
Heshtja elektorale në Mal të Zi ka nisur. Fushata kaloi qetë, por në prag të zgjedhjeve ka pasur alarme për bomba dhe gaz nervash si dhe mesazhe kërcënuese në 125 adresa.
Mali i Zi nga mesnata hyri në heshtje zgjedhore para zgjedhjeve parlamentare, të cilat do të mbahen të dielën më 11 qershor. Të drejtë vote në këto zgjedhje, të tretat në ciklin zgjedhor brenda 9 muajve në Mal të Zi, kanë 542.468 votues që do të përcaktohen midis 15 listave zgjedhore. Këto janë zgjedhjet e dymbëdhjeta parlamentare që nga vendosja e pluralizmit në Mal të Zi. Partia Demokratike e Socialistave (PDS) për të parën herë hyn në zgjedhje pa liderin e saj Millo Gjukanoviç, i cili pas tri dekadash është tërhequr si lider i partisë, pasi në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale humbi zgjedhjet kundrejt rivalit nga Lëvizja Evropa Tani, Jakov Millatoviç.
Partitë në sondazhe
Në zgjedhjet e së dielës për të parën herë ka hyrë në garë lëvizja “Evropa Tani”, e cila sipas hulumtimeve ka përkrahjen më të madhe të qytetarëve. Gjithnjë sipas sondazheve të bëra e dyta për nga numri i përkrahësve është “Partia Demokratike e Socialistave” (PDS). Lëvizjen “Evropa Tani” e krijuan ish-ministrat e qeverisë së Zdravko Krivokapiç, Millojko Spajiç dhe presidenti aktual, Jakov Millatoviç. Të dy këta, njëri në postin e ministrit të Financave dhe tjetri në postin e ministrit të Ekonomisë mbahen mend nga opinion sepse realizuan programin “Evropa Tani 1” që nënkuptoi rritjen e pagave dhe të pensioneve dhe për këtë arsye menjëherë gëzuan popullaritet dhe admirim të jashtëzakonshëm në radhët e qytetarëve të Malit të Zi.
Në këtë fushatë kjo lëvizje u prezantua me programin “Evropa 2”, e cila po ashtu parasheh rritjen e pagave, pensioneve, mirëqenien e përgjithshme dhe anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian (BE). Edhe pse kjo lëvizje ka kuota të larta në sondazhe, vështirë se ajo do të mund ta formojë vetë qeverinë e re që të jetë e qëndrueshme me detyra prioritare, e ta nxjerrë vendin nga kriza shumëvjeçare politike dhe ekonomike dhe të vazhdojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Dy ditë para zgjedhjeve, Mali i Zi është përballur me mesazhe kërcënuese për vendosjen e lëndëve plasëse dhe bombolave helmuese në disa institucione shtetërore. Pjesë e institucioneve që janë kërcënuar janë shkollat, institucionet parashkollore, godina gjykatash, prokurori, disa ministri, Agjencia e Sigurisë Kombëtare. Kërcënimet që erdhën përmes e-maileve, bën që policia të evakuojë dhe të mbyllë të gjitha institucionet parashkollore dhe shkollore, godinat e gjykatave, prokuroritë, disa ministri, Agjencinë e Sigurisë Kombëtare në pesë qytete të Malit të Zi.