Agjencia verifikon nëse zyrtarët aktivë mbajnë kontakte me kolegë të përfshirë në hetime dhe arrestime
Agjencia për Sigurinë Kombëtare (ANB) po ndërmerr masa kundërzbulimi për t’u mbrojtur edhe nga “nishanet” e mundshme brenda radhëve të saj, duke kontrolluar nëse agjentët komunikojnë me kolegë që janë arrestuar, ndër të cilët janë Petar Lazović, Zoran Lazović, Duško Golubović, Drago Spičanović, Dejan Peruničić, Srđa Pavićević...
Kjo rezulton nga përgjigjet që shërbimi sekret, i drejtuar nga Ivica Janović, i ka dhënë medias “Vijesti”.
Ata shpjegojnë se masat që ndërmerren janë të klasifikuara, por paralajmërojnë se agjentët janë të detyruar të ruajnë sekretin edhe pas largimit nga Agjencia.
Megjithatë, ata nuk zbulojnë sa punonjës janë ndjekur disiplinarisht, por theksojnë se për këtë informohet Komisioni Parlamentar për Sigurinë dhe Mbrojtjen.
“Agjencia për Sigurinë Kombëtare, në përputhje me kompetencat e saj, zhvillon në mënyrë të vazhdueshme aktivitete të kundërzbulimit. Masat dhe veprimet që ndërmerren në këtë kontekst janë të klasifikuara dhe nuk mund të përdoren për qëllime të tjera. Punonjësit e Agjencisë janë të detyruar të ruajnë sekretin gjatë dhe pas përfundimit të punës, në përputhje me Ligjin për sekretin e të dhënave”, deklaruan nga ANB për “Vijesti”.
Këto përgjigje u dhanë pas pyetjeve nëse mbahet evidencë për kontaktet mes ish-zyrtarëve dhe punonjësve aktivë të ANB-së, veçanërisht kur këta persona janë subjekt i procedimeve penale ose janë arrestuar, si dhe në sa raste këto kontakte janë vlerësuar si rrezik për sigurinë.
“Punonjësi i Agjencisë është përgjegjës disiplinarisht për shkelje të detyrimeve nga marrëdhënia e punës. Agjencia është e detyruar që në raportin vjetor, të cilin ia paraqet Komisionit Parlamentar për Sigurinë dhe Mbrojtjen, të përfshijë informacione për punonjësit ndaj të cilëve është zhvilluar procedurë disiplinore. Këto të dhëna janë gjithashtu të klasifikuara”, theksuan nga shërbimi.
Ata iu përgjigjën edhe pyetjeve për numrin e rasteve kur janë nisur procedura të brendshme, masa disiplinore ose verifikime të pengesave të sigurisë, si dhe nëse ka pasur pezullime, transferime apo heqje të aksesit në të dhëna të klasifikuara për shkak të kontakteve të ndaluara me ish-zyrtarë.
Të pyetur sa punonjës aktivë aktualisht nuk kanë akses në informacione të klasifikuara dhe mbi çfarë baze u është hequr ky akses, ata deklaruan se lejet përkatëse lëshohen nga Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave të Klasifikuara.
“Lejet për akses në të dhëna të klasifikuara i lëshon Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave të Klasifikuara, në përputhje me ligjin”, thanë ata.
Agjentët prej vitesh nën hetim nga Prokuroria Speciale
Prej vitesh, emrat e agjentëve të shërbimit sekret shfaqen në çështjet më të rëndësishme që heton Prokuroria Speciale Shtetërore (SDT), nga akuzat për lidhje me krimin e organizuar deri te hetimet për përgjime të paligjshme dhe rrjedhje informacioni.
Mes tyre janë babë e bir Lazović, Dusko Goluboviç, Drago Spiçanoviç, Dejan Peruniçiç dhe Srđa Pavićević.
Petar Lazović, ish-zyrtar i ANB-së dhe Policisë, u arrestua në korrik 2022 me urdhër të SDT-së, nën dyshimin për krijimin e një organizate kriminale. Ai akuzohet në disa çështje si pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga i arratisuri Radoje Zvicer, kreu i klanit “Kavaç”. Sipas akuzave, ai ishte një hallkë kyçe e këtij rrjeti brenda strukturave të sigurisë.
Zoran Lazović, ish-ndihmësdrejtor i Policisë dhe një nga figurat më të fuqishme të sektorit të sigurisë në dekadat e fundit, ndodhet në paraburgim që nga prilli 2024. Ai, së bashku me ish-kryeprokurorin special Milivoje Katnić dhe prokurorin Saša Čađenović, akuzohet për krijimin e një organizate kriminale dhe për bashkëpunim me klanin “Kavaç”.
Zoran Lazović dhe Duško Golubović punuan në ANB deri në prill 2015. Ata u larguan përmes marrëveshjeve për ndërprerje të punës dhe më pas u rikthyen në polici. Zyrtarisht kjo u justifikua si rinovim i stafit në kuadër të përgatitjeve për anëtarësimin në NATO, ndërsa në praktikë u interpretua si pastrim i strukturave nga elementë të korruptuar.
Duško Golubović, ish-agjent i ANB-së, u arrestua më 9 maj 2025 me dyshimin për përfshirje në një organizatë kriminale që merrej me kontrabandë cigaresh.
Drago Spičanović, ish-zyrtar i lartë dhe ish-shef i kundërzbulimit, u arrestua në tetor 2025 në një operacion të gjerë, nën dyshimin për rrjedhje të informacionit sekret drejt një grupi kriminal.
Dejan Peruničić, ish-drejtor i ANB-së, u arrestua në tetor 2021 për përgjime dhe ndjekje të paligjshme të qytetarëve. Ai dhe Srđa Pavićević përballen me akuza për përgjimin e qindra personave, përfshirë politikanë opozitarë, gazetarë dhe figura fetare.
Të dhënat për kufizimet e aksesit mbeten sekrete
Informacioni mbi numrin e punonjësve të ANB-së që aktualisht nuk kanë akses në të dhëna të klasifikuara nuk është publik. Sipas ligjit, këto të dhëna konsiderohen të klasifikuara dhe nuk mund të bëhen publike.
Nga Drejtoria për Mbrojtjen e të Dhënave të Klasifikuara u sqarua se lejet nuk jepen nëse personi nuk plotëson kushtet ligjore ose nëse gjatë verifikimit konstatohen rreziqe për sigurinë.
Ligji parashikon gjithashtu që një leje e dhënë mund të kufizohet ose të hiqet përpara afatit, nëse konstatohet se përdoruesi nuk respekton rregullat për trajtimin e informacionit të klasifikuar ose nuk përmbush më kriteret e nevojshme.
Ndërkohë, deputetët që janë pjesë e komisioneve parlamentare për sigurinë, antikorrupsionin apo komisioneve hetimore kanë të drejtë ligjore për akses në këto të dhëna, pa pasur nevojë për leje të veçantë. /Përshtati Pamfleti/
Lini një Përgjigje