Bota27 Maj 2023, 07:57

Nesër balotazhi në Turqi/ Kryeson Erdogan, Kiliçdaroglu shpreson për një ndryshim

Shkruar nga Pamfleti
Nesër balotazhi në Turqi/ Kryeson Erdogan, Kiliçdaroglu
Erdogan dhe Kiliçdaroglu

Klima në Turqi është e tensionuar 24 orë para se qytetarët e vendit të shkojnë sërish në kutitë e votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Ndërsa kandidatët kryesorë Rexhep Tajip Erdogan dhe Kemal Kiliçdaroglu, të cilët nuk arritën të sigurojnë presidencën në raundin e parë, përgatiten për zgjedhjet e së dielës, sistemi i aleancës politike të Turqisë është bërë më kompleks, i karakterizuar nga debate polarizuese për çështje të tilla si nacionalizmi, refugjatët sirianë dhe kurdët.

Në të njëjtin vit që Turqia mbush 100 vjet nga themelimi i shtetit modern turk, atmosfera politike e vendit është bërë më e pasigurt se kurrë. Presidenti turk po përpiqet të zgjasë 20 vitet e tij në pushtet edhe me pesë të tjera, pasi rivali i tij tenton të joshë votat nacionaliste duke premtuar se do të dëbojë miliona refugjatë sirianë nëse ai rrëzon Erdoganin, i cili e ka akuzuar atë për gjuhë urrejtjeje. Erdogan tha se fitorja për liderin e opozitës do të ishte një fitore e “terroristëve”.

Kemal Kiliçdaroglu, i mbështetur nga një opozitë e gjerë, i ka cilësuar zgjedhjet si një referendum mbi drejtimin e ardhshëm të Turqisë dhe ka kërkuar mbështetjen e votuesve nacionalistë për të rritur shanset e tij për fitore. Kundërshtari i Erdoganit dëshiron të shfuqizojë sistemin presidencial të prezantuar pesë vjet më parë dhe t’i kthejë pushtetin parlamentit dhe kryeministrit. Gjykatat e pavarura dhe shtypi i lirë do të pasojnë.

Roli i presidentit do të jetë rol nderi dhe pesë partitë e tjera në aleancën e Kiliçdaroglu do të kenë secila një nënkryetar së bashku me dy kryebashkiakët e qendrës së majtë të Ankarasë dhe Stambollit. Por partia e Erdoganit dhe aleatët e saj nacionalistë dhe konservatorë kanë siguruar një shumicë në parlament dhe nëse aleanca opozitare do të fitonte presidencën, ata mund ta kenë të vështirë të shtyjnë reformat e tyre.

Të dielën, qendrat e votimit hapen në orën 08:00 me orën lokale dhe mbyllen në orën 17:00. Raundi i dytë i zgjedhjeve po zhvillohet tre muaj pasi tërmetet në Turqinë juglindore vranë më shumë se 50,000 njerëz.

Anketuesit ende presin një pjesëmarrje të lartë të dielën, megjithëse ndoshta jo 89 përqind që arriti në raundin e parë. Sa i përket turqve jashtë vendit, ata kanë nisur votimin për raundin e dytë që nga e shtuna e kaluar në 73 vende dhe pjesëmarrja ka shënuar një rritje të lehtë nga raundi i parë.

Krahasuar me sondazhet para raundit të parë që favorizonte Kemal Kiliçdaroglu, në raundin e dytë favorit është Rexhep Tajip Erdogan, por hendeku midis tyre mund të kapërcehet - qoftë nga 2.8 milionë mbështetësit e kandidatit ultra-nacionalist që doli i treti qoftë nga 8 milionë votuesit që nuk morën pjesë në raundin e parë.

balotazhi turqi erdogan kilicdaroglu