
Dhjetëra mijëra automjete po eksportohen nga Kina drejt Rusisë, duke anashkaluar sanksionet e vendosura nga qeveritë perëndimore dhe aziatike, si edhe zotimet e prodhuesve për t’u tërhequr nga tregu rus pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Kështu rezulton nga të dhënat e regjistrimit të analizuara nga “Reuters” dhe intervistat me persona të përfshirë në këtë tregti.
Sipas raportimit, tregtia përfshin marka të njohura si Toyota, Mazda, Mercedes, BMW dhe Volkswagen. Një pjesë e automjeteve prodhohen në Kinë nga partneritete mes markave ndërkombëtare dhe kompanive lokale, ndërsa të tjera kalojnë përmes territorit kinez pasi janë prodhuar në vende të tjera.
Skema e makinave “të përdorura” me zero kilometra
Një fenomen në rritje janë automjetet e reja që regjistrohen fillimisht si të shitura në Kinë dhe më pas ri-kategorizohen si “të përdorura” për t’u eksportuar. Kjo praktikë, e evidentuar edhe më parë nga Reuters, lidhet me tregun e subvencionuar dhe shumë konkurrues të makinave në Kinë, ku prodhuesit përfitojnë nga subvencionet dhe eksportojnë tepricat.
Në Rusi, këto automjete shiten me çmime të ngjashme me makinat e reja, edhe pse në Kinë tregtohen me zbritje të konsiderueshme.
Rritje e importeve nga Kina
Të dhënat e Autostat tregojnë se makinat e prodhuara në Kinë përbëjnë një pjesë në rritje të automjeteve perëndimore dhe japoneze të regjistruara në Rusi. Që nga viti 2023, numri i këtyre automjeteve është më shumë se dyfishuar. Ato përbëjnë rreth gjysmën e 130 mijë makinave të shitura në Rusi në vitin 2025 nga prodhues të vendeve që kanë vendosur sanksione.
Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, mbi 700 mijë automjete të markave të huaja janë shitur në Rusi.
Qëndrimi i prodhuesve dhe qeverive
Prodhuesit si Mercedes, BMW dhe Volkswagen kanë deklaruar se kanë ndaluar shitjet direkte në Rusi dhe se përpiqen të pengojnë eksportet e paautorizuara, por theksojnë se hetimi i shkeljeve është i ndërlikuar dhe kërkon kohë.
Autoritetet gjermane, japoneze dhe koreano-jugore kanë konfirmuar se zbatimi i sanksioneve monitorohet nga doganat dhe institucionet përkatëse, ndërsa kanë theksuar se po merren masa për të parandaluar shmangien e kontrolleve të eksportit. Nga ana tjetër, Ministria e Tregtisë e Kinës dhe ajo e Industrisë dhe Tregtisë e Rusisë nuk kanë komentuar mbi raportimet, por të dy vendet kanë deklaruar më herët se kundërshtojnë sanksionet e njëanshme.
Modelet luksoze në fokus
Mes modeleve të preferuara në tregun rus përmendet Mercedes G-Class, i prodhuar në Austri dhe me çmim rreth 120 mijë euro. Dokumente transporti të shqyrtuara nga Reuters tregojnë gjithashtu importe të SUV-ve luksozë si Mercedes GLC 300 dhe BMW X1 xDrive25i përmes Kinës.
Sipas analistëve, rritja e tregtisë mes Rusisë dhe Kinës në sektorin e makinave tregon se shumë automjete të importuara fillimisht në Kinë nga Europa përfundojnë më pas në tregun rus, përmes kanaleve indirekte.
Lini një Përgjigje