
Të paktën 2 000 fëmijë në Gaza kanë humbur jetën që nga nisja e luftës me Izraelin.
Tashmë, agjencitë që ndodhen në terren duke u ardhur në ndihmë civilëve po bëjnë thirrje për armëpushim, pasi sipas mjekëve, nëse Izraeli bën bllokadë ndaj karburantit, shumë foshnja dhe të pacientë të tjerë në spitale mund të vdesin.
“Të paktën 2,000 fëmijë janë vrarë në Gaza gjatë 17 ditëve të fundit dhe 27 të tjerë janë vrarë në Bregun Perëndimor. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të mbrojtur jetët e fëmijëve dhe komunitetit ndërkombëtar që t’i mbështesë ato përpjekje”, tha Save the Children, duke shtuar se sulmet ajrore izraelite po “vrasin dhe plagosin fëmijë”.
Izraeli ka intensifikuar fushatën e bombardimeve në brezin e rrethuar, ndërsa ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant deklaroi të hënën se vendi po përgatitet për një operacion mbi grupin militant Hamas që kontrollon Gazën nga “ajri, toka dhe deti”.
Udhëheqja izraelite është zotuar të zhdukë Hamasin në përgjigje të sulmeve terroriste vdekjeprurëse të 7 tetorit kur edhe u morën peng qindra qytetarë.
Karburanti është një litar shpëtimi
Karburanti do të thotë jetë në Gaza. Pa karburant, uji nuk mund të pompohet dhe gjeneratorët që furnizojnë spitalet, që mbajnë në punë inkubatorët, ventilatorët dhe makineritë e dializës dhe për të sterilizuar pajisjet kirurgjikale, do të fiken.
12 spitale dhe 32 qendra mjekësore janë jashtë shërbimit pas sulmeve izraelite, sipas ministrisë palestineze të shëndetësisë në Gaza.
Pavarësisht urgjencës, asnjë kamion me karburant nuk ka hyrë në Gaza si pjesë e një kolone ndihme humanitare nga pika kufitare e Egjiptit Rafah gjatë fundjavës, sipas autoriteteve izraelite dhe të OKB-së.
Lini një Përgjigje