Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka premtuar se do të vazhdojë sulmet ndaj Iranit, ndërsa konflikti po i afrohet javës së gjashtë.
Duke folur gjatë një takimi në selinë ushtarake të Izraelit në Tel Aviv, Netanyahu tha se bashkëpunimi me Shtetet e Bashkuara është vendimtar në këtë ofensivë.
“Në koordinim të plotë midis meje dhe presidentit Donald Trump, dhe midis IDF-së dhe ushtrisë amerikane, ne do të vazhdojmë ta shtypim Iranin”, deklaroi ai.
Kryeministri izraelit theksoi gjithashtu se forca ajrore e vendit të tij ka “shkatërruar 70% të kapacitetit të prodhimit të çelikut të Iranit”, duke e privuar ushtrinë iraniane nga “burimet e financimit dhe aftësia për të prodhuar sasi të mëdha armësh”.
Ai njoftoi se operacionet nuk janë të kufizuara vetëm ndaj infrastrukturës ushtarake: “së bashku me miqtë tanë amerikanë, ne po vazhdojmë të shtypim regjimin terrorist në Iran. Ne po eliminojmë komandantët dhe po bombardojmë urat dhe infrastrukturën”.
Përveç operacioneve ndaj Iranit, Netanyahu tha se ushtria izraelite po vazhdon të “sulmojë Hezbollahun” dhe po zgjerojnë “zonën e sigurisë” në Libanin jugor, ku forcat izraelite kanë nisur një pushtim tokësor.
Ai përmendi se regjimi iranian është më i dobët se kurrë, ndërsa Izraeli është më i fortë se kurrë: “Ky regjim është më i dobët se kurrë – Izraeli është më i fortë se kurrë”, shtoi kryeministri.
Lini një Përgjigje