Kremlini refuzoi të komentojë raportimet sipas të cilave lideri i ri i Iranit, ajatollah Mojtaba Khamenei, ka udhëtuar në Moskë për trajtim mjekësor, pas lajmeve të publikuara në mediat rajonale.
Zëdhënësi i presidentit rus Dmitry Peskov u pyet nga gazetarët për një raport të gazetës kuvajtiane Al Jarida, sipas së cilës Khamenei ndodhet në kryeqytetin rus për kujdes mjekësor.
“Ne nuk komentojmë kurrë lajme të këtij lloji”, deklaroi Peskov, pa dhënë detaje të tjera.
Raportimet e Al Jarida përputhen me informacionet që disa media kanë publikuar një ditë më parë, sipas të cilave Mojtaba Khamenei ka udhëtuar në Moskë për një operacion në këmbë. Sipas këtyre raportimeve, ndërhyrja mjekësore ishte e planifikuar dhe lidhej me një problem shëndetësor që kërkonte trajtim kirurgjik.
Megjithatë, autoritetet iraniane nuk kanë konfirmuar zyrtarisht një udhëtim të tillë dhe nuk kanë dhënë detaje për gjendjen shëndetësore të liderit iranian.
Mediat ndërkombëtare kanë raportuar intensivisht ditët e fundit për aktivitetet dhe lëvizjet e Mojtaba Khameneit, ndërsa vëmendja është rritur pas zhvillimeve të fundit politike dhe ushtarake që përfshijnë Iranin dhe rajonin.
Lini një Përgjigje