Trump i premton post të ri Grenellit, por ende nuk dihet se çfarë roli do të marrë dhe kur do të ndodhë ky emërim...
Bordi i besuarve të qendrës "Kennedy" votoi unanimisht të hënën për një plan që parashikon mbylljen e përkohshme të institucionit për dy vjet, në mënyrë që të realizohet një projekt i madh rinovimi me vlerë rreth 257 milionë dollarë, i mbështetur nga presidenti amerikan Donald Trump.
Në një deklaratë zyrtare, qendra kulturore njoftoi se projekti do të përfshijë një “rivitalizim të plotë” të kompleksit, i cili do të nisë pas festimeve të Ditës së Pavarësisë në korrik. Institucioni pritet të rihapet me një ceremoni të madhe pasi të përfundojnë punimet.
Sipas bordit, pezullimi i përkohshëm i aktiviteteve artistike do të mundësojë një proces më të shpejtë dhe më efikas të rinovimit, me synimin për ta kthyer Kennedy Center në një kompleks kulturor dhe argëtues të modernizuar për publikun amerikan.
Gjatë mbledhjes, Trump tha se mbyllja e përkohshme është mënyra më e mirë për të realizuar projektin.
“Mënyra më e mirë është ta mbyllim, ta bëjmë si duhet dhe pastaj ta rihapim me një inaugurim të madh. Kur të përfundojë, do të jetë shumë më i mirë se kur u ndërtua fillimisht”, deklaroi presidenti amerikan.
Në të njëjtin takim, Trump vlerësoi edhe punën e Richard Grenell, i cili ka mbikëqyrur institucionin gjatë vitit të fundit.
Presidenti reagoi gjithashtu ndaj raportimeve në media se Grenell ishte shkarkuar nga ky rol.
“U tha se ai u pushua nga puna. Ai nuk u pushua nga puna”, tha Trump, duke theksuar se angazhimi i Grenell ishte një detyrë e përkohshme për të ndihmuar stabilizimin e institucionit gjatë periudhës së tranzicionit.
“Falënderoj Rick Grenellin, bëre një punë të shkëlqyer dhe e vlerësoj shumë. Po shoh për detyrën tënde të ardhshme sepse kishte një histori që ai u shkarkua. Nuk u shkarkua. Ai ishte këtu për një kohë të shkurtër, për një vit. Dua ta falënderoj sepse është miku im prej shumë kohësh ka qenë i jashtëzakonshëm. Ai ishte ambasador në Gjermani, nuk kishte grua më të lumtur në botë se Angela Merkel. Më telefonoi dhe më tha: ‘faleminderit zotëri!’.
Edhe pse e pëlqente shumë Grenellin, nuk kishte njeri më të lumtur se ajo ku ai u largua nga detyra e tij si ambasador. Ai ishte i vështirë për ata. Ai nuk ishte ambasadori juaj tipik, ishte e kundërta. Ai bënte më të mirën për SHBA-në, jo për Gjermaninë. Dhe dua të them se bëri një punë të shkëlqyer, punë aq të shkëlqyer sa unë e vendosa në krye të inteligjencës amerikane. Ai nuk e kishte me dëshirë, por e bëri dhe e bëri shumë mirë”, tha presidenti amerikan.
Grenell njihet për afërsinë me Kosovën dhe Shqipërinë dhe miqësinë me Edi Ramën.
Projekti i rinovimit të Kennedy Center është pjesë e një sërë nismash ndërtimore dhe estetike të propozuara nga Trump në Uashington. Mes tyre përfshihet edhe plani për ndërtimin e një salle të madhe ceremoniale prej rreth 100 mijë metrash katrorë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe propozime për ndryshime arkitekturore në hapësirat përreth kompleksit presidencial dhe monumenteve kombëtare.
Me Kosoven jo, por me Serbine dhe Shqiperine, po!