TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Prill 2026, 17:38

“Nëna ime ishte e fiksuar pas jush”, Trump batuta me Mbretin Charles!

Shkruar nga Pamfleti
“Nëna ime ishte e fiksuar pas jush”, Trump batuta me Mbretin
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump ka pritur Mbretin Charles dhe Mbretëreshën Camilla në Shtëpinë e Bardhë, në ditën e dytë të vizitës së tyre në Shtetet e Bashkuara. Në ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes morën pjesë figura të larta të administratës amerikane, përfshirë zëvendëspresidentin J.D. Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio.

Gjatë fjalës së tij, Trump e cilësoi pritjen si një nder dhe iu referua edhe vizitave të mëparshme në Mbretërinë e Bashkuar, duke përmendur veçanërisht qëndrimin në Kështjellën Windsor. Ai theksoi marrëdhëniet historike mes dy vendeve, duke i quajtur “dhurata të rralla” ndikimet kulturore që Shtetet e Bashkuara kanë trashëguar nga Britania.

Në një moment më informal, presidenti amerikan bëri shaka për motin me shi në Uashington, duke e quajtur atë një “ditë tipike britanike”. Ai komentoi gjithashtu për aksentin e Mbretit Charles, duke thënë se ai do të tërhiqte vëmendjen gjatë fjalimit të tij në Kongres.

Trump ndau edhe një kujtim personal, duke treguar se nëna e tij ndiqte me interes ceremonitë e familjes mbretërore britanike. Sipas tij, ajo shprehte admirim të veçantë për Charlesin, duke e cilësuar si “shumë simpatik”.

"Sa herë që Mbretëresha merrte pjesë në një ceremoni... nëna ime do të mbërthehej pas televizorit dhe do të thoshte: 'Shiko, Donald, shiko sa e bukur është kjo'. Ajo e donte shumë familjen. Por gjithashtu e mbaj mend që tha shumë qartë, Charles... ai është kaq i lezetshëm... nëna ime kishte një simpati për Charles. A mund ta besoni?"-tha Trump.

Në ceremoni ishin të pranishëm edhe përfaqësues të tjerë të lartë amerikanë dhe britanikë, si dhe figura të njohura nga bota e biznesit. Vizita e Mbretit Charles në SHBA konsiderohet pjesë e përpjekjeve për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve.

donald trump

Lini një Përgjigje