TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Dhjetor 2025, 11:20

Nga katastrofa e Alpeve tek kapja e Sadamit në Irak, ngjarjet kryesore të datës 13 dhjetor 

Shkruar nga Pamfleti
Nga katastrofa e Alpeve tek kapja e Sadamit në Irak, ngjarjet kryesore
Sadam Husein

Ndërsa Iraku vazhdonte të përballej me akuza për shitje të paligjshme të naftës dhe ndërtim armësh të shkatërrimit në masë, Shtetet e Bashkuara e pushtuan përsëri vendin në mars të vitit 2003.

13 Dhjetor 2003 - Forcat amerikane arrestojnë ish-diktatorin irakian Sadam Husein

Ish-diktatori irakian u kap nga pasi 9 muajsh arrati, pas rrëzimit nga pushteti. Rënia e Sadamit filloi më 20 mars 2003, kur Shtetet e Bashkuara zbarkuan atje një forcë pushtuese për të rrëzuar qeverinë e tij, e cila e kishte kontrolluar vendin për më shumë se dy dekada.

Sadam Huseini lindi në vitin 1937 një familje të varfër në Tikrit, 160 km larg Bagdadit. Pasi u zhvendos në Bagdad qëkur ishte adoleshent, Sadami iu bashkua partisë tashmë famëkeqe Baath, të cilën do ta drejtonte më vonë.

Ai mori pjesë në disa përpjekje për grusht shteti, duke ndihmuar në ngjitjen në pushtet të kushëririt të tij, Ahmed Hasan Aal-Bakr në korrik të vitit 1968. Sadami, që shërbeu në disa poste të larta, deri si numri 2 i Irakut, e mori të gjithë pushtetin për vete 11 vjet më vonë. Gjatë 24 viteve të tij në detyrë, Sadami ia ngarkoi policisë së tij sekrete mbrojtjen e pushtetit të tij dhe terrorizimin e publikut, pa marrë parasysh të drejtat e njeriut për qytetarët e vendit. Ndërsa shumë nga populli i tij përballeshin me varfëri, ai jetoi në një luks të pabesueshëm, duke ndërtuar më shumë se 20 pallate luksoze në të gjithë vendin. I fiksuar pas sigurisë, thuhet se ai lëvizte shpesh midis tyre, duke fjetur gjithmonë në vende të fshehta.

Në fillim të viteve 1980, Sadami e përfshiu vendin e tij në një luftë 8-vjeçare me Iranin, e cila vlerësohet se ka marrë më shumë se 1 milion jetë njerëzish nga të dyja palët. Ai dyshohet se ka përdorur agjentë nervorë dhe gaz mustardë ndaj ushtarëve iranianë gjatë konfliktit, si dhe armë kimike ndaj popullsisë kurde të Irakut në veri të Irakut në vitin 1988.

Pasi pushtoi Kuvajtin në vitin 1990, një koalicion i udhëhequr nga SHBA- të pushtoi Irakun në vitin 1991, duke e detyruar ushtrinë e diktatorit irakian që të largohej nga fqinji i saj më i vogël, por duke dështuar në rrëzimin e Sadamit nga pushteti.

Gjatë viteve 1990, Sadami u përball si me sanksione ekonomike të OKB-së ashtu edhe me sulme ajrore që synonin të gjymtonin aftësinë e tij për të prodhuar armë kimike, biologjike dhe bërthamore.

Ndërsa Iraku vazhdonte të përballej me akuza për shitje të paligjshme të naftës dhe ndërtim armësh të shkatërrimit në masë, Shtetet e Bashkuara e pushtuan përsëri vendin në mars të vitit 2003, këtë herë me qëllimin e shprehur të rrëzimit të Sadamit dhe regjimit të tij.

Pavarësisht se në fillim të marsit 2003, ai deklaroi se “nuk ka dyshim që besimtarët do të jenë fitimtarë kundër agresionit”, Sadami u fsheh menjëherë pas pushtimit amerikan, duke iu drejtuar popullit të tij vetëm nëpërmjet ndonjë kasete audio të rastit, dhe qeveria e tij shpejt ra.

