TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota11 Korrik 2026, 12:32

Nëse Evropa e humb edhe Luftën e Tretë Botërore…

Shkruar nga Nicola Berti
Nëse Evropa e humb edhe Luftën e Tretë Botërore…
Krerët e Evropës së sotme /

Samiti i fundit i NATO-s në Ankara riktheu një pyetje themelore për të ardhmen e kontinentit: a është Evropa ende një aktore gjeopolitike, apo është shndërruar në objekt të vendimeve të fuqive të tjera? Ashtu si pas dy luftërave botërore të shekullit XX, kontinenti rrezikon të dalë edhe një herë i dobësuar nga një konflikt që po riformëson ekuilibrat globalë...

Lufta e Tretë Botërore po përfundon dhe është e dukshme që Evropa po e humb atë. Ashtu siç doli e mundur - madje e shkatërruar - nga dy luftërat e shekullit të kaluar. Sigurisht, me një ndryshim: në ato luftëra Kontinenti i Vjetër kishte qenë autori, jo vetëm skena e tyre.

Ai kishte qenë protagonist deri në vetëvrasjen përfundimtare. Pra deri në dorëzimin historik përballë dy fuqive të reja jashtë Evropës, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik.

Vetëm 30 vjet më parë, Evropa ishte zotëruesja në dukje e përjetshme e rendit global. Sot - më shumë se 80 vjet pas vitit 1945 - Evropa konfirmohet si një objekt gjeopolitik, jo si një subjekt. Samiti i NATO-s e bëri këtë sërish të qartë, duke nisur nga vetë vendi i zhvillimit, Ankaraja, kryeqyteti i një demokrature të islamizuar në Lindjen e Mesme.

Dhe jo shumë larg nga Jalta - qyteti i Krimesë ukrainase, sot i pushtuar sërish nga Rusia - ku u vendosën ekuilibrat evropianë të pas Luftës së Dytë Botërore, të cilët u shkatërruan përfundimisht me agresionin e Moskës ndaj Ukrainës.

Sipas kësaj logjike, Vladimir Putin e ka humbur tashmë bastin e tij për rikthimin neo-perandorak të Rusisë pas rënies së Bashkimit Sovjetik. Dikur Stalini e fitoi bastin e tij: pasi i rezistoi agresionit të Gjermanisë naziste, pushtoi Berlinin dhe e detyroi Hitlerin të vriste veten.

Por çmimi i asaj fitoreje - mbi të gjitha rreth 40 milionë të vdekur, ushtarakë dhe civilë - nuk ishte shumë i ndryshëm nga ai që Putini i ka imponuar Rusisë post-sovjetike gjatë katër viteve të fundit dhe tek e fundit për të mos fituar në Ukrainë.

Pikërisht aty ku, në verën e vitit 1943, Ushtria e Kuqe e shtoi vrullin pas kthesës së Stalingradit. Dy diktatorë shumë të ndryshëm, Stalini dhe Putin. I pari një autokrat transkaukazian, me tipare thuajse tartare. Putin, një evropian i Baltikut, trashëgimtar sipas linjës së drejtpërdrejtë të Pjetrit dhe Katerinës në Shën Petersburg.

Por që të dy neocaristë. I pari e mbajti Ukrainën nën grushtin e hekurt të Moskës pas revolucionit leninist. I dyti nuk e ka pranuar kurrë që Kievi - ku, sipas mitologjisë historike ruse, lindi Rusia e Shenjtë - të bëhej një pararojë perëndimore pas rënies së mureve.

Ai s’ka hequr dorë kurrë nga ideja për të përmbysur ndryshimin e regjimit që, sipas tij, SHBA-ja i imponoi Ukrainës me Revolucionin Portokalli të vitit 2014 dhe me luftën e parë “perëndimore” kundër Rusisë. Në këtë mënyrë Ukraina u shndërrua në një lloj “plani B” ndaj një ideje të fillimit të shekullit, kur Putini sapo kishte ardhur në Kremlin: që Rusia pasi kishte hyrë në G8, të hynte edhe në NATO.

