
Libri i një të riu që tregon mafien e drogës në Marsejë, po trondit Francën. Dy vëllezër të vrarë, i dyti për hakmarrje. Presidenti Makron akuzon borgjezinë për ushqimin e bandave algjeriane. Tregtari, shpërndarësi i drogës, është bërë përgjigja aty ku shteti është tërhequr, ku mjekësia publike nuk ekziston më, ku struktura shoqërore e shoqatave është çmontuar në mënyrë progresive...
Shiko Marsejën dhe pastaj vdis! Mund të vdesësh nga magjia, nga bukuria verbuese e detit dhe drita që buron nga Vieux Port (Porti i Vjetër). Por mund të vdesësh edhe nga droga, sepse këtu ndodhet tregu më i madh i narkotikëve në Evropë: aty ka kokainë për punë, për një dalje në mbrëmje, kanabis për relaksim, MDMA për seks dhe benzodiazepinë për të përballuar jetën e përditshme.
Mund të vdesësh nga plumbat, si nga ato të shënjestruara enkas ashtu edhe plumbat qorr. Stacionet e policisë nëpër lagje janë të mbyllura, trafikantët e drogës, shumë të rinj në moshë, kanë zëvendësuar agjentët që menaxhonin trafikun, të dominuar nga bosët, gati të gjithë me origjinë algjeriane, të cilët kultivojnë ëndrra lavdie duke e quajtur veten Vito Korleone ose Pablo Eskobar.
Klani kriminal marsejez është duke sjellë atë që quhet “meksikanizim” të qytetit të dytë më të madh të Francës. Presidenti Emanuel Makron, po e shpall trafikimin e drogës një emergjencë kombëtare, dhe në të njëjtën kohë po sulmon “borgjezët e qendrës së qytetit”, pra elitën e qendrave të qyteteve (të cilët supozohet se janë zemra e elektoratit të tij): “Nuk mund të kemi një debat të vërtetë mbi luftën ndaj trafikut të drogës, nëse harrojmë se tregu i drogës lulëzon sepse ka njerëz që blejnë dhe e përdorin atë...”.
Të shtunën që kaloi u mbajt një marshim proteste. Ai nisi nga vendi i vrasjes së fundit, Rond-Point Claude Darcy, në qendër të qytetit. Pikërisht atje, më 13 nëntor, në orën 14:30, 20-vjeçari, Medi Kesaçi, u vra me 6 plumba në shpinë dhe gjoks.
Ai nuk kishte precedentë penalë, absolutisht asgjë. Në fakt, ai po aplikonte për t’u bërë pjesë e policisë. Një vrasës me pagesë e vrau nga sedilja e pasagjerit të një skuteri. Ishte një akt prej profesionisti. Asnjë plumb nuk qëlloi më bosh, çdo plumb i gjetur në vendngjarje korrespondonte me një vrimë në trupin e të ngratit Medi.
E megjithatë, ishte një vrasje në dukje banale, duke pasur parasysh jetën e përditshme të Marsejës, ku deri në vitin 2023, sulme të ngjashme kryheshin të paktën një herë në javë. Në këto dy vite e pak, thuhet se lufta midis dy klaneve më të forta ka përfunduar në favor të Mafies DZ të udhëhequr nga algjeriani Medi Laribi, bosi i lagjeve veriore, dhe i njohur edhe me nofkën “Tik”.
Por nuk ka asgjë banale në vrasjen e të riu Kesaçi, sepse vëllai i tij 22-vjeçar, Amin Kesaçi, botoi një libër të jashtëzakonshëm më 2 tetor më titull “Marseille essuie des larmes” (Marsejë, thaji lotët), me nëntitull: Të jetosh dhe të vdesësh në Tokën e Narkomafies.
Një denoncim pasionant dhe i zëshëm nga një i ri i përkushtuar, që e ka pësuar rëndë mungesën e sigurisë në Marsejë: në vitin 2020, u vra vëllai i tij më i madh, Brahim, të cilit i dedikohet libri. Amini ishte vetëm 17 vjeç në atë kohë, dhe ishte rritur si vëllezërit e motrat e tij në lagjen Frais-Vallon.
Familja e tij është algjeriane, Babai i tij Oran, nëna e tij Uasila, u martuan me shkesi siç është ende zakon në këtë komunitet. E tyrja është një lidhje familjare e favorizuar nga marrëdhënia e veçantë midis Francës dhe kolonisë së saj më emblematike.
