TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Prill 2025, 14:51

Kushton 520 mijë dollarë, unaza vulë e Papës do shkatërrohet me një çekiç

Shkruar nga Pamfleti

Kushton 520 mijë dollarë, unaza vulë e Papës do

Papa me origjinë nga Argjentina, me emrin e lindjes Jorge Mario Bergoglio, ndërroi jetë në orën 07:35 me orën lokale të mëngjesit të së hënës së Pashkëve 21 prill në dhomat e tij modeste në Vatikan, pasi kishte thyer traditën që në zgjedhjen e tij në papat më 2013, duke mos qëndruar në apartamentin madhështor që zakonisht u rezervohet papëve.

Shkaku i vdekjes së 88-vjeçarit, i cili zgjodhi të quhej Françesku në nder të shenjtorit të shekullit XIII, Shën Françesku i Asizit, është konfirmuar si një goditje cerebrale që çoi në koma dhe më pas në dështim të pakthyeshëm të zemrës.

Ndërsa Kisha Katolike po ndjek hapat e përgatitjes së funeralit dhe riteve përkatëse, unaza vulë, që ai mbante në dorën e djathtë, do të shkatërrohet me një çekiç të veçantë.

Shkatërrimi i një bizhuterie të tillë duket si mëkat në vetvete, meqë vlera e saj e përllogaritur kap shifrën e rreth 520,000 dollarëve edhe pse vlera e saj e vërtetë është shumë më e madhe se ajo materiale, pasi ajo përfaqëson vetë simbolin e katolicizmit.

Unaza i dhurohet papës në momentin e zgjedhjes dhe merret pas vdekjes dhe është një element i dukshëm në fotografitë e publikuara nga Vatikani ku Papa Françesku shfaqet i shtrirë në homazhe.

Sipas traditës së Kishës Katolike Romake, unaza dhe vula shkatërrohen me një çekiç të veçantë nga kardinali kamarlenko në këtë rast, Kevin Farrell.

Kjo bëhet për të parandaluar çdo përdorim të papërshtatshëm të saj, pasi unaza ishte fillimisht krijuar si vulë për letrat private të papës edhe pse sot përdoret vetëm për qëllime ceremoniale.

Shkatërrimi i saj ndodh pas konfirmimit zyrtar të vdekjes së papës, në praninë e Kolegjit të Kardinalëve përpara se të nisë konklava papnore për zgjedhjen e pasardhësit të tij.

Procesi i zgjedhjes së një pape të ri zakonisht zgjat nga 15 deri në 20 ditë nga dita e vdekjes së papës së mëparshëm.

papa francesku unaza

Lini një Përgjigje