
Telefonata Zelensky-Kushner-Witkoff dhe keqkuptimi midis Ukrainës dhe SHBA-së...
Më 16 nëntor, dy ditë përpara se Axios të zbulonte “planin 28-pikësh” për paqen në Ukrainë, këshilltarët e Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ia kishin lexuar Zelensky-t rresht për rresht të gjithë dokumentin gjatë një bisede telefonike.
Më herët, Shtëpia e Bardhë kishte deklaruar se Rustem Umerov, këshilltari i sigurisë kombëtare i Zelensky-t, ishte informuar për këtë plan dhe madje kishte dhënë pëlqimin e tij, gjë që Umerov e mohoi publikisht. Axios kishte shkruar se Umerov ishte njoftuar vetëm “në vijat e përgjithshme”, ndërsa një takim i planifikuar mes Witkoff dhe Zelensky-t më 19 nëntor në Turqi, ku duhej diskutuar dokumenti në detaje, ishte anuluar pasi presidenti ukrainas nuk e kishte marrë seriozisht propozimin.
Tani Axios zbulon se Zelensky ka marrë pjesë personalisht në telefonatën e 16 nëntorit dhe se aty ndodhi një keqkuptim i madh: ukrainasit mendonin se ishte një shkëmbim idesh, ndërsa amerikanët e konsideronin si një propozim të mirëfilltë zyrtar. Pas anulimit të takimit të 19 nëntorit, pala amerikane nisi drejt Kievit Dan Driscoll, ministrin e Ushtrisë, më 20 nëntor për t’ia dorëzuar Zelensky-t draftin fizikisht. Presidenti ukrainas e pranoi dokumentin si bazë negociatash sepse në rrethana të tilla nuk kishte mundësi të refuzonte.
Historia e planit nis më 22 tetor, gjatë një fluturimi nga Lindja e Mesme drejt Miamit, ku Witkoff dhe Kushner filluan të diskutonin çështjen e Ukrainës. Po atë ditë, Trump vendosi për herë të parë sanksione të ashpra ndaj naftës ruse.
Më 25 dhe 26 tetor, Witkoff dhe Kushner u takuan për disa orë në Miami me Kirill Dmitriev, të dërguarin e Putin-it, njëkohësisht drejtues i fondit sovran rus. Dmitriev i tha Axios më 17 nëntor se kishin punuar për të hedhur në letër ato që Trump dhe Putin kishin biseduar në Alaskë. Por ishte një zyrtar amerikan, më 18 nëntor, ai që informoi Axios për ekzistencën e planit 28-pikësh dhe temat që ai mbulon: paqen në Ukrainë, garancitë e sigurisë, sigurinë evropiane dhe marrëdhëniet e ardhshme SHBA–Rusi–Ukrainë.
Edhe pse fillimisht Departamenti i Shtetit u tha evropianëve të shqetësuar se ky nuk ishte “plani i Trump”, sipas Axios, Trump, nënpresidenti i tij JD Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio ishin të informuar plotësisht. Në atë moment, presidenti amerikan kërkoi që Ukraina ta nënshkruante dokumentin para Ditës së Falënderimeve.
Ishte ide e JD Vance që të përfshihej Dan Driscoll, ministri i Ushtrisë dhe ish-shok klase i tij në Yale, për t’ia dorëzuar planin personalisht palës ukrainase. Driscoll kishte planifikuar një vizitë më të gjerë ushtarake për diskutime mbi teknologjinë dhe strategjinë e mbrojtjes, por udhëtimi u përshpejtua për shkak të këtij zhvillimi.
Disa zyrtarë brenda administratës Trump, përfshirë Rubio-n, besonin se gjërat po lëviznin tepër shpejt. Vizita e Driscoll dukej si nisje e “bisedimeve të vërteta të paqes” me Ukrainën. Edhe pse filozofia e Trump, e përshkruar edhe në “Art of the Deal”, është se nga kaosi lind marrëveshja, situata po bëhej shumë e turbullt. Kështu që presidenti dërgoi Rubio-n, Witkoff-in, Kushner-in dhe Driscoll-in në Gjenevë.
Në Gjenevë, Rubio u tha ukrainasve se nuk do t’i takonte nëse nuk deklaronin publikisht se plani nuk ishte thjesht një propozim rus dhe se Ukraina kishte kontribuar në të, sipas Axios. Amerikanët ishin të irrituar nga informacionet që u jepeshin mediave amerikane nga burime ukrainase; ndërsa Kievi pranoi të bënte deklarata më pozitive.
Gjatë takimit në Gjenevë, plani 28-pikësh u trajtua si draft, jo si dokument final. Amerikanët u treguan të hapur për të përfshirë elemente nga kundër-propozimi ukrainas. Por pas dyerve të mbyllura, takimi ishte shumë i tensionuar, pavarësisht përshkrimit të Rubio-s si “më produktivi deri tani”.
Ndërkohë nga Shtëpia e Bardhë, Trump akuzoi publikisht ukrainasit për mungesë mirënjohjeje. Flitet se mund të ketë një takim Trump–Zelensky këtë javë ose javën e ardhshme.
Nga sot dhe për pjesën tjetër të javës, Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Trump do të jetë në Florida për festimet e Ringraziementos. Një zyrtar amerikan tha se nuk ka plane për takim, pasi ende nuk ka rezultat të qartë nga negociatat e paqes. Dy draftet, ai amerikan dhe ai ukrainas, duket se mbeten shumë larg njëri-tjetrit, pavarësisht deklaratave optimiste të Trump në platformën e tij sociale më 24 nëntor. /Pamfleti
Putini sotem eshte Hitleri i djeshem ,atij nuk duhet ti behet asnje leshim . Mbas Ukraines ai do sulmoje vendet Balltike ,ai ka synim te zgjeroje me tej ish BRSS . ShBA dhe Europa duhet te jene ne nje mendje ,asnje leshim diktatorit Putin , ti tregojne atij forcen se si diktator ai nuk njeh demokracine pk vetem forcen . Cdo leshim qe mu d ti bejne sot diktatofit Putin do jete me pasoja te medha neser per stabilitetin dhe paqen boterore.