Familja ka dy vajza të tjera, më e madhja një ushtarake në karrierë. Janë njerëz të mirë, punëtorë. Babai i tyre ka punuar gjithë jetën në ndërtim, ndërsa nëna e tyre drejton e vetme një restorant. Fëmijët ndoqën shkollën e mesme në një zonë tjetër më të qetë.
E vetmja “dele e zezë” ishte Brahimi”, problematik që kur ishte adoleshent, i arrestuar disa herë nga policia. Tërheqja nga jeta si trafikant droge, vazhdoi deri në epilogun e shkruar tashmë: një larje hesapesh, me trupin e djegur në makinën e braktisur.
Në botën e egër të Marsejës, është një praktikë e quajtur “barbeky”. Brahimi ishte 22 vjeç, në të njëjtën moshë që ka sot Amini. Por ai dhe nëna e tij, refuzojnë të pranojnë fatin e familjeve të tilla, të mësuara të ulin kokën, në një gjendje shpirtërore ku dhimbja përzihet me turpin dhe sigurisht edhe me frikën.
Amin themeloi një shoqatë për t’i dhënë zë viktimave të padukshme të kësaj masakre. Shoqata, e quajtur “Ndërgjegja”, e ka qendrën në një shkollë të braktisur në Frais-Vallon, lagjja ku jetojnë, dhe gradualisht po bën bashkë nënat “jetime” të fëmijëve të tyre.
Historia e këtyre 5 viteve të fundit, alternohet midis dhimbjes dhe angazhimit. Por ato ecin përpara. Në qytete të tjera anembanë Francës, po aktivizohen “antenat” mbi këtë lëvizje, sepse trafiku i drogës është një “parazit” i pandalshëm, një fatkeqësi, një epidemi për të cilën nuk ka vaksinë.
Libri i Aminit bëri bujë menjëherë. Është një akuzë e fuqishme që pasqyron vendosmërinë e admirueshme të këtij të riu. Në YouTube, ka edhe imazhe të një takimi plot respekt midis Amin dhe presidentit Makron gjatë një vizite në Marsejë 5 vjet më parë.
Pas vrasjes së Mediut, presidenti e telefonoi Aminit. Por jemi sërish tek formalitetet e zakonshme të protokollit, takimet e ministrave, nënsekretarëve, prefektëve dhe nënprefektëve. Zemërimi është ndaj borgjezisë dhe fëmijëve të tyre, që rreshtohen mbrëmjeve për t’u furnizuar tek tregtarët e drogës.
Një biznes me vlerë 500.000 euro në ditë, sipas llogaritjeve të një libri tjetër të botuar së fundmi, Inside DZ Mafia, nga gazetar veteran i kronikës së zezë në Marsejë, Zhan-Mishel Vern. Ndërkohë, mbetet realiteti i zymtë lagjeve, siç përshkruhet nga Amin: Prej 40 vjetësh, shërbimet publike janë çmontuar në emër të kursimit buxhetor, mirëqenia është transformuar në një produkt për t’u shitur, lidhjet shoqërore janë bërë një kosto dhe dëgjimi i qytetarëve një luks.
Më të prekshmit janë lënë në mëshirë të fatit, dhe në këtë boshllëk, drogat janë të shumëpërhapura: ato qetësojnë, të japin energji, ato të shpërqendrojnë, ato e lejojnë cilindo që të përballet me jetën e përditshme. Tregtari, shpërndarësi i drogës, është bërë përgjigja aty ku shteti është tërhequr, ku mjekësia publike nuk ekziston më, ku struktura shoqërore e shoqatave është çmontuar në mënyrë progresive. Trafikimi i drogës është fitimprurës sepse bota është bërë e pajetueshme”.
Vetëm 40 ditë pas botimit të librit të tij, mafia e Marsejës iu përgjigj Aminit duke i vrarë vëllain e tij më të vogël dhe të pafajshëm, atë që ndër të tjera nuk ishte dhe aq i përfshirë në ato që bënte Amini. Në një intervistë që mund të gjendet edhe në YouTube, Mediu kishte shprehur atë që tani duket si një profeci dramatike: “Marseja është bërë nga gjaku!”. Por Amini nuk tërhiqet. “Nuk do të ma mbyllin dot gojën!” shkroi në një artikull në “Le Monde”./Përgatiti Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje