TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Korrik 2025, 10:14

Marrëveshja BE–SHBA, Meloni e lumtur me Trump: Tani presim vetëm detajet

Shkruar nga Pamfleti
Marrëveshja BE–SHBA, Meloni e lumtur me Trump: Tani presim vetëm
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe Trump

Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e pyetur nga gazetarët gjatë një vizite në Addis Abeba të Etiopisë, deklaroi se e konsideron pozitive marrëveshjen tregtare të arritur mes Bashkimit Europian dhe Shteteve të Bashkuara për tarifat doganore, por theksoi se nuk mund të japë një vlerësim të plotë pa parë detajet e saj.

“Në parim, është një zhvillim pozitiv që u arrit një marrëveshje mes BE-së dhe SHBA-së për çështjen e tarifave,” tha Meloni, “por për momentin nuk mund të shprehem për përmbajtjen e saj, pasi nuk i kam parë ende detajet.”

Burime nga qeveria italiane bënë me dije më herët se objektivi kryesor i Italisë ishte që të zgjerohej lista e produkteve dhe sektorëve që do të përjashtohen nga tarifat, me theks të veçantë te moda, eksportet e ushqimeve dhe pjesët mekanike.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka arritur një marrëveshje tregtare me Bashkimin Europian pas një takimi të shkurtër me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Njoftimi u bë publik nga vetë presidenti amerikan gjatë një prononcimi për mediat nga resorti i tij i golfit në Turnberry, Skoci.

“Kemi arritur një marrëveshje. Është një marrëveshje e mirë për të gjithë”, deklaroi Trump për gazetarët. Ai shtoi se kjo marrëveshje do të forcojë marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, duke e përshkruar atë si një “partneritet, në një farë kuptimi”.

Nga ana tjetër, Ursula von der Leyen e cilësoi atë si një “marrëveshje e madhe”, duke theksuar se u arrit pas “negociatave të vështira”. Ajo nuk dha detaje të mëtejshme, por theksoi rëndësinë strategjike të këtij hapi për të dyja palët.

Marrëveshja vjen në një moment delikat për ekonominë globale dhe për marrëdhëniet transatlantike, duke sinjalizuar një hap drejt bashkëpunimit më të ngushtë ekonomik mes dy prej blloqeve më të fuqishme në botë.

Nuk janë publikuar ende detajet e plota të marrëveshjes, por burime nga të dyja palët konfirmojnë se ajo përfshin lehtësime tarifore dhe bashkëpunim në fusha të caktuara strategjike. Palët pritet të zhvillojnë konferenca të mëtejshme për të bërë të ditura specifikat e marrëveshjes dhe hapat që do të ndjekin më tej.

marrëveshja be–shba për tarifat tregtare

Lini një Përgjigje