Ishte epoka e “fundit të historisë”, pra edhe e fundit të luftërave (të paktën mes Lindjes dhe Perëndimit në të dy anët e Atlantikut). Ky skenar u përmbys përfundimisht. Nga Putin, por jo vetëm prej tij dhe shumë përpara vitit 2022.

Tani po bëhet më pak e pamundur që Ukraina të hyjë në NATO. Është një vend me një strukturë politike dhe ekonomike ende gjerësisht sovjetike. Një demokraturë e drejtuar nga oligarkë dhe aparate sigurie: madje më fisnore se sa centralizmi rus, i cili sot po shfaq shenja dobësimi.

Në vend të një Rusie të mbikëqyrur nga brenda prej vetë NATO-s, do të kishte - ose do të ketë - një Ukrainë mjaft të ngjashme me Rusinë: një fabrikë-depo armësh, një shtet-ushtarak i financuar (me detyrim) nga Evropa, brenda një NATO-je të zgjeruar - edhe drejt Azisë kundër Kinës - dhe gjithnjë e më pak e paguar nga taksapaguesi amerikan.

Kjo është strategjia e daljes drejt së cilës duket se është orientuar Donald Trump, një ish-menaxher kazinosh dhe biznesmen i pasurive të paluajtshme në Manhattan, pra një njeri i Wall Street-it. Pragmatizmi i tij oportunist, i ndryshueshëm nga dita në ditë, po e afron sërish me paraardhësin Joe Biden.

Ky i fundit - në mënyrë pragmatike dhe oportuniste - kishte vendosur që Ukraina duhej të “armatosej dhe të nisej” në një luftë të përgjakshme, e cila do të ndalte në vijën e parë aventurën e Kremlinit.

Edhe Franklin Roosevelt në vitin 1940, ishte rizgjedhur për herë të tretë në Shtëpinë e Bardhë duke u premtuar amerikanëve - ende në rimëkëmbje nga Depresioni i Madh - se do ta mbante vendin larg luftës së re evropiane, duke financuar në maksimum Britaninë e Madhe.

Vetëm një vit më pas, pasi u sulmua në Pearl Harbor, FDR hyri në luftë me Japoninë. Dhe u desh edhe një vit tjetër që Uashingtoni t’i shpallte luftë Gjermanisë. Kjo në një kohë kur “çlirimi” i Evropës ishte vendosur tashmë nga elita politike amerikane përtej Atlantikut, në një lojë të re “bashkëpunimi-rivaliteti” gjeopolitik me Moskën.

Kur në vitin 1945 Britania e Madhe dhe Franca u ulën në tryezën e fitimtarëve, kjo dukej tashmë si një falsifikim historik. Londra humbi menjëherë të gjithë perandorinë koloniale, edhe Parisi po ashtu, edhe pse ky i fundit besonte se mund të luante rolin e udhëheqësit të një Evrope të re që bashkohej gradualisht.

Por rimëkëmbja afatgjatë e Gjermanisë - e kulmuar me ribashkimin e vitit 1990 - dhe nacionalizmi i pashërueshëm francez vetëm sa e përforcuan logjikën afatgjatë të Paktit Atlantik: t’i mbanin SHBA-të “brenda Evropës”; Bashkimin Sovjetik “jashtë”; dhe Gjermaninë "poshtë".

Sado ambicioz që mund të ketë qenë në projektin e tij dhe në shumë prej arritjeve të tij,  Bashkimi Evropian nuk ka qenë veçse një zëvendësues. Brexit, hyrje-dalja oportuniste e Mbretërisë së Bashkuar përtej La Manshit - dhe shfaqja e fundit e “vullnetarëve” të Londrës dhe Parisit, vetëm sa e kanë konfirmuar këtë.

Nëse ka pasur diçka që në retrospektivë duket si pjesë e një “Loje të Madhe” të drejtuar nga jashtë Evropës, ajo ishte zgjerimi i Bashkimit Evropian drejt Lindjes në kapërcyell të mijëvjeçarit. Ishte një projekt i lidhur me Amerikën “demokrate” të Bill Clinton-it dhe më pas të Barack Obama-s dhe Joe Biden-it.

