Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e përshkroi takimin e sotëm të ministrave të Mbrojtjes në Bruksel si ndryshe nga çdo takim tjetër i NATO-s ku kishte marrë pjesë.
Rutte theksoi se ka qenë pjesë e shumë takimeve që nga viti 2010, por shtoi se këtë herë ka vërejtur një ndryshim të dukshëm. Ai u tha gazetarëve se diskutimet u përqendruan në forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes, si dhe në vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën, tema që, sipas tij, kanë qenë të pranishme vazhdimisht në axhendën e aleancës. Megjithatë, Rutte theksoi se këtë herë situata paraqet një element të ri.
“Pashë prova për diçka tjetër… një ndryshim të vërtetë në mendësi. Një mbrojtje shumë më të fortë evropiane brenda NATO-s. Të gjithë rreth tryezës kishin ndjenjën e urgjencës dhe përgjegjësisë për mënyrën se si po bashkëpunojmë për parandalimin dhe mbrojtjen”, deklaroi ai.
I pyetur pse mungesa e zyrtarit amerikan Pete Hegseth nuk tregon një ndryshim prioritetesh nga Uashingtoni dhe se si do të dukej një NATO me drejtim më evropian, Rutte u përgjigj se nuk sheh arsye për shqetësim.
“Nuk dua t’i bëj kundërshtarët tanë më të mençur duke hyrë në të gjitha detajet, por para së gjithash, Pete Hegseth dhe unë kemi një marrëdhënie shumë të mirë… ka bashkëpunim të ngushtë. Duhet të kuptoni se SHBA është vendi më i madh në botë, me ushtrinë më të fuqishme… ata janë plotësisht të angazhuar në NATO, janë të ankoruar në NATO. Nuk shqetësohem nëse zyrtarë të lartë amerikanë duhet të merren me çështje në hemisferën e tyre,” tha ai.
Sa i përket një NATO-je me rol më të theksuar evropian, Rutte u bëri thirrje vendeve evropiane të rrisin shpenzimet për mbrojtjen.
“Ajo që shoh sot është se kjo jo vetëm që po ndodh, por edhe ndryshimi i mendësisë që është thelbësor për ta bërë këtë të qëndrueshme, është i pranishëm në sallë”, shtoi Rutte.
Lini një Përgjigje