TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Nëntor 2025, 21:33

Militarizmi japonez dhe viktimizimi kinez, narrativat që po nxehin Lindjen e Largët!

Shkruar nga Pamfleti
Militarizmi japonez dhe viktimizimi kinez, narrativat që po nxehin Lindjen
Sanae Takaichi & Xi Jinping

Tokio–Pekin në prag përplasjeje: Si një fjali e Takaichi ndezi krizën më të rrezikshme në Azi

Nëse Kina do të dislokonte anije luftarake dhe do të përdorte forcën, kjo mund të konsiderohej një situatë që kërcënon mbijetesën e Japonisë”.

Me këtë deklaratë, dhënë si përgjigje për një bllokadë të mundshme kineze ndaj Tajvanit, kryeministrja japoneze Sanae Takaichi ndezi një nga krizat më të rënda diplomatike të viteve të fundit mes dy fuqive aziatike.

Reagimi i Pekinit ishte i ashpër dhe i menjëhershëm: mbi katërqind mijë vende në fluturimet turistike u anuluan, importet e produkteve të peshkut japonez u pezulluan, shpërndarja e filmave dhe përmbajtjeve kulturore u shty, ndërsa patrullimet rreth ishujve të kontestuar Diaoyu/Senkaku u shtuan ndjeshëm. Këto masa ndëshkuese u shoqëruan me kërkesë të drejtpërdrejtë për tërheqjen e deklaratës, të cilën Kina e konsideron shkelje të parimit të “Një Kine të Vetme”, por edhe me kërcënime të hapura, përfshirë atë të konsullit të përgjithshëm kinez në Osaka i cili në një postim nënvizoi se “nuk do të kishte zgjidhje tjetër përveçse t’i pritej ajo kokë e pistë pa asnjë hezitim”.

Deklarata e Takaichi thyen qëndrimin tradicional të Tokios, të karakterizuar prej dekadash nga një politikë e ashtuquajtur e “ambiguitetit strategjik” ndaj çështjes së Tajvanit, ku pranohet zyrtarisht parimi i “Një Kine”, por kundërshtohet çdo ndryshim i status quo-së me forcë. Duke e cilësuar një ndërhyrje të mundshme kineze si kërcënim ekzistencial, kryeministrja hapi diskutimin për një rol më aktiv të Forcave të Vetëmbrojtjes së Japonisë në një krizë të ardhshme, duke goditur një ndjeshmëri të brendshme të rëndësishme për Partinë Komuniste Kineze, për të cilën çështja e Tajvanit është pjesë themelore e identitetit politik dhe kombëtar.

Për Kinën, Tajvani nuk është thjesht një çështje territoriale. Pas themelimit të Republikës Popullore, forcat e Kuomintang-ut të mposhtura në luftën civile u strehuan në ishullin e Formosës, ndërsa ideja e ribashkimit u kthye në objektiv të pandryshueshëm të Partisë. Me ardhjen e Xi Jinping-ut, ky synim u bë pjesë e projektit ambicioz të “ringjalljes kombëtare”. Megjithatë, tensionet aktuale me Japoninë nuk burojnë vetëm nga Tajvani, por nga një përplasje e thellë e kujtesave historike.

Pas vdekjes së Mao Zedong-ut, traumat e Revolucionit Kulturor dhe dështimet ekonomike e detyruan Partinë të ndërtonte një narrativë të re legjitimiteti. Patriotizmi u vendos në qendër të edukimit shoqëror dhe u ndërlidh ngushtë me rimëkëmbjen ekonomike. Lufta e Dytë Botërore, e quajtur në Kinë “lufta e rezistencës kundër agresionit japonez”, u ripropozua si momenti themelor që justifikonte rolin e Partisë si mbrojtëse e kombit. Masakra e Nanjingut, skllavëria seksuale e “comfort women” dhe mizoritë e tjera të ushtrisë japoneze u shndërruan në elemente të pazëvendësueshme të identitetit kombëtar dhe instrumente të forta politike. Sipas kësaj logjike, çdo shenjë që vjen nga Japonia dhe që perceptohet si rikthim te militarizmi i së kaluarës, i jep Partisë Komuniste hapësirë të legjitimojë pozicionin e saj brenda vendit përmes një nacionalizmi reaktiv.

Nga ana tjetër, deklaratat e Takaichi-t rrënjosen në traditën e konservatorizmit japonez të pasluftës, i cili shpesh ka tentuar të minimizojë agresionin e Japonisë së epokës perandorake, duke e paraqitur si pjesë të klimës së dhunshme të shekullit të kaluar. Kjo qasje politike u mishërua më së shumti nga Shinzo Abe, i cili, gjatë mandateve të tij, kërkoi të çlirojë Japoninë nga kufizimet e epokës së pasluftës dhe t’i japë vendit një rol të plotë në skenën rajonale dhe globale. Ai e shihte rritjen e rolit të Forcave të Vetëmbrojtjes jo si kërcënim, por si shenjë të normalitetit sovran të shtetit japonez. Sanae Takaichi është trashëgimtare direkte e kësaj linje politike, e cila e konsideron Japoninë aktore kyçe në arkitekturën e sigurisë së Indo-Paqësorit.

Përplasja aktuale mes Pekinit dhe Tokios mbi Tajvanin është, në fakt, përplasja e dy narrativave të ndryshme për historinë dhe identitetin. Për Kinën, rikthimi i kujtimeve të dhimbshme të agresionit japonez forcon legjitimitetin e brendshëm dhe kërkon vigjilencë ndaj çdo sinjali të normalizimit ushtarak të Japonisë. Për Japoninë konservatore, dëshira për të kapërcyer “kompleksin e pasluftës” është bërë nxitës për të rimenduar rolin e saj si fuqi e pavarur në rajon.

Këto dy botëkuptime, të ushqyera nga memorie që shpesh nuk bien dakord as për faktet më bazike të së kaluarës, po përplasen tani në çështjen më delikate të Azisë Lindore. Siç tregon kjo krizë, pajtimi me historinë nuk është asnjëherë thjesht çështje akademike; është akt politik që formëson politikën e jashtme të sotme dhe, në këtë rast, të ardhmen e stabilitetit në Indo-Paqësor. /Përshtati “Pamfleti” nga “Inside Over”

1 Komente

  1. T
    Tony

    Gjaku i te pareve dhe e shkuara e hidhur nuk falet e sherri mes kafsheve njerez do shkoje ne pafundesi.

    Lini një Përgjigje