Por në Luftën e Tretë Botërore, ajo që është sakrifikuar para së gjithash ka qenë popullsia ukrainase: me qindra mijëra të vrarë, qytete të shkatërruara dhe miliona refugjatë. Por gjithçka në dukje ka ardhur si rezultat i vendimit të një qeverie sovrane dhe formalisht demokratike.

Qindra apo mijëra miliardë të humbura nga inflacioni në sektorin energjetik dhe recesioni i shkaktuar nga sanksionet - përpara se të llogariten ndihmat financiare dhe ushtarake të drejtpërdrejta për Kievin - janë paguar nga Evropa, e cila tani po detyrohet të pranojë Ukrainën: një hap që në realitet rrezikon të jetë shkatërrues për Bashkimin Evropian të lindur mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore.

Volodymyr Zelensky, ose ndonjë gjeneral që tashmë ka hyrë në garën për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, do të ulet në Bruksel jo si një aleat përjetësisht mirënjohës, një nxënës i qytetërimit evropian.

Ai do të luajë rolin e “vëllait të madh”, menaxherit pa alternativë të një mbrojtjeje evropiane që nuk është ndërtuar kurrë dhe që me gjasë, nuk do të ndërtohet as si e tillë.

Bashkimi Evropian do të vazhdojë të paguajë Kievin për mbrojtjen nga ekspansionizmi rus, real apo i supozuar; me Putinin në pushtet ose me shumë gjasa, me një pasardhës të tij.

Rregullat e lojës do të vazhdojnë të vendosen në Uashington: nga pasardhës të Trump-it, për të cilët do të ishte një iluzion i rrezikshëm të mendohej se duan ta kthejnë filmin e historisë pas, drejt “Botës së Djeshme”.

Gjithmonë duke pranuar se globalizimi financiar ka prodhuar ndonjë bilanc pozitiv të përbashkët për 450 milionë evropianë. Ndërkohë, në Britaninë e Madhe duket se ka ardhur në fund të rrugës bipolarizmi politik që për tre shekuj ka shërbyer si baza e demokracisë liberale moderne kudo (mbi të gjitha në SHBA-në e 250-vjetorit).

Ndoshta pas lëvizjeve të qeverisë laburiste ndonjë përfitim do ta ketë aparati ushtarako-industrial i Kompanisë së Indive: trashëgimtarët e marshallit Montgomery apo të James Bond-it. Ose bankierët e City-t, të cilët mezi presin të rikthehen në Bashkimin Evropian dhe me të njëjtat pritshmëri.

Jo më pak e çorientuar duket Franca gjysmë-presidenciale, trashëgimtarja e fundit e një shteti kombëtar të fortë, megjithëse ende e aftë për “revolucione”. Nuk është më mirë as Gjermania, sërish e kërcënuar nga shumë prej demonëve të saj të brendshëm, ndërsa përballet me një koalicion gjithnjë e më të vogël mes kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve.

Pra Evropa e ka humbur edhe një herë luftën botëror. Edhe pse kësaj here ndoshta nuk e ka luftuar kurrë vërtet atë; nuk ka marrë kurrë vendimet e mëdha që përcaktuan fatin e saj dhe as nuk ka qenë pjesë e kthesave të mëdha historike.

Megjithatë, gabimi më i madh do të ishte refuzimi për ta parë këtë realitet në sy, sado i vështirë apo iluzor është. Në vitin 1945, disfata ishte tepër e rëndë, tepër shkatërrimtare dhe tepër e dhimbshme.

Pasojat e saj ishin të qarta për të gjithë: për britanikët dhe francezët, fitimtarë vetëm në dukje; për gjermanët dhe italianët, të ndarë në mënyra të ndryshme; për polakët, hungarezët, çekët, sllovakët dhe të tjerët, të burgosur për 40 vjet.

Por rindërtimi evropian - ai që ishte i mundur dhe që në fakt u realizua, si bashkimi ekonomik dhe monetar - nisi pikërisht nga aty. Historia - pavarësisht asaj që shpallën 30 të vjet më parë teoricienët politikisht korrektë të kampuseve përtej Atlantikut - nuk përfundon kurrë./Pamfleti nga “Il Sussidiario”

evropa lufta e tretë botërore

Lini një Përgjigje