
NASA ka publikuar fotografitë e para të realizuara nga astronautët e misionit Artemis II gjatë fluturimit të tyre pranë Hënës, duke ofruar pamje mbresëlënëse nga hapësira.
Një prej imazheve më të spikatura paraqet të ashtuquajturën “lindje të Tokës”, ku planeti ynë shfaqet mbi horizontin hënor. Kontrasti mes Tokës blu dhe sipërfaqes së ashpër, të mbushur me kratere të Hënës, krijon një nga pamjet më të forta vizuale të misionit.
Në një tjetër fotografi, astronautët kanë kapur një eklips diellor, në momentin kur Hëna bllokon Diellin, duke krijuar një siluetë dramatike në hapësirë.

NASA nuk ka bërë të ditur se cili prej astronautëve i ka realizuar këto fotografi. Aktualisht, ekuipazhi ndodhet në udhëtimin e kthimit drejt Tokës, pas një fluturimi që përfshiu kalimin pranë Hënës.
Pamja e “lindjes së Tokës” rikthen në vëmendje fotografinë ikonike Earthrise, të realizuar nga astronauti Bill Anders gjatë misionit Apollo 8 në vitin 1968, një moment historik që parapriu uljen e parë të njeriut në Hënë. Edhe sot, kjo perspektivë e Tokës si një planet i brishtë në hapësirë mbetet ndër imazhet më domethënëse të eksplorimit hapësinor.
Sipas NASA-s, fotografia është realizuar përmes dritares së anijes kozmike Orion, gjatë një faze të fluturimit që zgjati rreth gjashtë orë dhe përfshinte edhe një periudhë pa komunikim radio, kur kapsula ndodhej pas Hënës.












Lini një Përgjigje