Pasi e shpallën Sadamin si më të rëndësishmin nga një listë me 55 anëtarët më të kërkuar të regjimit të tij, Shtetet e Bashkuara filluan një kërkim intensiv për ish-udhëheqësin dhe këshilltarët e tij më të ngushtë.

Më 22 korrik 2003, djemtë e Sadamit, Udaj dhe Kusaj, të cilët shumë besojnë se ai po i përgatiste për t’i zënë vendin një ditë, u vranë kur ushtarët amerikanë bastisën një vilë ku ata po qëndronin në qytetin verior të Irakut, Mosul.

Pesë muaj më vonë, më 13 dhjetor 2003, ushtarët amerikanë e gjetën Sadam Huseinin të fshehur në një gropë 2.5-3 metra të thellë, 15 km larg qytetit të tij të lindjes, Tikrit. Burri, dikur i fiksuar pas higjienës, u gjet në një gjendje të mjerë, i parruar prej kohësh dhe me flokë të pakrehur.

Ai nuk rezistoi dhe nuk u lëndua gjatë arrestimit. Një ushtar në vendngjarje e përshkroi atë si “një njeri të dorëzuar ndaj fatit të tij”. Pasi doli në gjyq, ai u ekzekutua më 30 dhjetor 2006. Pavarësisht një kërkimi të zgjatur, armët e shkatërrimit në masë nuk u gjetën kurrë.

Ngjarje të tjera të rëndësishme:

13 Dhjetor 1294 - Dorëhiqet papritur nga detyra Papa Çelestini V. Ky papë, i cili kishte jetuar për vite si eremit në një shpellë, abdikoi pas vetëm 5 muajsh në detyrë. Ai besonte se vazhdimi i detyrës do të ishte i rrezikshëm për Kishën dhe për shpirtin e tij, duke shënuar një rast të pazakontë në historinë e Papatit.

13 Dhjetor 1916 - Një ortek i fuqishëm, vret qindra ushtarë austriakë në një kazermë pranë malit Marmolada në Itali. Gjatë një periudhe prej disa ditësh, ortekët në Alpet italiane do të vrasin rreth 10 mijë ushtarë austriakë dhe italianë në mesin e muajit dhjetor. Ortekët ndodhën gjatë kohës që austriakët dhe italianët po luftonin midis tyre në Luftën e Parë Botërore, dhe disa dëshmitarë pohuan se ato shkaktoheshin qëllimisht për t’u përdorur si një armë kundër armikut.

13 Dhjetor 1921 - Përfaqësues të 4 fuqive të mëdha mblidhen në Konferencën e Uashingtonit, e thirrur nga Shtetet e Bashkuara për të kufizuar garën e armatimeve detare dhe për të hartuar marrëveshje sigurie për zonën e Paqësorit. Pas diskutimeve të shumta, SHBA-ja, Britania e Madhe, Japonia dhe Franca nënshkruan një pakt, ku të gjithë nënshkruesit zotoheshin të konsultoheshin në rastin e një mosmarrëveshjeje midis dy prej tyre mbi “çdo çështje rreth Paqësorit”.

13 Dhjetor 1937 - Gjatë Luftës Kinë-Japoni, ushtria japoneze pushtoi qytetin e Nankingut në Kinë. Në javët që pasuan pushtimin, u kryen vrasje në masë të civilëve dhe ushtarëve kinezë. Numri i viktimave arriti në 300.000, duke shënuar një nga episodet më të errëta të shekullit XX-të.

13 Dhjetor 1949 - Parlamenti izaelit, Knesset, voton pro zhvendosjes së kryeqytetit të Izraelit në Jeruzalem.

13 Dhjetor 1967 - Mbreti Konstandini II i Greqisë, tenton një grusht shteti të pasuksesshëm, kundër regjimit të kolonelëve në vend.

13 Dhjetor 1981 - Gjenerali Vojçek Jaruzelski shpall ligjin ushtarak në Poloni, për shkak të protestave dhe grevave të sindikatës Solidarnost.

13 Dhjetor 2002 - Bashkimi Evropian njofton se Qipro, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia, do të bëhen anëtare të unionit më 1 maj 2004./ Përshtati "Pamfleti" nga "History.com"

sadam husei irak ngjarje historike

Lini një Përgjigje