
Qindra protestues dhe aktivistë u pozicionuan jashtë konsullatës amerikane në Tel Aviv, duke bërë thirrje për një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve, ndërsa kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po takohen në Shtëpinë e Bardhë.
Midis protestuesve janë anëtare të Lëvizjes së Protestës së Grave dhe familje të pengjeve të cilat i bënë thirrje Trump të “bëjë histori” duke i dhënë fund luftës dhe duke i sjellë në shtëpi të gjithë pengjet izraelite të mbajtura në Gaza.
“Fjalimi i fundit i Netanyahut është një tjetër provë e shkëputjes së tij të paimagjinueshme dhe e politikës së tij të dredhive në vend të marrëveshjeve. E vetmja gjë që duhet të dalë nga takimi Trump-Netanyahu është një marrëveshje e vetme për të kthyer të 48 pengjet dhe pengen e vetme femër, dhe për t’i dhënë fund luftës, tani!”, tha Lëvizja Protestuese e Grave në një deklaratë.
Shumë protestues u panë duke mbajtur pankarta ku shkruhej: “President Trump - Bëni histori! Jepini fund luftës dhe ktheni të gjithë pengjet në shtëpi” dhe “Mos lini asnjë peng pas”.
Protestues të tjerë u panë duke mbajtur postera të pengjeve që ende mbahen në Gaza dhe u dëgjuan duke brohoritur "shpëtoni të gjithë pengjet" dhe "Trump, ndalo luftën".
Tubime më të vogla u mbajtën edhe në vende të tjera, përfshirë jashtë ambasadës amerikane në Jerusalem, ndërsa midis protestuesve ishin edhe anëtarë të familjeve të pengjeve që mbaheshin ende në Gaza.
Në Nju Jork dhe Uashington DC, u zhvilluan tubime të ngjashme, ku protestuesit kërkuan përfundimin e luftës në Gaza dhe bënë thirrje për kthimin e sigurt të të gjithë pengjeve izraelite.
Lini një Përgjigje