Zyrtarë iranianë dhe llogari të lidhura me shtetin po përmendin Jeffrey Epstein në mesazhe në anglisht për të përhapur teori konspirative dhe për të përçarë opinionin publik në Perëndim.
Zyrtarët iranianë dhe llogaritë e lidhura me shtetin po përmendin skandalin e Jeffrey Epstein në postime në gjuhën angleze që synojnë audiencën amerikane, si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të nxitur narrativa konspirative dhe për të dobësuar mbështetjen për operacionet SHBA-Izrael. Kështu thanë ekspertë për The Jerusalem Post.
Sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, shkroi në një postim në anglisht në rrjetin X:
“Kam dëgjuar se anëtarët e mbetur të rrjetit të Epsteinit kanë sajuar një komplot për të krijuar një incident të ngjashëm me 11 shtatorin dhe për të fajësuar Iranin për të. Irani kundërshton në thelb skema të tilla terroriste dhe nuk ka luftë me popullin amerikan.”
Në një tjetër reagim ndaj Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth, Larijani shkroi:
“Zoti Hegseth! Udhëheqësit tanë kanë qenë dhe janë ende mes popullit. Po udhëheqësit tuaj? Në ishullin e Epsteinit!”
Sipas të dhënave të NetBlocks, ndërkohë që Irani përjeton ndërprerje të internetit që ka arritur ditën e 17-të dhe kufizime në disa platforma të mediave sociale, fakti që mesazhi i Larijanit ishte shkruar në anglisht dhe jo në persisht sugjeron se ai nuk kishte për qëllim publikun iranian.
Gazetari i Washington Post, Will Oremus, shkroi se mesazhe të tilla synojnë të dobësojnë mbështetjen për operacionet ushtarake SHBA-Izrael. Një vlerësim të ngjashëm dha për The Jerusalem Post edhe nënkoloneli në rezervë David Siman-Tov.
Siman-Tov, studiues i lartë në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare (INSS) dhe zëvendësdrejtor i Institutit për Kërkimin e Metodologjisë së Inteligjencës në Qendrën Përkujtimore të Komunitetit të Inteligjencës Izraelite, tha se Irani dëshiron të nxisë një “luftë” ose “debat” brenda Shteteve të Bashkuara mbi konfliktin.
Sipas tij, “lufta e informacionit” mund të jetë faktori vendimtar për rezultatin e konfliktit. Irani dhe SHBA mund të eliminojnë ose zëvendësojnë liderë, por rrjetet sociale mund të ndikojnë në momentin kur presidenti amerikan Donald Trump do të vendosë të ndalë konfliktin.
Pas monitorimit të fushatës iraniane të dezinformimit, Siman-Tov tha se nuk kishte vërejtur ndryshime të mëdha në llojin e mesazheve të shpërndara nga llogaritë zyrtare dhe ato të rreme, të ngjashme me ato që janë përdorur gjatë zgjedhjeve ose protestave.
“Në kujtim të viktimave të ishullit Epstein”
Ekspertë të tjerë besojnë se regjimi iranian po përpiqet të tërheqë teoricienët e konspiracionit dhe ata që janë të interesuar në çështjen Epstein, të cilët më pas mund të vazhdojnë të konsumojnë propagandën e Teheranit.
“Ka shumë përmbajtje që lidhet me Epsteinin që po publikohet për të tërhequr vëmendjen,” tha Bret Schafer nga Instituti për Dialog Strategjik për Washington Post. “Njerëzit vijnë për përmbajtjen mbi Epsteinin dhe qëndrojnë për propagandën.”
Sipas The Telegraph, media shtetërore iraniane dhe llogaritë pro-regjimit në rrjetet sociale shpërndanë edhe një imazh të manipuluar të një rakete me mbishkrimin në persisht: “Në kujtim të viktimave të ishullit të Epsteinit”.
Dr. Omer Yair, studiues në Shkollën Lauder të Qeverisjes, Diplomacisë dhe Strategjisë në Universitetin Reichman, tha për The Jerusalem Post se një pjesë e madhe e fushatës online të regjimit synon ta paraqesë Izraelin si një aktor imoral.
Pavarësisht faktit që mosha minimale për martesë në Iran është 13 vjeç, se ka raportime për dhunë seksuale ndaj grave në paraburgim dhe ligje të rrepta për veshjen dhe sjelljen e grave, regjimi iranian ka përdorur çështjen e trafikimit seksual të lidhur me Epsteinin për të përhapur narrativën se Izraeli është “pas gjithçkaje që është e keqe”.
Sipas Yair, duke e paraqitur Izraelin si një ndikim negativ në botë, Teherani mund të përpiqet të rrisë presionin që SHBA të ndërpresë bashkëpunimin në operacionet kundër Iranit dhe të reduktojë lidhjet me Izraelin.
Polemikat dhe vonesat në publikimin e dosjeve të Epstein, si dhe kërkesat për të mbajtur përgjegjës personat e përmendur në to, kanë rritur interesin publik për këtë çështje, shtoi ai.
Lini një Përgjigje