TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Prill 2026, 11:33

Lufta ekonomike globale, si po riformësohet rendi botëror

Shkruar nga Pamfleti
Lufta ekonomike globale, si po riformësohet rendi botëror
Ilustrim

Epoka e globalizimit po zëvendësohet nga konkurrenca strategjike dhe pasiguria ekonomike

Forumi Ekonomik Botëror në Davos rrallëherë është vend ku ndodhin përçarje gjeopolitike. Por këtë vit, kryeministri kanadez Mark Carney u paraqit përpara drejtuesve dhe figurave të rëndësishme për të shpallur fundin e një epoke. Globalizimi, me premtimin e tij për bashkëpunim me përfitim të ndërsjellë, i ka lënë vendin një përshkallëzimi të luftës ekonomike.

“Fuqitë e mëdha kanë filluar të përdorin integrimin ekonomik si armë, tarifat si mjet presioni, infrastrukturën financiare si mjet detyrimi dhe zinxhirët e furnizimit si dobësi për t’u shfrytëzuar”, tha ai, duke shtuar “nuk mund të jetosh brenda iluzionit të përfitimit të ndërsjellë nga integrimi, kur integrimi bëhet burimi i nënshtrimit”.

Sipas Carney-t, gjigantët janë në lëvizje dhe vendet e tjera kanë pak zgjedhje përveçse të bashkohen për vetëmbrojtje. Megjithatë, ky interpretim fsheh një realitet më të paqëndrueshëm: edhe fuqitë e mëdha ndihen gjithnjë e më të pasigurta. Shtetet, të mëdha e të vogla, kanë kuptuar cenueshmërinë e tyre ndaj presionit ekonomik nga jashtë, dhe kjo frikë po i shtyn politikat në drejtime të papritura.

Dy javë pas fjalimit të Carney-t, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance mblodhi ministra nga mbi 50 vende në takimin e parë për mineralet kritike, me synimin për të thyer monopolin e Kinës mbi elementët e rrallë. Pak ditë më parë, revista “Qiushi” publikoi një fjalim të Xi Jinping, ku ai kërkonte që të arrinte statusin e një monedhe rezervë, ndërsa rregullatorët kinezë u kërkuan bankave të kufizonin blerjet e bonove amerikane. Edhe pse administrata Trump nuk ka prirje për multilateralizëm dhe Xi ka qenë i kujdesshëm për ndërkombëtarizimin e monedhës kineze, për të dyja palët mbrojtja nga mjetet ekonomike të tjetrit është bërë një domosdoshmëri strategjike.

Këto zhvillime ilustrojnë dy procese paralele që po transformojnë gjeoekonominë: një garë armatimi ekonomik dhe një përpjekje për siguri ekonomike. Qeveritë po identifikojnë burimet e tyre të ndikimit dhe po krijojnë mjete të reja për t’i përdorur kundër rivalëve, duke u përgatitur, në thelb, për luftë ekonomike. Njëkohësisht, ato po ndërtojnë mbrojtje kundër armëve ekonomike të të tjerëve.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë një manual për këtë mjedis të ri. Gjatë dy dekadave të fundit, zyrtarët amerikanë zhvilluan strategji për një botë unipolare, ku SHBA vepronte kryesisht në ofensivë dhe i kushtonte pak vëmendje rrezikut të kundërpërgjigjes. Kjo botë ka përfunduar. E reja karakterizohet nga cenueshmëri e ndërsjellë, kërkim i vazhdueshëm për ndikim dhe frikë e vazhdueshme nga ekspozimi.

Lufta në Iran tregoi se edhe fuqitë më të vogla mund të shkaktojnë pasoja të mëdha ekonomike globale duke shfrytëzuar “pikat e ngushta”. Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit në ditët e para të konfliktit rriti ndjeshëm çmimet e energjisë dhe detyroi Uashingtonin të ndryshojë objektivat e luftës. Ajo tregoi gjithashtu se kundërshtarët mund të kombinojnë luftën ekonomike me atë ushtarake, duke përdorur mjete si dronët dhe raketat për të ndikuar në sjelljen e kompanive private.

Në këtë realitet të ri, SHBA duhet të rishikojë qasjen e saj. Duhet të mësojë të përdorë fuqinë ekonomike pa dëmtuar bazat e saj, të forcojë dobësitë pa sakrifikuar rritjen dhe të menaxhojë përshkallëzimin me rivalët duke bashkëpunuar me aleatët. Përndryshe, rrezikon të përballet me një rend të ri ekonomik më pak të favorshëm për interesat e saj.

Anatomia e një “pike të ngushtë”

Hapi i parë është identifikimi i pikave të ngushta, zonat e ekonomisë globale më të ndjeshme ndaj përdorimit si armë. Jo çdo varësi ekonomike përbën një pikë të tillë. Një pikë e vërtetë e ngushtë ka tre karakteristika: dominim të përqendruar të tregut nga një vend ose aleancë, mungesë zëvendësuesish në afat të shkurtër dhe aftësi për të shkaktuar dëme të pabarabarta ndaj kundërshtarit.

Shembuj përfshijnë rolin dominues të dollarit në transaksionet globale, kontrollin amerikan mbi teknologjitë e avancuara të gjysmëpërçuesve dhe dominimin e Kinës në përpunimin e mineraleve të rralla. Në këto raste, nuk bëhet fjalë vetëm për udhëheqje në treg, por për pozita afër monopoliste.

Megjithatë, jo çdo avantazh mund të përdoret si armë. Tarifat amerikane, për shembull, shpesh nuk kanë arritur të detyrojnë vendet e tjera të ndryshojnë sjellje, pasi tregu amerikan përbën vetëm rreth 13% të importeve globale.

Analiza vijon duke theksuar se lufta ekonomike kërkon objektiva të qarta, qoftë për të sinjalizuar, për të dobësuar kundërshtarin apo për ta detyruar atë të ndryshojë politika. Pa këtë qartësi, strategjitë mund të jenë kontradiktore dhe joefektive.

Në të njëjtën kohë, përdorimi i shpeshtë i mjeteve ekonomike si armë nxit vendet e tjera të ndërtojnë alternativa, duke dobësuar gradualisht ndikimin e atij që i përdor. Për këtë arsye, koordinimi me aleatët dhe përdorimi i kujdesshëm i këtyre instrumenteve është thelbësor.

Rendi i ri ekonomik nuk po ndërtohet përmes marrëveshjeve ndërkombëtare, por përmes veprimeve të njëanshme, sanksioneve, tarifave dhe politikave industriale. Rreziku më i madh nuk është ndarja në blloqe, por fragmentimi i çrregullt i ekonomisë globale. Një qasje e koordinuar midis SHBA-së dhe aleatëve të saj shihet si mënyra më efektive për të ruajtur stabilitetin dhe prosperitetin. /Përshtatur nga ForeignAffairs/

 

rendi i ri global lufta ekonomike globalizmi

Lini një Përgjigje