Shpenzimet ushtarake globale kanë arritur një nivel rekord në vitin 2025, duke reflektuar një botë gjithnjë e më të pasigurt dhe të përfshirë në konflikte.
Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm, SIPRI, rritja e vazhdueshme e armatimeve po ndikohet drejtpërdrejt nga luftërat dhe tensionet gjeopolitike.
Bota ka shpenzuar plot 2 trilionë e 887 miliardë dollarë për ushtritë gjatë vitit 2025, një rritje prej 2.9 % krahasuar me një vit më parë. Ky është viti i njëmbëdhjetë radhazi me rritje të shpenzimeve ushtarake globale, duke e çuar barrën ushtarake në 2.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto global, niveli më i lartë që nga viti 2009.
Megjithëse ritmi i rritjes është ngadalësuar krahasuar me vitin 2024, kur u regjistrua një rritje prej 9.7%, kjo rënie shpjegohet kryesisht nga ulja e shpenzimeve të Shteteve të Bashkuara.
Në pjesën tjetër të botës, shpenzimet janë rritur ndjeshëm me mbi 9%.
Ekspertët theksojnë se rritja e vazhdueshme lidhet drejtpërdrejt me konfliktet e hapura dhe tensionet ndërkombëtare. Shtetet po investojnë më shumë në armatim dhe mbrojtje, si përgjigje ndaj pasigurive globale dhe objektivave afatgjata strategjike.
Trinomi SHBA-Kinë-Rusi
Shtetet e Bashkuara mbeten arsenali më i madh ushtarak në botë, me 954 miliardë dollar për shpenzimet për mbrojtjen, megjithëse kjo shifër shënon një rënie prej 7.5%. Arsyeja kryesore është mungesa e paketave të reja të ndihmës ushtarake për Ukrainën gjatë vitit 2025.
Megjithatë, SHBA ka rritur investimet në kapacitete bërthamore dhe konvencionale, me fokus në ruajtjen e dominimit global dhe frenimin e Kinës në rajonin Indo-Paqësor. Parashikimet tregojnë se kjo rënie do të jetë e përkohshme, pasi buxheti për vitin 2026 pritet të kalojë 1 trilion dollarë.
Ndërkohë, tre fuqitë kryesore, SHBA, Kina dhe Rusia, përbëjnë së bashku 51% të shpenzimeve globale ushtarake, me një total prej 1 trilion e 480 miliardë dollarësh.
Europa
Rritja më e madhe është regjistruar në Evropë, ku shpenzimet janë rritur me 14%, duke arritur në 864 miliardë dollarë. Kjo rritje lidhet ngushtë me luftën në Ukrainë dhe përpjekjet për riarmatim të vendeve evropiane.
Rusia ka rritur shpenzimet në 190 miliardë dollarë, ndërsa Ukraina i ka çuar ato në 84.1 miliardë dollarë, që përbën rreth 40% të ekonomisë së saj, një nivel jashtëzakonisht i lartë.
Edhe vendet anëtare të NATO-s në Evropë kanë rritur ndjeshëm buxhetet ushtarake. Gjermania shënon një rritje prej 24%, duke kaluar për herë të parë që nga viti 1990 pragun prej 2 për qind të PBB-së. Ndërsa Spanja ka regjistruar një rritje edhe më të fortë, prej 50%.
Ekspertët paralajmërojnë se rritja e shpejtë e shpenzimeve për mbrojtjen, mund të ndikojë në transparencën financiare, pasi kufijtë mes shpenzimeve ushtarake dhe atyre të sigurisë po bëhen gjithnjë e më të paqartë.
Lindja e Mesme
Në Lindjen e Mesme, shpenzimet mbeten relativisht të qëndrueshme, me një total prej 218 miliardë dollarësh. Izraeli ka ulur shpenzimet pas uljes së intensitetit të konfliktit në Gaza, ndërsa Turqia ka rritur buxhetin ushtarak për shkak të operacioneve në disa rajone.
Irani, nga ana tjetër, ka shënuar rënie të shpenzimeve në terma realë, për shkak të inflacionitt të lartë, megjithëse vlerësohet se shpenzimet reale mund të jenë më të larta se ato të deklaruara.
Azia
Rajoni i Azisë dhe Oqeanisë ka regjistruar rritjen më të shpejtë që nga viti 2009, me një rritje prej 8.1 për qind, duke arritur në 681 miliardë dollarë.
Kina vazhdon të rrisë shpenzimet për mbrojtjen, me një buxhet prej 336 miliardë dollarësh, ndërsa Japonia dhe Tajvani kanë rritur ndjeshëm shpenzimet për shkak të tensioneve në rritje me Kinën.
Aleatët e SHBA-së në rajon, përfshirë Australinë dhe Filipinet, po rrisin gjithashtu buxhetet ushtarake, mes pasigurive për mbështetjen amerikane në të ardhmen.
Në nivel global, edhe vende të tjera kanë rritur ndjeshëm shpenzimet. India dhe Pakistani vijojnë garën ushtarake, ndërsa Arabia Saudite mbetet një nga shpenzuesit më të mëdhenj në botë.
Në Afrikë, rritja është nxitur nga konfliktet e brendshme dhe kërcënimet terroriste, me Nigerinë që ka shënuar një rritje prej 55 për qind.
Rritja e vazhdueshme e shpenzimeve ushtarake tregon një prirje të qartë drejt militarizimit global, në një kohë kur tensionet ndërkombëtare mbeten të larta. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse konfliktet vazhdojnë, kjo tendencë pritet të thellohet edhe më tej në vitet e ardhshme.
Lini një Përgjigje