Presidenti amerikan Donald Trump ka përuruar nga Davosi “Bordin e Paqes”, ndërsa nënshkroi me Presidentët dhe Kryeministrat e vendeve që i kanë thënë “po” një iniciative të tillë.
Ai e vlerësoi “Bordin e Paqes” si një nga mekanizmat dhe instrumentet më të rëndësishme të cilat janë krijuar.
Gjatë fjalës së tij, Trump nuk ka kursyer batutat kur tha se mes grupit janë 2 ose 3 që nuk i duron fare.
“Putin më ka thënë se nuk do ta kishte nisur kurrë luftën nëse unë do të isha president i SHBA. Bordi i Paqes është një nga mekanizmat dhe instrumentet më të rëndësishme të cilat janë krijuar. Thuajse çdo vend dëshiron që të jetë pjesë e këtij grupi. Kam dërguar ftesa dhe liderët e këtyre shteteve janë në Davos. Janë disa që i pëlqej disa jo, por në këtë grup i pëlqej të gjithë, përveç 2-3 që nuk i duroj dot”, tha ai.
Batuta e Trump duket si një thumb që Presidenti amerikan e hodhi nga Davosi, ndërsa njëri pas tjetrit liderët e pranishëm nënshkruanin dokumentin. Nuk dihet se cilët janë dy apo tre liderët që Trump nuk i duron dot, por mes atyre që kanë pranuar të jenë pjesë e Bordit të Paqes është edhe Kryeministri Edi Rama.
Ajo që u vu re nga ceremonia e nënshkrimit ishte afërsia që Trump tregoi me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën zhvilloi edhe një bisedë të shkurtër.
Në ceremoni morën pjesë 19 vende, nga 23 që iu përgjigjën pozitivisht, me përfaqësimin e Bashkimit Evropian të kufizuar vetëm në një vend, Hungarinë.
Ndër anëtarët themelues të komitetit ekzekutiv janë Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio , dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, i Dërguari Special i Presidentit të SHBA-së, Steve Witkoff, dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair.
Organizata, e cila fillimisht synonte të udhëhiqte procesin e paqes në Gaza, është transformuar në një iniciativë më të gjerë që synon zgjidhjen e konflikteve të vështira globale.
Në anën tjetër, Kryeministri Edi Rama, duke iu përgjigjur akuzave të opozitës sepse nuk ishte i pranishëm në Davos, zgjodhi të përdorë një batutë.
“Mes mikpritjes së Ivankës dhe pjesëmarrjes në Davos, zgjodha vajzën e Donald Trump, me lejen e babait të saj”, tha Rama.
Sipas Washington Post, 23 vendet që kanë pranuar ftesën për të marrë pjesë në Këshillin e Paqes janë:
Shqipëria
Egjipti
Argjentinë
Armenia
Azerbajxhani
Bahrein
Bjellorusia
Hungaria
Indonezi
Izrael
Jordania
Kosovë
Kuvajt
Marok
Pakistani
Paraguai
Katar
Arabia Saudite
Turqi
Emiratet e Bashkuara Arabe
Uzbekistani
Vietnami
Kazakistani
Lini një Përgjigje