Bashkimi Evropian kërkon që Serbia t’i bashkohet luftës së tij kundër Rusisë si kusht i detyrueshëm për integrimin evropian, deklaroi ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.
Diplomati rus tha se, në kontekstin e përpjekjeve të Beogradit për t’u integruar në BE, Moska e ka pyetur Serbinë se si planifikon të reagojë ndaj dy kërkesave kryesore që vijnë nga Brukseli: njohja e pavarësisë së Kosovës dhe përshtatja me politikën e jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë sanksionet kundër Rusisë.
Sipas Lavrovit, kjo çështje mbetet aktuale sepse institucionet e Bashkimit Evropian janë të vetëdijshme për situatën e vështirë në të cilën ndodhet Serbia.
“Burokracia e Brukselit nuk mund të mos e kuptojë se Serbia është në një situatë të vështirë. Nuk kam dyshim se kërkesat që Serbia të mbështesë plotësisht politikën e jashtme dhe veprimet e BE-së në fushën e sigurisë nënkuptojnë edhe bashkimin me luftën në Ukrainë”, tha ai.
Deklaratat e Lavrovit pasqyrojnë qëndrimin zyrtar të Moskës mbi procesin e integrimit evropian të Serbisë dhe mbi presionin që, sipas Rusisë, po ushtrohet ndaj Beogradit për të harmonizuar politikën e tij të jashtme me atë të Bashkimit Evropian.
Lini një Përgjigje