Bota25 Qershor 2024, 16:22

Masakra në Dagestan: Rebelimi dhe radikalizmi islamik, sfidë serioze për Moskën pas luftës në Ukrainë

Shkruar nga Fulvio Scaglione

Masakra në Dagestan: Rebelimi dhe radikalizmi islamik, sfidë serioze

Mjafton një fakt për të treguar se sa rrënjë të thella ka ky problem: në mesin e komandove që sulmuan të dielën dy qytetet kryesore të Dagestanit, kryeqytetin Makhachkala dhe Derbent, ishin edhe dy djemtë dhe një nipi i Magomed Omarov, guvernator i njërit prej qarqeve të republikës.

Pra në të gjitha aspektet një zyrtar i Federatës Ruse. Ata të tre, dhe një numër ende i panjohur terroristësh islamikë, sulmuan befas patrullat e policisë, një kishë dhe dy sinagoga. Kleriku ortodoks, At Nikolaj Kotelnikov, u vra në Derbent (sipas disa burimeve iu pre fyti), së bashku me 15 policë dhe 4 civilë.

Gjashtë terroristë u eliminuan, dy të tjerë u arrestuan të nesërmen në mëngjes, teksa po përpiqeshin të fshiheshin midis njerëzve në një plazh, ndërsa të tjerët janë ende janë në arrati.

Një nga videot e publikuara nga vetë terroristët në internet, e cila tregon një re tymi që ngrihet nga brenda njërës prej sinagogave të sulmuara, shoqërohet me regjistrimin e një telefonate në të cilën një pjesëtar i komandos, lavdëron Allahun duke thënë:”Sinagogat dhe kishat e tyre po digjen më në fund. Ne shpresojmë t’i poshtërojmë dhe eliminojmë të gjithë jobesimtarët!”. Zhargoni është tipik për lëvizjet e armatosura islamike, por është e vështirë të identifikon me saktësi arsyet e këtij akti. Gjithsesi, është më se e qartë se edhe ky sulm duhet të kategorizohet në të njëjtin grup me masakrën në Crocus City Hall në Moskë në muajin mars (me 142 të vdekur), dhe episodet e panumërta, të cilat muajt e fundit janë shoqëruar nga përleshje të armatosura dhe viktima, si në mesin e forcave të policisë ashtu edhe në mesin e terroristëve në zonat të ndryshme të Kaukazit.

Masakra në Dagestan: Rebelimi dhe radikalizmi islamik, sfidë serioze

S’ka dyshim se në Rusi është duke u zhvilluar një ofensivë islamike, e cila po përpiqet ndoshta të përfitojë nga angazhimi ushtarak rus në Ukrainë, për të prishur një ekuilibër fuqie që ka qenë historikisht i brishtë në Kaukaz. Për këtë arsye, ne priremi zakonisht ta vëmë në dyshim Shtetin Islamik të Khorasanit (Isis-K), i themeluar në vitin 2015 si një degë “lokale” e Shtetit Islamik të pseudo-kalifit Al-Baghdadi, pesha e të cilit u rrit pas humbjes përfundimtare të ISIS në vitin 2019.

Tashmë ai përgjegjës për masakrën e Crocus Cityr Hall dhe sulme të tjera të përgjakshme. Në fakt sipas modelit të ISIS, ISIS-K synon të krijojë një kalifat të ri në Azinë Qendrore dhe Kaukaz. Ai e ka selinë ë veri-lindje të Afganistanit, në zonën ku ky vend kufizohet me Pakistanin, Kinën dhe Taxhikistanin.

Ndaj në sulmet e saj, përdor kryesisht shtetas të vendeve të Azisë Qendrore, të cilët e kanë më të lehtë të udhëtojnë jashtë vendit. Terrroristët e Crocus City Hall ishin taxhikë. Ndërkohë kamikazët që vranë 80 njerëz në janar të këtij vitit në Kerman të Iranit, gjatë ceremonisë përkujtimore për gjeneralin e ndjerë iranian Qasem Suleimani ishin gjithashtu taxhikë.

