tyre janë parë dhe eksponentë të partive politike, raporton "Danas".

“Jemi mbledhur për të mbrojtur identitetin dhe thelbin tonë”, tha njëri nga folësit, me turmën duke brohoritur “Kosova është zemra e Serbisë”, “Jo dorëzim tjetër në Prizren”.

Sipas tyre, qeveria në Serbi dhe presidenti Aleksandër Vuçiç tregojnë synimin e tyre për të pranuar planin për çështjen e Kosovës, i cili u shoqërua me thirrjet “Tradhti”, “Poshtë Qeveria” dhe “Dorëheqje”.

Thirrja për protestë u bë përmes rrjetit rus, Telegram, nga organizata e paregjistruar ultra e djathtë “Patrulla Popullore” që edhe më herët kishte organizuar protesta për të kundërshtuar politikat e qeverisë serbe ndaj Kosovës.

Takimi i radhës me Kurtit dhe Vuçiçit do të mbahet më 18 mars në Ohër. Ky do jetë takimi i dytë dhe sipas sinjaleve, BE dhe SHBA do të detyrojnë të dy liderët të firmosin planin franko-gjerman. Në takimin e fillimit të muajit Vuçiç refuzoi, por duket se këtë herë nuk ka rrugë kthimi. Nga ana tjetër Rusia ka dalë kundër këtij plani dhe në momentin që Vuçiç do të firmosë, pritet që të vuloset ndarja nga Moska.

kosove serbi plani franko-gjerman