Më së afërmi në kohë, goditja e parë e madhe ndaj Rusisë, ishte ndoshta sulmi vetëvrasës me bombë në ambasadën ruse në Kabul të Afganistanit në vitin 2022. Por thënë këtë, nuk duhet të përziejmë gjithçka.

Sepse për shembull, sulmuesit taxhikë të Crocus City Hall, ishin të punësuar enkas për këtë rast, një grup kasapësh që do të dërgoheshin si mish për top. Ata u kapën menjëherë pas masakrës. Ndërkaq, komandot që sulmuan në Dagestan, ishin me sa duket të një niveli shumë të ndryshëm. Kjo tregohet nga pjesëmarrja e pasardhësve të burokracisë së lartë lokale e lidhur me Moskën, por edhe nga fakti se sulmi përfshinte edhe një rrugë arratisje, atë që në fakt më vonë u përdor nga një numër i papërcaktuar terroristësh.

Pra jo të gjitha sulmet janë të njëjta, madje as të gjithë sulmuesit. Ashtu si në rastin e sulmit të rëndë terrorist në Crocus City Hall në periferi të Moskës, autoritetet ruse po akuzojnë Ukrainën, SHBA-në dhe Perëndimin në përgjithësi. Natyrisht, ukrainasit i hedhin poshtë këto akuza, ndërsa mediat evropiane tallen me Kremlinin.

Sigurisht, nuk do të ishte hera e parë që dikush financon lëvizje të armatosura, të cilat sulmojnë armiqtë e Perëndimit (kurdët në Siri dhe muxhahedinët në Iran), dhe dihet mirë se vendet e lidhura fort me SHBA-në, si Arabia Saudite dhe Katari, mbështetën në vitet 1990 pavarësinë e Çeçenisë dhe rilindjen me çdo mënyrë të Islamit në Kaukaz.

Megjithatë, duhet thënë se në rastet e fundit, nuk ka asnjë provë të asaj që pretendojnë liderët rusë të afërt me Vladimir Putinin. Ndaj teza e tyre duhet të trajtohet, të paktën për momentin, më së shumti si një hipotezë. Gjithsesi është e vërtetë, se trazirat në Kaukaz janë një problem me rrënjë të thella, të cilin Rusia nuk ka arritur ta zgjidhë kurrë realisht.

Kjo dihet veçanërisht në lidhje me Çeçeninë, por Dagestani (“vendi i maleve”), është një pjesë integrale e saj. Përveç sulmeve ndaj patrullave të policisë, nuk mund të harrohet tentativa për një pogrom antisemit në tetor 2023, kur qindra njerëz pushtuan aeroportin e Makhachkala për të goditur hebrenjtë rusë që po riatdhesoheshin nga Izraeli pas masakrës nga Hamasi më 7 tetor.

Akoma më tej:në gushtin e vitit 1999, një ushtri e vogël e militantëve islamikë pro-pavarësisë, të udhëhequr nga Shamil Basaev, Ibn al-Khattab (një komandant saudit), Ramzan Akhmadov dhe Arby Baraev, pushtuan Dagestanin, duke shpallur krijimin e Shtetit Islamik.

Disa ditë më vonë, një garnizon i vogël rus i përbërë nga rekrutë dhe një oficer, u sulmua në postën kufitare Tukchar. Pas një rezistence të shkurtër, të paktë në numër dhe të mbetur pa municion, ushtarët rusë u përpoqën të fshiheshin me ndihmën e popullatës. Pasi u zbuluan, u bindën të dorëzoheshin me premtimin e shkëmbimit me një grup të burgosurish guerilë të mbajtur nga rusët.

Në fakt, pasi u kapën, u vranë që të gjithë me prerje fyti. Më i riu ishte 19 vjeç. Historia e “masakrës së Tukchar-it”, e mirë-njohur për të gjithë rusët, është vetëm një nga ngjarjet e shumta që tregojnë urrejtjen dhe pakënaqësinë e madhe që gjallon ende midis një pjese të popullatave kaukaziane dhe pushtetit të përfaqësuar nga Moska. Një “karburant”, që nuk kërkon shumë për të marrë flakë./Përshtati Pamfleti nga “Il Giornale”

dagestan masakra radikalizmi moska